Hetimet në Xhorxhia ndaj ish presidentit Trump përfshijnë aleatët e tij

Amerika

Hetimet në Xhorxhia ndaj ish presidentit Trump përfshijnë aleatët e tij

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 00:23
Prokurorja Fani Willis

Ora po troket, për ish Presidentin Donald Trump dhe aleatët e tij në Xhoxhia, ata mund të përballen me akuza penale për përpjekje të përmbysjes së rezultatit të zgjedhjeve në vitin 2020.

Një juri e madhe, po shqyrtona provat ndaj tyre dhe prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis, e cila po udhëheq hetimet, pritet të njoftojë akuzat rreth mesit të muajit gusht.

Ndaj zotit Trump janë ngritur dy herë akuza, gjatë muajve të fundit.

Në Nju Jork ai u akuzua për falsifikim të të dhënave në lidhje me një pagesë për të siguruar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë në vitin 2016, ndërsa në Florida, u vu nën akuzë për marrje dhe mbajtje të paligjshme të dokumentave të klasifikuara, pasi ishte larguar nga detyra.

Por rasti në Xhorxhia është ndryshe, sepse objektiv nuk është vetëm zoti Trump, por edhe avokatët dhe aktivistë lokalë politikë.

“Pres që ndaj zotit Trump të ngrihen akuza”, tha Anthony Michael Kreis, profesor për të drejtën ligjore pranë Universitetit Shtetëror të Xhorxhias, i cili e ka ndjekur nga afër këtë çështje.

Çështja qëndron se ndaj kujt tjetër do të ngrihen akuza dhe ndaj kujt jo? Dhe a do të akuzohen njerëz si (ish avokati i zotit Trump) Rudi Giuliani apo (ish këshilltari ligjor i fushatës së zotit Trump), John Eastman, apo të tjerë të këtij rangu”?

Zoti Trump dhe aleatët e tij i kanë cilësuar hetimet si “gjueti shtrigash” të udhëhequra nga një prokurore demokrate. Zonja Willis, demokrate, u zgjodh prokurore e qarkut Fulton në nëntor të vitit 2020.

Përveç cështjes në Xhoxhia, prokurori i posaçëm Jack Smith po kryen hetime federale mbi veprimet e zotit Trump pas zgjedhjeve, dhe veprime të tjera të kryera para 6 janarit të vitit 2021, kur u sulmua Kapitoli. Zoti Trump ka deklaruar se ai është objekt i hetimit dhe se së shpejti ndaj tij mund të ngrihen akuza.

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, zoti Trump mund të përballet me katër raste penale ndërsa ai përpiqet të sigurojë emërimin nga partia repubikane si kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Historiku i ngjarjeve

Në sistemin jo të drejpërdrejtë amerikan të zgjedhjeve presidenciale, votues në 50 shtete zgjedhin ata që quhen zgjedhësit e deleguar (elektorë), të cilët zotohen të votojnë për një kandidat të caktuar. Një kandidati i duhet të sigurojë votën e të paktën 270 elektorëve për t’u zgjedhur President. Votat e tyre numërohen dhe certifikohen nga Kongresi.

Zoti Trump dhe aleatët e tij pretendojnë se zgjedhjet u manupuluan pasi ai humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden.

Hetuesit e qarkut të Fultonit i kanë përqëndruar hetimet në dy raste kyçe.

Rasti i parë, i takon një telefonate të 2 janarit të vitit 2021, mes zotit Trump dhe sekretarit të shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger.

Në telefonatën e famshme, zoti Trump i kërkonte zotit Raffensperger të “gjente” vota të majftueshme për të përmbysur humbjen e tij ndaj zotit Biden.

“Dua thjesht të gjej 11780 vota”, tha ish-Presidenti Trump gjatë telefonatës.

Ai u shpreh gjithashtu se “Raffensperger dhe prokurori i tij mund të përballeshin me akuza penale për mos “raportim” të vjedhjeve të votave në Xhorxhia”, çka zoti Raffensperger e mori si “kërcënim”.

Telefonata u krye pasi zyrtarët zgjedhorë në Xhorxhia kishin rinumëruar dhe certifikuar votat.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm që zoti Trump iu drejtua zyrtarëve më të lartë të Xhorxhias. Ai telefonoi gjithashtu edhe guvernatorin Brian Kemp, duke i bërë thirrje që të thërriste një seancë të posçame të legjislaturës së Xhorxhias që të kryente hetime mbi vjedhjen e zgjedhjeve.

Zoti Trump dhe aleatët e tij, përfshirë zotin Giuliani, akuzuan dy punonjëse që janë marrë me administrimin e zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias, se kishin manipuluar votat në favor të zotit Biden.

Akuzat e rreme çuan në kërcënimin e dy grave nga qindra mbështetës të zotit Trump, sipas gjetjeve të një hetimi nga Kongresi.

Gjatë një paraqitjeje në gjykatë këtë javë, zoti Giuliani nuk e kundërshtoi faktin se deklaratat e tij ndaj grave ishin “të rreme”.

Hetimi

Prokurorja Willis njoftoi nisjen e hetimeve në shkurt të vitit 2021, vetëm pak kohë pasi zoti Trump ishte larguar nga detyra. Ajo tha se po hetonte “përpjekjet për të ndikuar në zgjedhje”, duke cituar vepra të mundshme, mes tyre kërkesa për manipulim të zgjedhjeve.

Rinumërimi i votave në Atlanta të Xhorxhias.

Për të mbledhur provat, zonja Willis mblodhi një juri të madhe të posaçme vitin e kaluar, e cila dëgjoi dëshmitë e 75 dëshmitarëve, përfshirë avokatë dhe bashkëpunëtorë të zotit Trump.

Por juritë e mëdha për çështje të posaçme nuk kanë fuqi që të ngrenë akuza. Prandaj, javën e kaluar ajo ngriti një juri të madhe, të rregullt, për këtë qëllim.

Akuzat e mundshme

Kur njoftoi nisjen e çështjes, zonja Willis numëroi një numër shkeljesh ligjore për të cilat ajo kërkonte të zhvillonte hetime, si : përpjekje për manipulim të zgjedhjeve, shantazh, deklarata të rreme ndaj institucioneve qeveritare qendrore dhe vendore, komplot, shpërdorim detyre dhe çdo rast dhune apo kërcënimi ndaj administratës zgjedhore.

Zonja Willis ka qenë e heshtur deri tani lidhur me akuzat që mund të ngrejë. Por ekspertë ligjorë thonë se ajo mund të ndjekë dy rrugë: ndaj zotit Trump dhe të tjerëve mund të ngrihën një sërë akuzash për manipulim të zgjedhjeve dhe frikësim. Këto mund të përfshijnë kërkesën ndaj zyrtarëve për të manipuluar votat dhe frikësimin e punonjësve zgjedhorë.

Alternativa tjetër është që hetuesit të ngrenë një aktpadi për krim përmes frikësimit, duke e akuzuar zotin Trump dhe aleatët e tij për përfshirë në një “sipërmarrje kriminale” për të përmbysur zgjedhjet në Xhorxhia, tha zoti Kreis.

Dënimi i parashikuar për këtë akuzë është nga 5 deri në 20 vjet, shumë më tepër se sa veprat që lidhen me manipulimin zgjedhor.

Të pandehurit e mundshëm

Rreth 20 persona të cilët kanë qenë të përfshirë në fushatën zgjedhor të vitit 2020, të zotit Trump, është njoftuar se janë vënë në dijeni se janë nën hetim.

Këtu përfshihen edhe 16 “elektorë alternativë”, të udhëhequr nga ish drejtuesi republikan në Xhorxhia, David Shafer, i cili dyshohet se orkestroi skemën.

Të paktën 8 elektorë kanë siguruar mbrojtje nga hetimi në këmbim të dhënies së dëshmive.

Siç njoftoi avokati i tij vitin e kaluar, objekt i hetimit, është edhe zoti Giuliani.

Persona të tjerë, në shënjestër të prokurorës Willis, janë edhe ish shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të Presidentit Trump, Mark Meadows, i cili u bë pjesë e telefonatës me zyrtarët zgjedhorë të Xhorxhias dhe Jeffrey Clark, një ish zyrtar i Departamentit të Drejtësisë i cili përgatiti një letër të pautorizuar për zyrtarët e Xhorxhias ku pretendonte në mënyrë të rremë se Departamenti i Drejtësisë “kishte identifikuar shqetësime serioze” rreth rezultatit të zgjedhjeve.

Po ashtu, njoftohet se prokurorja Willis, po heton edhe veprimet e disa ish avokatëve të zotit Trump, përfshirë John Eastman dhe Cleta Mitchell.

Të gjithë emrat e mësipërm i kanë hedhur poshtë akuzat për shkelje ligjore në Xhorxhia.

Mbetet e paqartë se kush do të përballet me akuza. Në një intervistë me rrjetin NBC News, në shkurt, Emily Kohrs, e cila kryesoi jurinë e madhe të posaçme, tha se anëtarët e jurisë kishin sugjeruar ngritjen e akuzave ndaj më shumë se 12 personave.

Mbrojtja e Donald Trump

Mbrojtja e ish presidentit Donald Trump pritet të përqëndrohet tek qëllimi, një faktor kyç për të provuar manipulimin zgjedhor dhe akuza të tjera të mundshme.

Ai mund të pretendojë se telefonata me zotin Raffensperger ishte një përpjekje e sinqertë për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve, jo manipulim, apo frikësim.

“Mendoj se argumenti i tij kryesore do te jetë se ai nuk po angazhohej në ndonjë përpjekje për të mashtruar ndokënd, se ishin ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën si po mbaheshin zgjedhjet në Xhorxhia dhe në shume shtete të tjera dhe se ai po i trajtonte këto pretendime në gjykatë duke përdorur avokatët e tij dhe një proces ligjor”, tha John Malcom, ekspert ligjor në Fondacionin Heritage.

Por hetuesit mund japin kundër-argumentin se Departamenti i Drejtësisë i kishte thënë zotit Trump se nuk kishte patur manipulim, por ai përsëri gënjeu mbi këtë.

Qëllimi i tij për të bërë diçka të paligjshme mund të dallohet nga padija dhe verbëria e tij e vullnetshme ndaj të vërtetës dhe nga refuzimi i tij për të pranuar të vërtetën”, tha zoti Kreis.

Sa i takon avokatëve dhe elektorëve, ata kanë mbrojtjen e tyre.

Avokatët mund të thonë se thjesht po jepnin këshilla ligjore, që nuk përbën krim, edhe nëse janë të gabuara, sipas zotit Malcom.

Elektorët kanë thënë se votat e tyre kanë qenë “pjesë e detyrës së tyre” dhe se nuk kanë bërë asgjë të paligjshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat