Gjeopolitika e shëndetit publik: Pse SHBA-ja nuk duhet ta braktisë OBSH-në - Bota Sot
Gjeopolitika e shëndetit publik: Pse SHBA-ja nuk duhet ta braktisë OBSH-në

Analiza

Gjeopolitika e shëndetit publik: Pse SHBA-ja nuk duhet ta braktisë OBSH-në

Nga: Alex Berezow Më: 24 korrik 2020 Në ora: 16:05
OBSH

Në vitin 1958, Bashkimi Sovjetik propozoi një përpjekje globale për të zhdukur linë e dhenve, një sëmundje që vret afërsisht një të tretën e atyre që infekton, përfshirë 300 milionë njerëz vetëm në shekullin XX-të. Më 9 dhjetor 1979, kjo sëmundje e rrezikshme u zhduk plotësisht.

Kjo fitore e shëndetit publik – ndoshta më e madhja në historinë e njerëzimit – nuk do të ishte e mundur pa përpjekjet e Organizatës Botërore të Shëndetit të OKB, e cila koordinoi fushatën e imunizimit. Por nga ana tjetër rëndësia e kësaj arritje – zhdukja e një mikrobi – nuk mund të mbivlerësohet.

Si një rregull i përgjithshëm,  që një sëmundje infektive të jetë e zhdukshme, duhet të ekzistojë një mënyrë për ta trajtuar ose parandaluar atë (për shembull përmes një vaksine) për ta ndalur përhapjen e saj. Ndërkohë, ndihmon nëse sëmundja ka një gamë të kufizuar bartësish, dhe nuk mbijeton tek kafshët të tjera apo në mjedis.

Lija infekton vetëm njerëzit, gjë që e bëri atë një objektiv ideal për zhdukjen e tij. Aktualisht, të paktën 5 sëmundje infektive janë në prag të zhdukjes:poliomieliti, fruthi, shytat, rubeola dhe drakunculiasis (krimbi i Guinesë). Por shkenca, teknologjia dhe politikat e shëndetit publik nuk janë të mjaftueshme.

Kërkohet edhe një vullnet politik, që luan rolin jetik të vëmendjes dhe garantimit të burimeve për një periudhë afatgjatë. Megjithatë, shumë vende sillen shpesh sikur kanë pak nxitje për të kuruar sëmundjet jashtë kufijve të tyre, sidomos nëse janë në anën tjetër të planetit.

Dhe kjo është e arsyeshme; prioriteti kryesor i çdo shteti është vetë-ruajtja. Por kjo është gjithashtu një qasje dritëshkurtër. Siç e kemi mësuar, disa viruse janë gjithmonë problemi i dikujt tjetër, derisa ato depërtojnë diku tjetër.

OBSH-ja është ajo që mbyll hendekun midis kombeve të pasura, të cilat janë në gjendje të ndihmojnë, por shpesh nuk e ndjejnë urgjencën për të vepruar, dhe atyre të varfra, të cilat e ndjejnë urgjencën për të vepruar, por nuk janë në gjendje që ta bëjnë këtë.

Ideja për themelimin e OBSH-së lindi në të njëjtën konferencë të vitit 1945 që çoi në krijimin e Kombeve të Bashkuara. Ideja u propozua nga delegacionet e Brazilit dhe Kinës, të cilat deklaruan:”Mjekësia është një nga shtyllat e paqes!”. Organizata u themelua zyrtarisht 3 vjet më vonë.

Por kontradiktat për financimin dhe ndikimin mbi të u shfaqën shumë shpejt. Bashkimi Sovjetik u tërhoq në vitin 1949, pasi besonte se SHBA-ja kishte shumë ndikim tek OBSH-ja, por  u ribashkua në vitin 1956. Në atë kohë Stalini kishte vdekur, dhe Nikita Hrushovi i shtriu Uashingtonit dorën e paqtimit.

64 vjet më vonë po ndodh një situatë paralele:SHBA-ja ka nisur procesin e tërheqjes nga organizata, pasi beson se Kina ka shumë ndikim. Natyrisht, OBSH nuk mund të jetojë përgjithmonë me lavditë e së kaluarës. Bota në të cilën ajo u krijua nuk ekziston më.

Rendi i pas Luftës së Dytë Botërore ka marrë fund, dhe besimi tek bashkëpunimi ndërkombëtar ka rënë. Ideologjia që bëri bashkë dikur shumë vende, po zëvendësohet sot me më shumë strategji nacionaliste. Dhe më e rëndësishmja:OBSH-ja ka nevojë për një reformë kulturore, fiskale, dhe për më shumë përgjegjshmëri. Si çdo institucion, është një organ i politizuar që vuan nga skleroza institucionale dhe mosbesimi.

Associated Press raportoi  se gjatë vitit të fundit, OBSH shpenzoi rreth 200 milionë dollarë për udhëtime, përfshirë qëndrimin në hotele me 5 yje dhe fluturimet në klasin e biznesit. Pra më shumë sesa shpenzoi për të luftuar sëmundje si SIDA, hepatiti, malaria dhe tuberkulozi të marra së bashku.

Edhe një raport i fundit, tregoi se kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Agjensia Ndërkombëtare e Kërkimit mbi Kancerin, një grup brenda OBSH-së, është akuzuar për manipulim të raporteve shkencore, për të arritur në konkluzione të paracaktuara që i shërbejnë interesit financiar personal të të paktën njërit nga drejtuesit e saj.

Thirrjet për reforma në OBSH, janë të vjetra. Adam Kamradt-Skot përshkruan në një analizë disa gabime të mëdha që çuan në keq-menaxhimin nga ana e organizatës të pandemisë së gripit H1N1 në vitin 2009, dhe në shpërthimin epidemik të Ebolës në vitin 2014.

Në rastin e parë, OBSH donte të shmangte termin “Gripi Meksikan” duke zgjedhur termin “Gripi i Derrit”, një politikë që solli një eliminim masiv të derrave, dhe ndalimin nga shumë vende të importit të produkteve të derrit. Në rastin e dytë,  raporti vëren se një hetim i veçantë i Associated Press zbuloi se OBSH vonoi ta shpallte Ebolën një emergjencë ndërkombëtare, pasi “kjo mund zemëronte vendet e përfshira, dëmtonte industrinë e tyre minerare, apo kufizonte pelegrinazhin e myslimanëve në Mekë”.

OBSH-ja i dha sërish përparësi politikës mbi shëndetin global, kur u akuzua më vonë se vonoi paralajmërimet në lidhje me Covid-19, për të mos zemëruar presidentin kinez Xi Jinping. Një artikull në “American Journal of Public Health”, shprehej së fundmi se “sukseset e OBSH-së janë monumentale, por po kështu edhe dështimet e saj”.

Por a është kjo një arsye e fortë, që SHBA-ja të tërhiqet prej saj? Mendimet mbi këtë çështje variojnë, por ajo që nuk diskutohet është se SHBA-ja do ta humbë vendin e saj në tryezën e agjencisë më të madhe shëndetësore në botë, dhe bashkë me të çdo lloj ndikimi që kishte brenda organizatës.

Nga ana tjetër pavarësisht të metave në punën e OBSH, përfitimet e SHBA-së prej saj janë të qarta. Mbikëqyrja e sëmundjeve, monitorimi i popullatës për shenja shqetësuese të epidemive, apo testimi i kafshëve për infeksione të mundshme që mund të “kalojnë” tek njerëzit kërkon përpjekje të koordinuara.

SHBA-ja  nuk mund ta bëjë vetë këtë gjë; pasi kërkon rrjete, burime dhe personel të gjerë OJQ, të cilat mund t’i garantojë vetëm një organizatë ndërkombëtare. Për më tepër, kërkimet bio-mjekësore amerikane janë thellësisht të integruara me OBSH.

SHBA-ja ka 83 qendra që bashkëpunojnë me OBSH, përfshirë Qendrën e Kërkimit mbi Kancerin Fred Hatçinson në Siatëll. Kritikët e OBSH, mund të thonë se këto funksione mund të kryhen nga një organizatë tjetër, por është e paqartë kush mund të jetë ajo.

Kërkimi shkencor është një përpjekje ndërkombëtare, dhe rrjedhimisht ai përfiton nga ekzistenca e organeve ndërkombëtare që e lehtësojnë bashkëpunimin. Fondacioni “Bill & Melinda Gates”, që ka një mision të ngjashëm me atë të OBSH-së, ishte burimi i dytë më i madh i financimit të organizatës për periudhën  2018-2019.

SHBA ishte financuesja kryesore. Natyrisht, nëse Fondacioni Gates është i gatshëm t’i japë më shumë para OBSH-së se çdo vend në planet, përveç SHBA-së, ai sheh qartazi një përfitim të dukshëm. Për më tepër, çdo organizatë që mund të bëhet mjaftueshëm e madhe për t’i zënë vendin OBSH, në fund do t’i nënshtrohet të njëjtave probleme të sklerozës dhe pjekurisë institucionale.

Është si Ligji i Mërfit, që zbatohen për njerëzit në grupe të mëdha. Kostot e qëndrimit në OBSH janë minimale. Kontributi financiar i qeverisë amerikane – rreth 893 milionë dollarë – është i papërfillshëm në buxhetin e saj federal. Kostoja e vetme, është frustimi nga një marrëdhënie me një grup të gjerë palësh të interesuara, në një institucion shumëpalësh që varet nga fondet e SHBA, dhe që herë pas here provokon atë, një temë që mezi tërheq vëmendjen e mediave amerikane.

Ky vështirë se është një debat moral. Shëndeti publik është jetik për një ekonomi, sikurse e ka bërë të dukshme edhe përvoja jonë me koronavirusin. Një ekonomi e shëndetshme, predikohet për një popullatë të shëndetshme, puna dhe kapitali i së cilës janë thelbësore për aktivitetin ekonomik. Nga ana tjetër, siguria kombëtare dhe stabiliteti rajonal, predikohen për ekonomitë e shëndetshme.

Qëndrimi i SHBA si anëtare e OBSH-së, është në përputhje me interesin e saj gjeopolitik afatgjatë. Edhe nëse do të tërhiqej, SHBA-ja ka të ngjarë ta kuptonte gabimin dhe të ribashkohej në një kohë të mëvonshme. Politikat agresive dhe fushatat zgjedhore, nuk i ndryshojnë këto realitete bazike. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat