A po krijohet “republika serbe” në Kosovë?

Amerika

A po krijohet “republika serbe” në Kosovë?

Nga: Shaqir Salihu Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 17:07
Foto ilustrim

Javën e parë të Nëntorit mora një lajm të hidhur. Motra ime e dashur kishte pësuar një goditje në tru dhe e kishin çuar urgjentisht në spitalin publik në Prishtinë. Pa u menduar shumë gjeta një biletë dhe udhëtova për në Kosovë. 

Me të mbërritur në aeroportin e Prishtinës, ku më prisnin mbesat, shkova në këtë spital ku ishte shtruar motra fort e dashur, 86-vjeçare. Por ky spital, nëse mund të quhet spital, është në gjendje të mjerueshme. Më shumë i ngjan një spitali të luftës. Në një dhomë gjenden së paku tre pacientë. Kushtet atje janë vërtetë për të ardhur keq. Barnat që mjeku shkruan në recetë për pacientët duhet t’i blejnë të afërmit. Familjarët kujdesen për pacientët pothuajse për çdo gjë. Në dhomë nuk ka frigorifer. Për gjërat që duhet të mbahen të fresketa, ata hapin dritaren dhe i vënë mbi mur, tani që moti është i ftohtë. Nuk e di si ia bëjnë gjatë verës. 

Image
Foto e dërguar nga autori

Unë shkoja atje dy herë në ditë dhe më duhet të them se rojet ishin mjaft të arsyeshëm dhe me lejonin të hyja e të qëndroja pranë motrës shumë të sëmurë e madje pjesërisht e paralizuar. Kështu veprova për pesë a gjashtë ditë me radhë. Ditën e shtatë sapo hyra në dhomë, në fytyrat e mbesave shprehej një pakënaqësi e madhe. Mbi shtratin e motrës sime ishte fletëlëshimi për nxjerrjen e saj nga spitali. Kështu kishte vendosur shefi i shërbimit, neurologu Valdet Bajraktari. Madje ia kishin shkëputur edhe instalimet e të ushqyerit artificial (infuzionin), sepse ajo nuk hante ushqim të rregullt. Tani e kishin lënë edhe pa ushqim.

Të dashur miq, unë u tmerrova për çka pashë në këtë spital. U përpoqa të flas me mjeken e motrës Syzana Aliçkaj dhe shefin e këtij departamenti, Dr. Valdet Bajraktari. Ju shpjegova se jam shqiptar me banim në ShBA, por atje niveli i mëshirës, respektit dhe i fisnikërisë kishte rënë nën zero. Pas dy orësh motrën time plakë e palosën dyfish dhe e hodhën në një makinë të vogël të njërës prej vajzave të saj. Stafi i spitalit nuk pati mirësinë as ta ndihmonte me një veturë më të rehatshme për ta shoqëruar deri në shtëpi. Ishte në rrezik të vdiste rrugës për Janjevë, fshati ku ajo jeton tash 65  vjet. Kjo është gjendja e motrave dhe vëllezërve tanë të sëmurë në Kosovë; u shërove, nuk u shërove, nuk ka rëndësi, pas një jave, OUT…

DIisa fjalë për gjendjen politike në Kosovë

Në Ballkanin Perëndimor u ndërprenë luftërat, por mbetën shumë probleme të pazgjidhura. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në disa vende të tjera, si Bosnje, Serbi dhe Maqedoni e Veriut. Tash për tash lufta fizike ka përfunduar më 1999, por ka filluar një luftë e re, edhe më e vështirë. Ndërsa Kosova e fitoi luftën me armë në dorë, kuptohet me ndihmën e aleatëve tanë, posaçërisht atë të ShBA, tani duket sikur luftën e nervave dhe të diplomacisë po e humbet shumë shpejt. Për çdo natë në të gjitha rrjetet televizive, analistë të ndryshëm flasin për dialogun Kosovë-Serbi. Çdo njeri atje ka mendimin e vet rreth dialogut dhe po konsumohet shumë energji politike për këtë process, për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, një shtet terrorist, mbeturinë mesjetare e pajisur me armë moderne nga Rusia. 

Image
Foto e dërguar nga autori

 

Por si mund të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi kur për këtë punë të madhe, Bashkimi Evropian ka caktuar dy politikanë nga dy vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Këto janë, Spanja dhe Sllovakia, Joseph Borell dhe Mirosllav Lajçak. Për diplomatin sllovak, gazetari i shquar nga Kosova Enver Robelli pat shkruar këto me 24 Gusht: “Mirosllav Lajçak po sillet si lobist i Beogradit, por i maskuar si ‘ndërmjetësues i BE-së’. Si i tillë ai paraqet rrezik serioz për shtetësinë e Kosovës. I gjithë spektri politik i Kosovës duhet të dalë me një qëndrim unik kundër tendencave të tij, të cilat në thelb synojnë trajtimin e Kosovës si ‘shtet palestinez’. Propozimet e tij, hap pas hapi, shkojnë drejt themelimit të një ‘minirepublike serbe’ brenda Kosovës, që do të ishte një bombë e kurdisur.” 

Këta dy diplomatë pra, janë lobistë të përbetuar të Beogradit. Por edhe vetë Bashkimi Evropian nuk është serioz në këtë proces. Ai nuk është në gjendje të bindë pesë vende anëtare të BE-së për të njohur pavarësinë e Kosovës e gjoja po kërkon nga Serbia për ta njohur pavarsinë e Kosovës. Ky qëndrim i Bashkimit Evropian është neveritës dhe shumë qesharak. Por edhe politika e Shteteve të Bashkuara nuk është e qartë. Shtetet Bashkuara e kanë lënë Kosovën në mëshirë të dy lobistëve të Beogradit Lajçak dhe Borrel. Siç e dimë të gjithë, Shtetet e Bashkuara e krijuan këtë shtet të vogël pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe ishte e para që zyrtarisht e njohu pavarësinë që Kosova shpalli më 17 shkurt të vitit 2008. U gëzuam shumë që më në fund kemi një aleat të fortë strategjik. Ne menduam se pas gjithë asaj lufte 100-vjeçare e gjenocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, që shkaktoi me mijëra viktima, më në fund po krijojmë një shtet të vogël të pavarur ku do të jetojmë në paqe e t’i rrisim fëmijët tanë ashtu si popujt e gjithë botës. Por jo, për fatin shumë të keq tonin, Amerika nuk është ajo e vitit 1999 karshi Kosovës. A thua ShBA do të pranonte që për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez të emërohen dy politikanë, njëri iranian e tjetri sirian? Natyrisht që jo. Por në rastin e Kosovës po mban një qëndrim krejt ndryshe. Washingtoni po i mbështet diplomatët që vijnë nga vendet që nuk e njohin Kosovën. Të paktën unë mendoj kështu. Kur Amerika dhe Anglia e krijuan shtetin hebre, Izraelin në Lindjen e Mesme, kurrë nuk e braktisën. Atë e armatosin, e financojnë me gati pesë-gjashtë miliardë dollarë në vit nga fondi i Amerikës për vendet e jashtme dhe në Organizaten e Kombeve të Bashkuara i vënë veton çdo rezolute që mund ta dëmtojë shtetin izraelit. Kjo për fat të keq nuk po ndodh në rastin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhe i shpallin organizata terroriste të gjitha ato që shkaktojnë destabilizim në Lindjen e Mesme, siç është Hamasi, etj. 

Amerika dhe të gjitha vendet përendimore e dinë se Serbia ka krijuar banda terroriste në veri të Kosovës. Dhe sa herë që këto banda bëjnë veprime terroriste, Brukseli, Washingtoni, por edhe NATO-ja me nxitim u bëjnë thirrje të dy palëve për përmbajtje. A keni parë ndonjëherë kësi lloj qëndrimi  të mbrapshtë. Si Brukseli ashtu edhe Washigntoni e dinë fare mirë se kush është fajtori. Ata e dinë se këto banda i financon dhe i sponsorizon Serbia. Serbët në veri të Kosovës nuk paguajnë rrymën që e shpenzojnë, nuk paguajnë ujin, nuk paguajnë tatimet për pronat që posedojnë dhe përdorin targat e Serbisë. Dhe çfarë është edhe më keq, këto banda kryejnë akte terroriste, por perëndimi nuk i shpall kurrë si organizata terroriste por vazhdon t’i përkëdhelë. 

Unë e kuptoj se Ukraina ka më shumë rëndësi sepse është 20 herë më e madhe se Kosova, ama ata vetë e krijuan e tani po e lënë në baltë.  Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka krijuar një gjendje jo të favorshme për Kosovën. Ne menduam se Kosova, e cila u radhit me vendet perëndimore  menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë me 24 shkurt, duke mbështetur luftën e Ukrainës kundër Rusisë, do të përfitojë nga ky pozicion; do t’i shtohej rëndësia e saj strategjike. Por ndodhi e kundërta.. Nga kjo luftë ruso-ukrainase po përfiton Serbia, e cila mori anën e Rusisë dhe refuzoi të vendosë sanksione kundër saj. Po të radhitej Kosova në anën e Rusisë,  as që dua ta mendoj se sa keq do të reagonin kundër saj BE dhe ShBA. 

Vetëm para disa muajsh, i dërguari i posaçëm amerikan, Gabriel Escobar tha se nuk mund të formohet një shtet brenda një shteti tjetër. Këtu, ai po i referohej krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dhe ne e duartrokitëm këtë deklaratë. Por ky ndryshim qëndrimi i Shteteve të Bashkuara tani është vërtetë për të ardhur keq. Por jo edhe kaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi Christopher Hill, sa herë kur kthehet Aleksandar Vuçiqi nga ndonjë takim me dy lobistët e tij, Borell dhe Lajçak, një anë dhe në anën tjetër kryeministri i Kosovës, lavdëron Vuçiqin ( ish-zyrtarin e Sllobodan Millosheviqit) se gjoja Vuçiqi paska mbajtur qëndrim shumë konstruktiv, kurse Kurti jo. A keni parë ndonjë herë kësi lloj hipokrizie? A nuk e di zoti Hill se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është koka e terrorizmit shtetëror serb. Ai është shumë më i rrezikshëm për shqiptarët sesa Vasa Cubrilloviqi. T’u them të drejtën unë po turpërohem me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës. Një kthesë për 180 gradë. Diplomatët amerikanë i janë nënshtruar plotesisht Vuçiqit dhe çdo gjë që ai kërkon, Amerika e pranon. 

Duhet ta qartësoj një gjë. Unë jam shtetas amerikan qe nga vitit 1975. Këtu kam familjen, djalin, vajzën, nipa e mbesa dhe e duam Amerikën si vendlindjen time, Kosovën. por sinqerisht jam pak i zhgënjyer sepse Washingtoni po e perkëdhel shumë Beogradin. Mendoj gjithashtu se politikanët amerikanë nuk po e kuptojnë djallëzinë e politikës sllave. Sllavët nuk duhen përkëdhelur. Me sllavët vetem forca funksionon. E këtë gjë nuk po e di as ambasadori Hill e as i dërguari i posaçëm amerikan Gabriel Escobar. A nuk u mësua Washingtoni me propogandën dhe gënjeshtrat e Beogradit? Apo ende po beson se mund ta largojë Beogradin nga Moska. Ore, Beogradin nuk e largon asnjë investim i Brukselit ose Washingtonit. Mos hidhni fonde kot në Serbi. Ndalni investimet në këtë shtet terrorist. Ky shtet terrorist njeh vetem gjuhën e vitit 1999. Sa më shumë që e përkëdhelni, aq më i rrezikshëm bëhet.

Dhe lexues të dashur të këtij shkrimi, Escobar tha kohët e fundit se asociacionin e komunave serbe në veri do ta krijojmë në fillim të vitit të ardhshëm. Parashtrohet pyetja, a do të lejonte Washingtoni krijimin e një shteti të vogël palestinez brenda Izraelit? Kurrë. Krijimi i një Serbie të vogël në veri të Kosovës është vdekje e shtetit tonë për të cilin kemi derdhur aq shumë gjak. I bëj thirrje kryeministrit Kurti, apo kujtdo që të përfaqësojë Kosovën në këtë dialog, që mos të pranojë në asnjë mënyrë asociacionin. Më mirë do të kisha dhënë dorëheqje se sa të nënshkruaja një kapitulim të tillë. Çdo marrëveshje e keqe për Kosovën nuk duhet të nënshkruhet edhe nëse ajo mbështetet (përkrahet) nga Washingtoni. Jemi të vetëdijshëm se pa Shtetet e Bashkuara Kosova nuk mud të ekzistojë nuk mund të bëhet shtet funksional. Ajo nuk mund të bëhet shtet funksional as me një asociacion një-etnik e terrorist në veri. Atëherë si duhet vepruar në një situatë të tillë kur Vuçiqi po vazhdon të krijojë probleme në veri duke sulmuar policinë e Kosovës e madje edhe forcat e EULEX-it dhe KFOR-in. Çfarë duhët të bëjë Kosova në këtë situatë shumë të vështirë? A është perëndimi i gatshëm të hyjë edhe një herë në luftë për Kosovën tani që po ballafaqohet me luftën ruso-ukrainase. Unë nuk mendoj se perëndimi është i gatshëm të ndërhyjë ushtarakisht siç bëri më 1999. Dhe këtu qëndron problemi sepse terroristi Vuçiq e ka kuptuar ketë gjë dhe tani kërkon me çdo kusht ta aneksojë veriun e Kosovës duke shkaktuar tensione të vazhdueshme nëpërmjet organizatës së tij terroriste “Lista Serbe”në veri.

Kjo gjendje e rëndë në Kosovë është krijuar nga frika e rrjedhjes së luftës së Ukrainës në Ballkan. Lajçak (lobisti i Serbisë) po punon rëndë dhe siç duket ka njëfarë ndikimi tek Antony Blinken, i cili ende beson se Serbia do të integrohet në Bashkimin Evropian. Blinken e di gjithashtu që Vuçiqi po e kërkon Veriun e Kosovës dhe për hir të paqes, perëndimi mund edhe ta bëjë kurban veriun e Kosovës. Unë nuk habitem me sekretarin Blinken që po ngurron të ushtrojë trysni të madhe ndaj Serbisë, por habitem shumë me Presidentin Biden, për të cilin i gjithë komuniteti shqiptar në Amerikë ka bërë fushatë për zgjedhjen e tij. Ka shumë mundësi që sekretari Blinken nuk i raporton atij çdo gjë kur është fjala për Kosovën. Tani është detyrë e madhe e komunitetit tonë këtu në Washington që t’i themi zotit Biden, se Ju dhe sekretari juaj i Shtetit nuk jeni në të njëjtën faqe përsa i përket çështjes së Kosovës. Por edhe lobi shqiptar në Amerikë është paralizuar dhe është vënë në gjumë. Tani është koha që diaspora të organizohet urgjentisht dhe të organizojë demonstrata dhe veprimtari të ngjashme me ato të viteve 90.  Dua të theksojë edhe një gjë të rëndësishme për politikanët e Kosovës që mos të mendojnë se Anthony Blinken është Madelein Albright ose Gabriel Escobar Richard Holbrroke. Unë mendoj gjithashtu se edhe në rastin e ish-Presidentit Berisha në Shqipëri, zoti Blinken u ngut për ta shpallur atë “Persona Non-Grata”. Berisha ka bërë një mal gabimesh si politikan pa përvojë, por unë nuk mendoj se Berisha është më i korruptuar se kryeministri i tanishëm, Edi Rama. Tirana zyrtare kurrë nuk e ka ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj për pavarësi. Por nga gjithë udhëheqësit e Shqipërisë, Edi Rama ua tejkalon të gjithëve për qëndrimin e tij pro-serb. Beogradi gjithmonë e ka përdorur Tiranën për ta pasur më lehtë për të qeverisur Kosovën. Por Rama është shumë i rrezikshëm për Kosovën me të ashtuquajturin “Ballkani i Hapur” që nuk është gjë tjetër veçse një Jugosllavi e re me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjen Brenda, e me Beogradin kryeqytet. Sikur Shqipëria të ishte në anën e Kosovës, pozita e shqiptarëve në Ballkan do të ishte shumë e fuqishme e madje do të triumfonim. Por Beogradi kurrë nuk e lë Shqipërinë të marrë anën e Kosovës se kështu ka vepruar me të gjithë udhëheqësit shqiptarë.

PAK MJALTË NË FUND TË VIZITËS SIME

Tash dy vjet po përpiqem të takohem me ndonjë shok apo shoqe të rinisë së hershme në Prishtinë. Një shok i mirë e i ndershëm nga normalja e Prishtinës, Mujë S. Berisha më kishte kontaktuar nëpërmjet Facebook, por sa herë që vizitoja Kosovën gjithnjë me dilte diçka e jashtëzakonshme dhe nuk arrija ta takoja. Kësaj radhe e kontaktova dhe vendosëm të takohemi para fakultetit Filologiik në Prishtinë. Të dy pleq, nuk e njihnim njëri-tjetrin. Më në fund, Muja vendosi të më thërrasë “O Shaqir”. Kjo ishte e vetmja mënyrë për tu takuar me Mujën pas 60 vjetësh. Koha e kishte bërë të veten, Kishin kaluar 60 vite. U përqafuam fort dhe na pikën lotët. Ku shkuan gjithë ato vite o Mujë, i thashë. Shkuan, Shaqir, më tha Muja. Pa humbur kohë u ulëm në një kafe aty pranë Universitetit që frekuentohet nga gazetarë e shkrimtarë. Me Mujën ishim ndarë moti, qysh në vitin 1962 dhe shkuam në dy drejtime të ndryshme. Muja ka dhënë kontribut të madh në misionin e tij të shenjtë, në arsim. Kurse unë u plaka në mërgim. Mua më kishte dënuar fati që të jetoj në mërgim, jashtë atdheut që e duam aq shumë. Por as unë nuk ndenja duarkryq. Bëra aq sa kisha mundësi që individualisht , por edhe nëpërmjet Zërit të Amerikës të kontribuoj në sensibilizmin e çështjes sonë kombëtare.

Ky ishte një takim shumë emocional dhe prekës i dy shokëve të normales. Kishim shumë për t’i thenë njeri-tjetrit. Pati evokime kujtimesh të ditëve të rinisë. Në këtë fotografi para bustit të Milladin Popoviqit, ashtu quhej shkolla Normale atëhere. Ne bënim fotografi para këtij busti pa e ditur se kush ka qenë Milladin Popoviqi. Atëherë nuk e dinim pse ishte vrarë dhe kush e kishte vrarë. Ne nuk kishim dëgjuar as për vrasësin e tij Haki Tahën, githashtu një mësues nga Gjakova, anëtar i Ballit Kombëtar të Mithat Frashërit. Vallë si qenka jeta. Mjaft interesante. Atëherë ne fshatarët kishim pushtuar bodrumet e mykura të Prishtinës, por shumë entuziastë dhe optimistë për t’u kthyer në fshat për t’u mësuar fëmijve tanë ABC-në e Kongresit të Manastirit të vitit 1908. Manastiri sot ka mbetur në duar të sllavëve dhe është në gjendje të mjerueshme. Në të hyrë në këtë ndërtesë historike sheh shkronja cirilike sllave e shumë pak ato të Fishtës, Mjedës e Gurakuqit. Historia nuk u zhvillua në favorin tonë. Ende shumë probleme. Por me shokun tim të rinisë së hershme, Mujë Berishën u ndamë siç është në të mire dhe u përqafuam shumë me një premtim që të shihemi prapë sa here që unë të vizitoj Kosovën.

 ****

Po atë ditë kisha vendosur të kontaktoja edhe një shok tjetër nga normalja e Prishtinës e para viteve 60 . Ky ishte një shok tjetër po aq i çmuar dhe fisnik, Ismet Visoka. Me Ismetin u takuam para spitalit ku ishte shtrirë motra ime e dashur, Bedria. Edhe me Ismetin qe një takim shumë prekës dhe emocional. Takimi i parë pas 60 e ca vjetësh me Ismetin u bë në kohë kur kosovarët e blejnë dreken dhe Ismeti me veturën e tij na çoi në një restorant të mirë për të ngrënë. Aty shkëmbyem peripecitë e jetëve tona që ishin zhvilluar në dy drejtime të ndryshme. Ismeti e kishte braktisur shkollën e mësuesisë dhe ishtë futur në degen e tregtisë e ishte bëre një afarist shumë i suksesshëm. Edhe me Ismetin shkëmbyem libra. Unë i dhashë librin tim “Rrëfime Lirie”, kurse Ismeti ma dha një libër të dhëndërrit të tij anglez, Marc Weller, “Shtetësia e Kontestuar, Administrimi Ndërkombëtar i Luftës së Kosovës për pavarësi”. Një analizë shumë e qëlluar rreth zhvillimeve politike në Kosovë pas shpalljës së pavarësisë. Pas disa ditësh në Kosovë, herë te motra që ishtë e shtrirë nga sulmi i pamëshirshëm në tru e herë të pjesëtarët e tjerë të familjes në rrethin e Lipjanit, erdhi koha për t’u kthyer prapë në mërgim. Këtu ku dënimi i përjetshëm nuk përfundon kurrë dhe dashuria e malli për atdhe shtohen gjithnjë e më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat