SHBA/ New York: U zhvillua Maratona e Nju Jorkut 2023 TCS

Amerika

SHBA/ New York: U zhvillua Maratona e Nju Jorkut 2023 TCS

Nga: Beqir SINA - New York Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 20:40
U zhvillua Maratona e Nju Jorkut 2023 TCS

Nju Jork, (5 nëntor 2023) - Vetëm katër ditë më parë u mbyll edhe maratona më e madhe dhe më prestigjoze në botë, ajo e Nju Jorkut. Fituesi i këtij edicioni në këtë garë prestigjoze ishte Tamirat Tola. Maratona e Nju Jorkut, e cila është dhe më e bukura në botë, vendosi edhe disa rekorde botërore. Etiopiani Tamirat Tola është njeriu më i shpejtë në Maratonën e NYC.

“Njerëzit e Nju Jorkut janë të mahnitshëm që më japin mbështetje morale çdo kilometër. Faleminderit të gjithë njujorkezve”, tha Tola. “Ishin disa kilometra të gjata për të vrapuar i vetëm, por punoj shumë në stërvitje, kështu që jam i lumtur”.

Vrapuesi etiopian Tamirat Tola theu rekordin në Maratonën e Nju Jorkut të dielën me një kohë përfundimi prej 2 orë, 4 minuta dhe 58 sekonda.

Koha e Tolës ishte gjashtë sekonda më e shpejtë se koha e mëparshme rekorde e vendosur nga vrapuesi kenian Geoffrey Mutai në 2011.

Gara e femrave u dallua, me Hellen Obiri nga Kenia, ndersa ish-kampionja Sharon Lokedi nga Kenia dhe Letesenbet Gidey nga Etiopia gjatë gjithë garës ishin në “hap më hap” deri në këmbën e fundit të garës në Central Park, duke sfiduar njëra tjetrën.

Obiri fitoi epërsinë e sekondës së fundit për të fituar garën me kohën 2 orë, 27 minuta dhe 23 sekonda.

Një tjetër rekord i kësaj maratone u thye nga fituesja e divizionit të garave me karriget me rrota, për femra, Catherine Debrunner e Zvicrës me tre minuta para konkuruesve të tjera theu rekordin me 1 orë, 39 minuta dhe 32 sekonda.

Në garën e vrapuesve paralegjik, gjithashtu, u thye një lloj tjetër rekord nga Marcel Hug, po ashtu nga Zvicra, i cili fitoi garën e divizionit të karrigeve me rrota për meshkuj në 1:25:29 dhe theu rekordin për më shumë medalje në maratonën e Nju Jorkut, me gjashtë medalje gjithsej.

Albert Korir i Kenias, kampioni i vitit 2021, ishte kësaj radhe në vendin e dytë në 2:06:57 dhe Shura Kitata i Etiopisë, i cili është vendosur në top pesëshen në të katër paraqitjet e tij në Maratonën e Nju Jorkut të TCS, ishte i treti me 2:07: 11. Futsum Zienasellassie ishte amerikani më i mirë, duke përfunduar në vendin e 10-të me 2:12:09.

Në përpjekjen e saj të tretë në distancë, Keniasja Hellen Obiri lëshoi një goditje, me sprint në 400 metrat e fundit për të fituar garën e femrave në 2:27:23. Duke e bërë këtë, ajo u bë gruaja e parë në 34 vjet që fitoi Maratonën e Bostonit dhe të Nju Jorkut në të njëjtin vit kalendarik.

"Ndonjëherë kur hyni në një garë, ju thoni 'çdo gjë mund të ndodhë'. Por për mua, që stërvitem aq mirë, këtë e ka dhe gara,: 'Unë jam i fortë, besoj në atë që kam! Unë mendoj se ende kam diçka për të bërë, si të fitoj Olimpiadën, e Parisit” tha Obiri.

Letsenbet Gidey i Etiopisë – rekordi botëror në 10,000 metra dhe gjysmë maratonë – ishte e dyta me 2:27:29, i ndjekur nga Keniania, Sharon Lokedi, kampionja e vitit 2022, e cila ishte e treta me 2:27:33. Kellyn Taylor përfundoi si amerikanja më e mirë në vendin e tetë në 2:29:48. Kjo ishte maratona e saj e parë që nga dhjetori i kaluar.

Në divizionin e karrigeve me rrota profesionale, Hug fitoi një rekord të gjashtë të karrierës TCS në Maratonën e Nju Jorkut, duke përfshirë të gjashtë garat e Abbott World Marathon Majors në 2023, duke u bërë njeriu i parë që e bën këtë ndonjëherë. Ai fitoi në 1:25:29, vetëm tre sekonda larg rekordit të kursit të tij të vendosur në 2022.

“Sinqerisht, u përpoqa të mos e kisha këtë në mendjen time se mund të ishte fitorja e gjashtë këtu. Por tani ngadalë po e kuptoj atë që ndodhi dhe jam shumë, shumë i lumtur për këtë sezon dhe për këtë garë sot”, tha Hug.

Daniel Romanchuk nga Shtetet e Bashkuara ishte i dyti me 1:30:07, i ndjekur nga Jetze Plat i Holandës i treti me 1:34:22. Të tre burrat përfunduan në të njëjtat vende në podium vitin e kaluar.

Në divizionin e karrigeve me rrota për femra, Catherine Debrunner e Zvicrës fitoi debutimin e saj në Maratonën e Nju Jorkut TCS, duke vendosur një rekord të ri kursi në 1:39:32. Në fillim të këtij viti ajo theu rekordet e kursit në maratonën e Çikagos dhe Berlinit, ku vendosi edhe rekordin botëror të maratonës.

“Më duhet të them se është e vështirë për momentin të gjesh fjalë të mira për garën sepse ka qenë një vit përrallor me të gjitha rekordet dhe fitoret në maratonë. Ishte thjesht e mahnitshme. Unë me të vërtetë nuk kam fjalë për këtë, maratonë "tha Debrunner.

Bashkatdhetarja e saj zvicerane Manuela Schär përfundoi e dyta me 1:48:14 dhe kampionia e vitit të kaluar, Susannah Scaroni, ishte e treta me 1:48:14.

Për herë të parë, garat profesioniste të karrigeve me rrota për burra dhe gra në Maratonën e Nju Jorkut të TCS shërbyen si ngjarje e përzgjedhjes së maratonës së paraolimpikës së SHBA-së. Dy fituesit më të mirë amerikanë në garat me karrige me rrota - Daniel Romanchuk dhe Aaron Pike në kategorinë e meshkujve dhe Susannah Scaroni dhe Tatyana McFadden - fituan vende në ekipin olimpik të SHBA për në Lojërat Paralimpike Paris 2024.


Rreth 55,000 vrapues të tjerë morën pjesë në maratonën e Nju Korkut, - dhe qindra mijëra njujorkezë u rreshtuan në rrugët e pesë lagjeve ku u zhvillua maratona, për të parë duke inkurajuar dhe duke brohoritur në mbështetje, të të gjithë vrapuesve.

Vrapuesit e nisin garën e Maratonës së Nju Jorkut 2023, simbas traditës nga ishulli Staten Island, në pjesën e urës së famshme Verrazano Bridge, dhe kalojnë nëpër Brooklyn, në Forth Avenue në Bay Ridge.

Në Bay Ridge - ku vrapuesit hynë në Brooklyn, pasi kaluan urën Verrazzano-Narrows - një qytetare e kësaj lagjeje që ka ndjekur pothuajse çdo maratonë, tha se Maratona e Nju Jorkut, është bërë një traditë vjetore për Bruklinin dhe familjen e saj.

Një tjetër banor i Bay Ridge, në Brooklyn, Edward Civello, 63 vjeç, tha se ai ka dalë për të parë garat që kur ato filluan për herë të parë në vitin 1970.

“Është thjesht e mahnitshme. Thjesht fare tregon se çfarë është qyteti i Nju Jorkut dhe çfarë është komuniteti i Brooklyn-it, "tha Civello.

Rrugët në të gjithë qytetin mbetën të mbyllura për garën deri në pasditen e së dielës. Departamenti i Transportit i qytetit i rihapë rrugët në mënyrë të graduale dhe publikon një listë të plotë të orëve të mbylljes dhe hapjes së rrugve në të gjithë qytetin e Nju Korkut, në faqen e saj të internetit.

Maratona TCS e New York City 2023, maratona më e madhe dhe më e guximshme në botë, mirëpriti 55,000 vrapues nga rreth 150 vende dhe të 50 shtetet e SHBA. Si një nga ngjarjet sportive vjetore më të pritura dhe ikonike të qytetit, Maratona e qytetit të TCS në New York është pjesë e Abbott World Marathon Majors, një seri e përbërë nga gjashtë garat e gjata më të mëdha dhe më të njohura në botë - Tokio, Boston, Londër, Maratona e Çikagos, Berlinit dhe TCS New York City.

Nju Jorku shënoi ndalesën e fundit në Serinë XV të Abbott World Marathon Majors.

Image
U zhvillua Maratona e Nju Jorkut 2023 TCS
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat