Zeneli: S’mund të flitet për stabilitet të Ballkanit derisa Serbia nuk e njeh Kosovën

Amerika

Zeneli: S’mund të flitet për stabilitet të Ballkanit derisa Serbia nuk e njeh Kosovën

Nga: Beqir Sina - New York Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 19:34
Xheladin Zeneli

Iniciativa për krijimin e një Mini-Shengeni në Ballkan nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk po gjen mbështetje të plotë në Ballkanin Perëndimor, thote Xheladin Zeneli raporton Bota sot.

Në takimin e dytë të mbajtur para pak ditësh në Ohër rreth kësaj çështjeje Kosova nuk mori pjesë fare, kurse Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, ndonëse morën pjesë, nuk u përfaqësuan në nivel presidentësh ose kryeministrash. Lidhur me takimin e Ohrit së fundi është deklaruar edhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, lideri i LVV-së Albin Kurti, i cili ka thënë se ngutia që Samiti i Ohrit të mbahej në kohën kur dihej që Kosova nuk do të merrte pjesë ka qenë i gabueshëm.

Përkundër faktit se nisma për krijimin e mini-Shengenit Ballkanik është  iniciativë e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit, sipas njohësit të rrethanave politike në Mal të Zi, Xheladin Zeneli, i cili para shumë vitesh ishte zgjedhur deputet i parlamentit në këtë shtet, ajo nuk mund të quhet nismë rajonale pasi që shtetet e tjera (që gjeografikisht i takojnë kësaj pjese të Ballkanit) ose nuk janë të përfshira ose kanë rezervime dhe dyshime për këtë nismë dhe refuzojnë të jenë pjesë e saj, si në rastin e Kosovës.

Ai me këtë rast ka thënë se është paradoks që të flitet për një nismë të tillë në një rajon të cilit i mungon normaliteti dhe stabiliteti politik. 

“Nuk mund të flitet për këte normalitet apo stabilitet për rajonin e Ballkanit Perëndimor derisa Serbia nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Nuk mund të flitet për normalitet derisa Serbia nuk ballafaqohet me të kaluarën e vet si vend i cili shkaktoi luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi dhe si e tillë nuk mban përgjegjësi  për krimet dhe vrasjet ndaj popujvë të tjerë në këtë pjesë të Ballkanit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Përmes një integrimi rajonal sipas tij po tentohet të rehabilitohet e kaluara e Serbisë. E tërë kësaj, siç Zeneli është shprehur, po i del në ndihmë edhe kryeministri i Shqipërisë. 

“Me keqardhje mund të konstatojmë se këtij rehabilitimi po i ndihmon edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes nismës në fjalë”, ka potencuar ai.

Ndaj, Zeneli ka konsideruar se Kosova me plot të drejtë e ka refuzuar pjesëmarrjen e saj në takimin e Ohrit për shkak të Serbisë, e cila ende refuzon ta njohë Kosovën si shtet. 

Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes së Malit të Zi me një përfaqësuese të nivelit ministror në Samitin e Ohrit dhe jo në nivel të kryeministrit, kjo sipas Zenelit tregon një qasje të rezervuar të këtij shteti lidhur me këtë nismë. 

“Kur Mali  i Zi mban rezervime lidhur me këtë grupim rajonal, ku një ndër nismëtarët e këtij mini-Shengeni është Serbia, me të cilën Mali i Zi ndan historinë, traditën dhe kulturën e përbashkët, atëherë çfarë mund të thuhet për Kosovën apo edhe për shqiptarët në përgjithësi në rajon të cilët kanë një histori kaq të hidhur me Serbinë”, ka vazhduar ish-deputeti Zeneli. 

Ndaj Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vend që të angazhohet në nisma të njëanshme e kontradiktore me kryeministrin e Serbisë Vuçiq dhe atë të Maqedonisë Veriore - Zaev, për formimin e të ashtuquajturit Mini-Shengen Ballkanik, sipas Zenelit do të do të duhej që së pari të angazhohej për koordinim të qëndrimeve me Kosovën përmes një strategjie të përbashkët veprimi në raport me politikat rajonale.

“Kur është në pyetje formimi i grupimeve apo mini-shengeneve rajonale, përfshirja e Shqipërisë në ato pa Kosovën apo anasjelltas - përfshirja e Kosovës pa Shqipërinë, është tepër e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të rënda në dëm të interesit tonë kombëtar. 

Fqinjët tanë sllavë tashmë janë të vetëdijshëm për faktin se shqiptarët me dy shtetet e tyre janë fuqi reale në rajon dhe faktor i pamohueshëm politik në këtë pjesë të Ballkanit, por vetëm kur veprojnë në mënyrë të bashkuar dhe me një vizion të përbashkët kombëtar”, ka nënvizuar Zeneli./Bota sot/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat