Emërimi si kandidat për president është një betejë për delegatët e konventave kombëtare

Amerika

Emërimi si kandidat për president është një betejë për delegatët e konventave kombëtare

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 18:37
Foto ilustrim

Deri më tani, amerikanët duhet ta dinë fort mirë se procesi i zgjedhjes së një presidenti nuk është si të zgjedhësh një senator apo guvernator. Një gjë të tillë e konfirmojnë më së miri, zgjedhjet paraprake presidenciale, gjatë të cilave partitë kryesore politike, përdorin një sistem kompleks dhe të decentralizuar, për të zgjedhur të emëruarit e tyre për garën që mbahet në nëntor.

Ky proces i ndërlikuar u vu re në planin e publikuar të martën në mbrëmje nga Komiteti Kombëtar Republikan, që parashtron mënyra të shumta nëpërmjet të cilave shtetet do të caktojnë delegatët që një kandidat duhet të sigurojë, për të fituar zgjedhjet brenda partisë, e për t'u bërë kandidati zyrtar i saj për president për vitin 2024.

Megjithëse zgjedhësit në të gjithë vendin votojnë për kandidatin e tyre të preferuar presidencial gjatë zgjedhjeve paraprake, në fakt janë delegatët në konventat kombëtare të dy partive, që zgjedhin të emëruarin për president për secilën forcë politike.

Ashtu si në zgjedhjet e përgjithshme, ku një kandidati i nevojitet shumica e votave në Kolegjin Elektoral, për të fituar Shtëpinë e Bardhë, në zgjedhjet paraprake, kandidatët kanë nevojë për shumicën e votave të delegatëve në konventë, për të fituar emërimin.

Fitorja e votës popullore në zgjedhjet paraprake ose në kuvendet partiake mund t'i sigurojë një kandidati vëmendje mediatike, por jo fitoren për garën e nëntorit. Është kandidati që grumbullon shumicën e delegatëve ai që kalon në zgjedhjet e përgjithshme.

Çfarë është një delegat?

Në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale, delegatët janë individë që përfaqësojnë shtetin ose komunitetin e tyre në konventën kombëtare të partisë qe zgjedh kandidatin zyrtar për president. Janë delegatët ata që zgjedhin një kandidat presidencial për të përfaqësuar partinë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Delegatët janë anëtarë të partisë ose mbështetës të hershëm të një kandidati të caktuar për president.

Sa delegatë janë?

Të dyja konventat kombëtare, ajo demokrate dhe ajo republikane do të kenë me mijëra delegatë që përfaqësojnë të 50 shtetet plus kryeqytetin Uashingtonin dhe disa territore amerikane. Demokratët do të kenë rreth 3,900 delegatë për votimin e parë në konventë dhe më shumë se 4,600 për raundet e mëpasshme të votimit, nëse do të jetë e nevojshme. Republikanët do të kenë 2,429 delegatë të cilët do te votojnë në konventë.

Llojet e delegatëve

Delegatët ndahen në dy kategori të mëdha: ata që janë angazhuar për të mbështetur një kandidat të caktuar dhe ata që janë të papërcaktuar.

Delegatët e angazhuar, duhet të votojnë për një kandidat të caktuar presidencial në konventë, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve paraprake ose kuvendeve partiake në shtetin e tyre. Kërkesa për të votuar një kandidat specifik, lidhet kryesisht me raundin e parë të votimi të konventës dhe në varësi të rregullave të shtetit dhe atyre partisë, disa delegatë të angazhuar mund të jenë të lirë të votojnë për çdo kandidat në raundet e mëpasshme të votimit.

Delegatët e angazhuar ndahen më tej në delegatë të përgjithshëm dhe delegatë të distriktit. Delegatët e përgjithshëm, përfaqësojnë të gjithë shtetin, ndërsa delegatët e distrikteve përfaqësojnë rrethe specifike brenda shtetit. Demokratët kanë edhe një lloj tjetër delegati të angazhuar ndaj një kandidati, që republikanët nuk e kanë: udhëheqësit e partive dhe zyrtarët e zgjedhur. Këta të fundit janë zyrtarë të njohur lokalë të zgjedhur e të partisë, por jo guvernatorë ose anëtarë të Senatit apo Dhomës së Përfaqësueve në Kongres.

Delegatët e paangazhuar, ose të papërcaktuar mund të mbështesin çdo kandidat presidencial, pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve paraprake apo të kuvendeve partiake në nivel shtetëror. Tek demokratët, delegatët e pazotuar, nuk marrin pjesë në votimin e parë kur bëhej fjala në një garë të ngushtë, por janë të lirë të votojnë për çdo kandidat në raundet e mëpasshme të votimit. Demokratët e miratuan këtë rregull pas zgjedhjeve të vitit 2016, për të kufizuar fuqinë e delegatëve të paangazhuar, të njohur më parë si "superdelegatët". Të gjithë guvernatorët demokratë, senatorët dhe ligjvënësit amerikanë, kryetarët aktualë dhe ish-kryetarët e Komitetit Kombëtar Demokrat si dhe ish-presidentët shërbejnë si delegatë të pazotuar.

Për republikanët, delegatët nga Guami, Montana, Nju Meksiko dhe Dakota e Jugut, konsiderohen të papërcaktuar dhe janë të lirë të votojnë për kandidatin që duan, sipas planeve të publikuara të martën.

Si i ‘fiton’ delegatët një kandidat?

Kandidatët i fitojnë delegatët në një shtet bazuar në paraqitjen e tyre në aktivitete që lidhen me zgjedhjet presidenciale, zakonisht zgjedhjet paraprake ose kuvendet partiake në nivel shteti. Dy partitë e mëdha kanë qasje shumë të ndryshme në përcaktimin e saktë se si ndahen delegatët për kandidatët.

Si i shpërndajnë republikanët delegatët?

Për republikanët, strukturat e partisë në nivel shtetëror janë kryesisht të lira në përcaktimin e delegatëve për kandidatët presidencialë, megjithëse Komiteti Kombëtar Republikan vendos disa udhëzime dhe kufizime. Metodat më të zakonshme të shpërndarjes së delegatëve janë:

Metoda proporcionale; kandidatëve u jepen delegatë në përpjesëtim me votat që ata marrin në zgjedhjet paraprake ose kuvendet e partive. Disa shtete i ndajnë të gjithë delegatët e tyre në proporcion me votën mbarëkombëtare. Të tjerët caktojnë vetëm delegatët e tyre në nivel shtetëror bazuar ne rezultatin në nivel shtetëror dhe delegatët e distrikteve të tyre sipas votës në çdo qark. Shumë shtete kërkojnë që kandidatët të plotësojnë një prag të caktuar votash në nivel shtetëror ose në nivel qarku, për të siguruar delegateë. Sipas rregullave të Komitetit Kombëtar Republikan, shtetet që zhvillojnë gara para 15 marsit duhet të përdorin një metodë proporcionale të shpërndarjes së delegatëve dhe mund të përdorin një prag prej jo më shumë se 20% votash, që një kandidat të kualifikohet për delegatë.

Fituesi i merr të gjitha; kandidati që merr më shumë vota në zgjedhjet paraprake ose kuvendeve partiake, fiton të gjithë kandidatët e atij shteti. Vetëm garat e mbajtura më 15 mars ose më vonë, mund t’i caktojnë delegatët mbi bazën e kësaj formule.

Metoda hibride; disa shtete caktojnë delegatët duke përdorur një përzierje mes metodës proporcionale dhe asaj që fituesi i merr të gjithë (delegatët).

Zgjedhja e drejtpërdrejtë e delegatëve; sipas kësaj metode, delegatët zgjidhen drejtpërdrejt nga votuesit.

Si i ndajnë demokratët delegatët?

Ndryshe nga republikanët, demokratët kanë një rregull të standardizuar që duhet të respektojnë të gjitha strukturat e partisë në nivel shtetëror. Kandidatët fitojnë delegatë të përgjithshëm si dhe ata që janë udhëheqës partish e zyrtarë në proporcion me votat e marra në nivel shtetëror. Ata gjithashtu fitojnë delegatët e distrikteve, në përpjesëtim me votat e marra në çdo distrikt. Kandidatët duhet të sigurojnë të paktën 15% të votave në nivel shteti për t'u kualifikuar për delegate të përgjithshëm dhe të paktën 15% të votave në një district, për t'u kualifikuar për delegatë në atë qark.

Kur ndahen delegatët e parë?

Procesi i përzgjedhjes së delegatëve republikanë do të fillojë me kuvendin e Ajoas më 15 janar dhe zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër më 23 janar. Nevada dhe Karolina e Jugut do të zhvillojnë garat për zgjedhjen e delegatëve në muajin shkurt. Sipas rregullave të partisë, procesi i përzgjedhjes së delegatëve demokratë fillon me zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut më 3 shkurt, duke u pasuar nga Nevada dhe Miçigani që do të zhvillojnë gara më vonë po atë muaj. Në Nju Hempshër demokratët do të zhvillojë zgjedhje paraprake më 23 janar në kundërshtim me rregullat e Komitetit Kombëtar Demokrat. Kjo e fundit nuk ka bërë të ditur nëse dhe si kjo do të ndikojë kjo gjë në ndarjen e delegatëve të këtij shteti. Pjesa më e madhe e garave demokrate dhe republikane, do të zhvillohen mes muajit mars dhe qershor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat