Ismail Kadare dhe “Notre Dame” dekada më parë

Amerika

Ismail Kadare dhe “Notre Dame” dekada më parë

Nga: Gjekë Gjonlekaji Më: 25 prill 2019 Në ora: 18:24
Ismail Kadare

Javën e kaluar botën e qytetëruar e kishte kapluar paniku nga zjarri katastrofik në katedralen Notre Dame të Parisit. Kjo botë u tronditë si asnjëherë në historinë e njerëzimit. Fakti që ky tmerr u shkaktua një javë para Pashkëve shkaktoi një ankth të paparë për besimtarët e krishterë dhe më gjerë.
Zoti bëri mrekullinë e vetë, pasi që askush prej zjarrfikëseve nuk humbi jetën në këtë ferr përmasash vullkanike.

Në fund të dhjetorit 1994, unë dhe miku im Palokë Vulaj vizituam Ismail dhe Helena Kadarenë në Paris.Gjatë tri ditëve sa kaluam në qytet, ne ishim dy tri herë mysafirë në shtëpinë e tyre për dreka dhe darka. Na bënë një pritje shumë të ngrohtë që nuk e harrojmë kurrë.

Helena kishte përgatitur ushqime të mrekullueshme, bile edhe të traditës shqiptare siç ishte lakrori.

Ismaili kishte zgjedhur verën e preferuar për të cilën kishte shije edhe Paloka ngase kishte një përvojë të gjatë në biznesin e restoranteve në New York. Para se të uleshim në tryezën e darkës Ismaili më pyeti: "Kush ulet në krye të vendit sipas Kanunit të Lekës" ?

Une iu përgjigja: "sipas Kanunit në krye të vendit ulet miku. Kadare tha se: "këtu në Paris në krye të vendit në sofër ulet i zoti i shtëpisë." Atëherë iu luta të ulej dhe shtova:" siç është vendi bëhet kuvendi".

Ismail Kadare kishte njohuri të shkëlqyeshme për Kodin Shqiptar të Lekës. Ai mund të fliste orë të tëra për nene të ndryshme të këtij Kodi. E nderonte si të ishte një dokument biblik. Kurrë në jetë nuk kam takuar shqiptarë dhe as të huaj që kishin aq shumë respekt për Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Edhe fjalimin që kishte mbajtur në Legjionin Francez të Nderit (Legion d’honneur) në rastin e ceremonisë së pranimit në vitin 1996. Fjalimin e tij e kishte filluar duke cituar nenin e Kanunit të Lekës: "Dy gisht nder, në lule te ballit na i ka dhanë i Lumi Zot". Gjatë darkës biseduam për Parisin duke e pyetur për qendrat më artistike dhe historike të atij qyteti.

Zotni Kadare na sugjeroi të vizitojmë katedralen Notre Dame dhe shtoi se është një mrekulli për besimtarët, për artet dhe për kulturën. Na sugjeroi edhe disa qendra të tjera. Gjithashtu na jepte edhe udhëzime për udhëtime në metro e nëntokës së Parisit. Poeti dhe shkrimtari i madh francez Viktor Hugo kishte lënë shkrime të mrekullueshme për katedralen Notre Dame.

Ato ditë pas atij zjarri të hatashëm shtypi dhe shumë mjete të informacionit e citonin V. Hygon për shkrimet e tij. Javën e kaluar mu kujtuan vargjet poetike monumentale të poetit dhe shkrimtarit tonë gjenial ku përmendet katedralja Notre Dame. Kjo poezi është botuar në vëllimin 11, me titull : “Poezi(1957-1997)”, nga Shtëpia botuese Fayard, Paris 2002.

Këto vargje poetike janë hyjnore dhe historike, kurrëgjë më pak se ato të Viktor Hugos. Kjo tregon se kush ishte Ismail Kadare 32 vjet më parë kur në atdheun e tij sundonte diktatura staliniste e Enver Hoxhës. Mr. Kadare ishte në atë kohë si një trëndafil i vetëm në shkretëtirën e Saharës, do të thoshte analisti i përmendur i çështjes shqiptare Anton Logoreci.

Kjo poezi titullohet " E diel e pashkëve në Paris prill 1987".

Kambanat qenë të gjitha brenda meje.
Megjithatë i llahtarisur brofa
Nga shtrati.
Timpani gati po më çahej

Në shtratin ngjitur po flinte ime shoqe
E qetë krejtësisht
Ndihej që s'kishte
Asgjë ndërgjegjeshpuese që ta trembte:
Blasfeme, vjersha, britma në plenume,
Dhe deklarata kundër fesë.

Ato po më shurdhonin...Megjithatë
Me zë të ulët, me një mënyrë të vjetër
(Mënyrë e vjetër, ah plot mall),
I thirra:
<<Ngrehu, ime zonjë, se mesha ka filluar. >>
Kështu u ngritëm, ajo e qetë, unë i çakërdisur.
Në metro <<Motte Piquet>>,thellë nën dhe të errët.
 

Në <<Concorde>>ndërruam stacion.
Nëpër nëntokë
Porsi Virgjili treni elektrik më udhëhiqte.

Kambanat plot qortim po më shurdhonin
(Plot pesë i kishin shkuar që kur arbëreshët
Mbi supe kishin i mbartur ndërsa iknin
Nga vendi i tyre, të ndjekur prej Islamit).

Por hija e tyre m' rëndë se bronzi qe
Mbi shpinën time sot në metro të Parisit.
Kështu, gati, më dysh i kërrusur, dola.
Në tokë mu në këmbë te Notre Dame.

Atje qirinjtë digjeshin pa fund
E midis tyre, midis mijërave prej tyre,
M'u bë se pashë flakën e zbehtë
Të humburit, dikur të krishterit, shpirtit tim

Pavarësisht se nuk kisha folur këto javët e fundit me Kadaretë në Paris, jam shumë i bindur se ata e përjetuan rëndë katastrofën e katedrales Notre Dame. Ata janë qytetarë shumë të nderuar të Parisit. Kurdo përmendet Parisi shkon mendja te Ismail dhe Helena Kadare. Ky shënim dhe poezia e Ismail Kadaresë për Notre Dame botohet në javë, që është koha midis Pashkëve katolike dhe ortodokse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat