Ndërroi jetë dom Gjergj Simoni, një nga dëshmitarët e fundit të martirizimit të Kishës në Shqipëri

Amerika

Ndërroi jetë dom Gjergj Simoni, një nga dëshmitarët e fundit të martirizimit të Kishës në Shqipëri

Më: 28 janar 2022 Në ora: 16:41
Foto nga ceremonia

Ndёrroi jetё dom Gjergj Simoni, një nga dëshmitarët e fundit të martirizimit të Kishës katolike gjatë regjimit komunist. Ishte 89-vjeç. "Due vetëm një gëzim që sa herë shpirtit i thamë: Në krahë të Jezusit të jem, e s’due ma fort askënd...." pohon në një poezi të tij dom Gjergji. Mesha e Drites dhe Riti i Salikimit do të mbahet nesër, më 29 janar 2022, ora 11.00, pranë Kishës Katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër

“Të dashur Besimtarë, sot me datë 28 janar 2022, kaloi n’Amshim, Dom Gjergj Simoni, nji ndër dëshmitarët dhe bashkëvuejtësit me Martirët e Kishës katolike gjatë kohës së komunizmit. Pushofsh n’Lumninë e Krishtit t’cilit ia kushtove tanë jeten tande, i dashtun Dom Gjergj, vazhdo e lutu për ne e për Kishën n’Shqipni”.

Ky, lajmërimi për humbjen e Meshtarit, që i shërbeu deri në fund të fundit Kishës së Krishtit, së cilës ia kushtoi gjithë jetën. Jetë e kaluar më shumë në qeli, sesa në liri! Jetë njerëzore e meshtarake e jetuar ndër altare të fshehura, në skutat e shtëpisë a në biruca burgjesh. U dënua nga diktatura komuniste me 10 vite për agjitacion e propagandë, të cilat i vuajti në Ballsh, Spaç e Qafë-Bari.

Mesha e Drites dhe Riti i Salikimit do të mbahet nesër, më 29 janar 2022, ora 11.00, pranë Kishës Katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër.

Takim me “një dosje”

Pak kohë para se të ndahej nga jeta, 30 vjet mbas lirimit nga burgu, Meshtari mundi të shfletojë dosjen e tij, “të ruajtur” nga Sigurimi i Shtetit.  Autoriteti i Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i dorëzoi Dom Gjergj Simonit dosjen mbi dënimin e tij nga regjimi monist. Rilexoi kështu, jo pa ngushëllim, fjalët që i pati shqiptuar në hetuesi, e edhe në sallën e gjyqit, ku pati deklaruar me guxim se udhëheqja komuniste ishte tradhtare e kombit. Dom Gjergj Simoni është edhe ndër meshtarët e parë që u shugurua në fillim të viteve ’90. Ndër të parët, që nisi shërbesat në disa famulli. E edhe që nisi të botojë shkrimet e fshehura ndër skuta deri në çastet e rënies së komunizmit.

Gjergj Simoni lindi më 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës, në një familje me origjinë qytetare e me banim në lagjen “Arra e Madhe”. Gjyshi i Gjergjit, Simon Moni, ishte tregtar në  pazarin e Shkodrës (në Bezisten). I ati, Kolë Simoni, trashëgoi zanatin e t’et, tregtinë. Por për të erdhën kohë të vështira. Falimentoi. E familja ra në varfëri të plotë. Në këtë gjendje ekonomike Kol Simoni dhe bashkëshortja e tij, Gjyste Ugashi, i lindën dhe i rritën tre fëmijët e tyre, Zefin, Gjergjin dhe vajzën e vetme, Çiljetën.

Dom Gjergj Simoni kujtonte: “Tue kenë se të dy prindët tonë ishin besimtarë të devoçëm të fesë sonë katolike, si vëllaun tem, Zefin, ashtu dhe mue, na patën çue për me mësue në Kolegjin e Fretënve.

Por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si unë ashtu dhe vëllau, Zefi, u detyruem me ba punë të ndryshme për me mbajtë familjen e vorfën. Kështu nuk mundëm të vazhdojmë rregullisht studimet Teologjike, gja që ishte edhe e ndalueme prej pushtetit komunist.

Por tue kenë të brumosun e të devotshëm për fenë katolike, si im vella, Zefi, ashtu dhe unë, morëm mshehtas mësimet fetare nga Pater Mark Harapi S.J. e Pater Aleks Baqli, OFM.

Im vëlla, Zefi, mundi me u shugurue mshehtas si meshtar në vitin 1961, në Arqipeshkvinë e Shkodrës, por pa mujtë me e ushtrue haptaz misionin meshtarak. Kështuqë u detyrue me  vijue studimet e nalta në Institutin e Gjuhë-Letërsisë e, si i pati krye, të punonte si mësues në shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës.

"Ndërsa unë për vite, deri ditën që kjeshë arrestue, pata punue në punë të ndryshme si punëtor, edhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës”, kujtonte dom Gjergj Simoni për të kaluarën e familjes dhe peripecitë e tij e të vëllait i cili, pak mbasi doli nga burgu, jetoi çka as ëndërruar nuk e kishte: “U shugurua Ipeshkëv nga Papa Gjon Pali II, në praninë e vëllait e motrës, që kishin vuajtur aq shumë, bashkë me të”.

Atëhere dy vëllezërit nisën lirisht misionin e tyre, e njëkohësiht edhe pasionin e tyre: ishin të dy meshtarë e shkrimtarë, që lanë pas disa vepra të botuara. Po kujtojmë këtu një katren domethënës nga poezia e Tij:

“Prandaj ta mendojn’ mirë se jam si ma e forta digë

E mbi valë t’ lumit do të di vargje të shkruej

Me fuqinë e ernave, kur janë në stuhi,

Për shekujt që do të vijnë kjo tokë do t’i ruej”.

Imzot Massafra: vdekja e dom Gjergj Simonit, humbje e madhe

Kryeipeshkvi Metropolit i Shkodёr-Pultit, Imzot Angelo Massafra thotë se vdekja e dom Gjergj Simonit ёshtё humbje e madhe, ndërsa jeta e tij, thesar i çmuar pёr Kishёn e pёr tё gjithё shqiptarët. Imzot Massafra kujton dёshminё e çmuar tё dom Gjergj Simonit, si në kohёn e kalvarit qё kaloi populli dhe Kisha nё periudhёn e persekutimit komunist, ashtu edhe  misionin dhe shёrbimin e tij tё palodhur, pas diktaturёs, pёr rimkёmbjen e Kishёs e tё vendit.

Imzot Massafra, nё mikrofonin e redakisё shqipe tё Radio Vatikanit:

Dom Gjergj Simoni qe njёri nga dёgjuesit mё besnik e tё dashur tё Radio Vatikanit, qysh nё kohёn e vёshtira tё regjimit komunist e edhe pas rёnies sё diktaturёs. Po kёshtu, shpesh, nё mikrofonin tonё rrёfeu pёr kalvarin e popullit  e tё Kishёs, si dhe pёr dёshminё e jashtёzakonshme tё shumё martirёve: tё dёgjojmё njё fragmanent shkёputur nga njёra prej intervista tona tё shumta me dom Gjergj Simonin:

Njё fragmanent shkёputur nga njёra prej intervista tona tё shumta dome dom Gjergj Simonin

Curriculum vitæ e Dom Gjergj Simonit

Dom Gjergj Simoni, ka lindur në Shkodër më 08.12.1933, në një familje qytetare shkodrane. I rritur në një mjedis katolik e me prindër të devotshëm fetarë. Që në moshë të vogël, ka pasur thirrje të brendshme për t’ju kushtuar Zotit, e cila me kalimin e viteve ka ardhur duke u shtuar pa pasur asnjë lëkundje. Duke qenë se Kisha Katolike në Shqipëri pësoi përsekutime që në ditët e para të ardhjes së komunizmit, me mbylljen e seminarit, nxjerrjen e motrave prej kuvendeve, arrestimin e pothuajse e të gjithë meshtarëve dhe pushkatimin e shumë prej tyre, i bëri studimet për meshtar në mënyrë të fshehtë. Gjatë viteve të mëvonshme ka punuar punë të ndryshme si nëpunës, por në të shumtën e viteve si punëtor krahu deri në gushtin e vitit 1976, kur u arrestua nga forcat e Sigurimit.

Natën e Pashkëve të vitit 1977 doli në gjyq dhe u dënua me akuzën e të ashtëquajtur "agjitacion i mbyllur" dhe në pretence Prokurori e dënoi me 10 vjet burg. Arsyeja e dënimit ishte se në oborrin e shtëpisë së tij kishte groposur librat më të zgjedhur të Arqipeshkëvisë dhe objekte të Shenjta marrë fshehtas para se të mbylleshin kishat. Po ashtu, në dhe kishte futur edhe shkrimet e vëllait të tij, Imzot Zef Simoni.

Githashtu ka fshehur nën dhe edhe dorëshkrimet e Padër Mark Harapi S.J., të Padër Benedikt Dema, si dhe qindra vjersha dhe poezi të shkruara gjatë viteve prej tij. Midis tyre dallohet poema satirike me titull "Letra e Luciferrit drejtuar popullit Shqiptar", ku në fund ka vendosur shenimin: Luçiferri = Enver Hoxha. Në vitin 1985 është liruar nga burgu, pas kalvarit që e shoqëroi në tre kampe burgu; Ballsh, Qafë e Barit dhe Spaç. Mbas muajve të lirimit ka hyrë në punë si punëtor dhe ka punuar kështu deri në muajt e para të vitit 1991. Me riardhjen e lirisë së fesë në Shqipëri, më 21 prill 1991 është shuguruar meshtar nga Imzot Nikoll Troshani. Për një vit ka shërbyer në qytetin e Shkodrës dhe është emëruar famullitar i Dajçit të Bregut të Bunës dhe administrator i famullisë së Pentarit në shtatorin e 1992.

Eshtë meshtar i parë i shuguruar mbas mbylljes së Kishave. Përveç shërbimeve fetare të përditshme, është marrë edhe me sistemimin vëllimeve me poezi gjithashtu ka shkruar tregime të shkurtra me kujtime nga koha në burg.

Falënderojmë Zotin për dhuratën që i ka bërë Kishës së Hyjit që është në Shqipëri për këtë vëlla meshtar, për besnikërinë e tij, për zellin e tij meshtarak dhe për dëshminë e jetës së tij ofruar Hyjit dhe Kishës.

Image
Foto nga ceremonia
Image
Foto nga ceremonia

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat