Argjentina merr huanë më të madhe në histori nga FMN-ja, por me kushte

Amerika

Argjentina merr huanë më të madhe në histori nga FMN-ja, por me kushte

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 11:16
Christine Lagarde

Harrojeni Greqinë! Argjentina bëhet vendi që merr huanë më të madhe ndonjëherë në historinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, me synimin për të shpëtuar financat e trazuara të vendit. Bëhet fjalë për plot 57.1 miliardë dollarë, që do të disbursohet përgjatë tri viteve të ardhshme.

“Kjo është huaja më e madhe në historinë e FMN-së”, deklaroi të mërkurën drejtoresha Christine Lagarde, teksa njoftohej marrëveshja përfundimtare për huadhënien në Nju Jork.

Huaja, një pjesë 15 miliardëshe është marrë tashmë nga Argjentina, vjen me kushte tejet të forta shtrënguese, përfshi zotimin për deficit zero për vitin 2019.

Argjentina kishte siguruar fillimisht një marrëveshje 50 miliardë dollarëshe pas negociatave të qershorit, kur vendi i Amerikës Jugore po luftonte me krizën e thellë të monedhës vendase dhe inflacionit dyshifror.

Por, ministri i Ekonomisë, Nicolas Dujovne tha se në minutën e fundit FMN-ja ra dakord ta rriste paketën e huadhënies edhe me 7.1 miliardë të tjera.

Lagarde tha se, si pjesë e marrëveshjes, Banka Qendrore argjentinase ka rënë dakord të ndërhyjë në tregjet monetare vetëm në rrethana ekstreme, teksa huaja e re do të ndihmojë qeverinë e vendit amerikano-latin të përballojë sfidat.

Marrëveshja do t’i lejojë Bankës Qendrore të Argjentinës të ndërhyjë për stabilizimin e monedhës, nëse peso zhvlerësohet nën nivelin e këmbimit 1 dollar me 44 peso. Aktualisht kursi i këmbimit është 39 peso për një dollar, pasi monedha vendase humbi rreth 50 për qind të vlerës prej fillimit të vitit.

Marrëveshja u njoftua vetëm një ditë pasi presidenti i Bankës Qendrore të Argjentinës, Nicolas Caputo dha dorëheqjen e papritur, siç raportohet për shkak të mosmarrëveshjeve me udhëzimet e FMN-së që kufizonte ndërhyrjet e bankës në të ardhmen për të shpëtuar peson.

Mijëra argjentinas iu bashkuan protestave mbarëkombëtare gjatë së martës, kundër situatës së rëndë ekonomike dhe kundër masave tejet shtrëguese të Mauricio Macrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat