Komuniteti shqiptaro-amerikan mban zi – ndërroi jetë kancelari i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, At Arthur Liolin

Amerika

Komuniteti shqiptaro-amerikan mban zi – ndërroi jetë kancelari i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, At Arthur Liolin

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 29 shtator 2023 Në ora: 18:08
Nënë Tereza

Sot u njoftua se shkoi në amshim At Arthur Liolin, Kancelari i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në Amerikë – njëri prej udhëheqësve më të dalluar fetarë shqiptaro-amerikanë, i njohur për aktivitetet e tija fetare dhe atdhetare, këto 50-vjet të fundit. At Liolini i përkiste breznisë vigane të komunitetit shqiptaro-amerikan të shekullit të kaluar, që nga Noli e Konica e deri më sot – duke vepruar sa pati mundësi – me vepra she me shkrime në mbrojtje të lirisë fetare dhe të drejtave të njeriut në Atdhe dhe në mbarë trojet shqiptare gjatë 50-viteve.

At Arthur Liolini ka lindur më 19 qershor, 1943 në Nju Jork, në një familje shqiptaro-amerikane me origjinë nga Boboshtica e Korçës. Në vitin 1967 ai ka mbarua studimet për degën Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin e njohur në Shtetet e bashkuara, “Princeton”. Në vitin 1970 u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu komunitetit shqiptar në kryekishën e Shën Gjergjit, të themleuar nga Emzot Fan Noli. At Liolini, vitin 1975 është emëruar Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Ortodokse në Amerikë, të cilës ai i shërbeu derisa ndërroi jetë. Gjatë shërbimit të tij në krye të grigjës orthodokse shqiptaro-amerikane, Atë Arthur Liolini gjallëroi jetën shpirtërore dhe zgjëroi veprimtaritë e komunitetit orthodoks shqiptar, sidomos në zonën veri-linodre të Shteteve të Bashkuara, nga Bostoni e deri në Nju Jork.

Me vdekjen e At Arthur Liolin zhduket pasardhësi i denjë i Peshkop Fan Nolit, themeluesit të Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra. Në një telegram ngushëllimi me këtë rast, Kryetari i saj, Elmi Berisha në emër të Federatës Pan-Shqiptare Vatra shprehet se, komuniteti shqiptaro-amerikan, “Gjithmonë do ta vlerësojmë e kurrë s'do ta harrojmë kontributin e jashtëzakonshëm të At Arthur Liolin për Kishën Ortodokse, komunitetin shqiptar dhe çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një shërbëtor i devotshëm i Perëndisë, një patriot i flaktë i kombit, një veprimtar e shërbestar sakrifikues i komunitetit shqiptar, pasardhësi i fundit i At Fan Nolit, la pas një trashëgimi të çmuar dhe një shembull të lartë fetarie e atdhedashurie”, thuhet në telegramin e Federatës Vatra në Nju Jork.

Ish-Kancelari i Kishës Ortodokse Shën Gjergji në Boston, i ndjeri At Arthur Liolin gjatë regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës shpesh fliste në mbrojtje të lirisë së fesë dhe bashkjetësës fetare ndër shqiptarët, si një e drejtë themelore e të drejtave të njeriut në përgjithësi. Në 40-vjetorin e fillimit të persekutimeve fetare në Shqipëri, ish-Kancelari i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë, At Liolini ka përshëndetur me atë rast pjesëmarrësit në ceremonitë përkujtimore mbajtur në Santa Klara të Kalifornisë më 1985, duke thënë se, “Liria e fesë dhe lutja e përbashkët është një prej të drejtave bazë të njeriut, e garantuar nga të gjitha shoqëritë e qytetëruara dhe entet ndërkombëtare në mbarë botën. Me këtë rast ne bejmë thirrje për drejtësi për vëllëzrit dhe mortat tone përtej oqeanit…Bashkohemi me besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë shqiptarë, madje edhe me ata që nuk besojnë për të venë në dukje tolerancën unike dhe respektin për njëri tjetrin, që populli ynë ka gëzuar me shekuj”, ka shkruar dikur At Liolini, në apelin e tij për liri fetare në Shqipërinë komuniste ateiste të Enver Hoxhës.

Familjes së nderuar të At Arthur Liolinit dhe Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston dhe më gjërë -- me rastin e vdekjes së Pasardhësit të të Madhit Peshkop Fan Nolit, të ndjerit At Arthur Liolinit -- u shprehi përdhimtimet e mia më të sinqerta për humbjen e njërit prej udhëheqësve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai pushoftë në paqën dhe në Dritën e amshuar -- në përjetësi të kujtimit mirënjohës për të gjitha që ai bëri gjatë jetës së tij, veçanërisht, në dobi të Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në Amerikë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat