Ku gabuan qeveritë dhe çfarë duhet të bëjnë tani

Analiza

Ku gabuan qeveritë dhe çfarë duhet të bëjnë tani

Nga: Mohamed A. El-Erian Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 06:09
Foto ilustrim

Pavarësisht kthesës mbresëlënëse të situatës në Kinë, dhe në disa vende të tjera aziatike, shpresat për një rimëkëmbje në formë V-je për ekonominë globale, i kanë lënë vendin realizmit se ritmi i rritjes ekonomike është duke humbur. Edhe më shqetësues është rreziku i një recesioni të dyfishtë në disa vende evropiane.

Kuptimi se pse po ndodh kjo, dhe reagimi në përputhje me rrethanat, do të përcaktojë në një pjesë të madhe, nëse:në pritje të zbulimit dhe shpërndarjes masive të një vaksine, ekonomia botërore do përballet me një panoramë edhe më të pasigurt, ndoshta duke kërcënuar edhe rimëkëmbjen e Azisë.

Pesë leksionet që po dalin në pah nga Evropa kanë një rëndësi më të gjerë, veçanërisht për SHBA:

Vala e dytë e Covid-19, po përhapet shumë më shpejt, sesa prisnin shumica e qeverive.

Rritja e rasteve, mundet dhe në fakt e mbingarkon lehtësisht sistemin e testimeve dhe gjurmimit të kontakteve.

Rritja e rasteve,sjell shtimin e shtrimeve në spital, duke futur shpejt në kolaps kapacitetin e sistemit shëndetësor.

Qeveritë ndihen të detyruara të veprojnë, pavarësisht nga kostoja politike.

Qasjet analitike më elegante, përfshirë fokusimin tek ‘vatrat e nxehta’ apo rajonet specifike, janë dëshmuar të vështira në praktikë, çka ka sjellë një rikthim në kufizimet kombëtare në disa vende.

Situata është e ndërlikuar edhe nga kompleksiteti i gjërave me të cilat përballen demokracitë liberale në përmbushjen e njëkohshme të 3 objektivave:një shëndet publik optimal, rikthim të ndërveprimeve ekonomike dhe sociale më normale,dhe respektimin e lirive personale për të punuar, udhëtuar dhe bashkëvepruar në aspektin social.

Kësaj i shtohet natyra shumë e pabarabartë e ndërprerjeve të shkaktuara nga Covid-19, me segmentet më të pafavorshme socio-ekonomike të popullsisë, që kanë marrë një pjesë disproporcionale të goditjes mbi shëndetin, të ardhurat, pasurinë dhe mundësitë.

Pastaj është koncepti i një “vere të shpërdoruar”. Ndërsa kemi parë përparime inkurajuese në zhvillimin e trajtimeve terapeutike dhe vaksinave, ato nuk kompensojnë në mënyrën e duhur progresin e pamjaftueshëm në përpjekjet për të pasur sisteme më të forta testimi dhe gjurmimi, që mund të identifikojnë dhe izolojnë shpejt individët e infektuar, dhe të kufizojnë rreziqet që ata paraqesin për veten dhe të tjerët.

Ky raund i dytë i bllokimeve kombëtare, do të ndryshojë në 4 mënyra nga ai i nisur në mars: Do të jetë më pak universal, me shkollat ​​dhe aktivitetet prodhuese që do të vijojnë aktivitetin për aq kohë sa të jetë e mundur; do të jetë më pak uniform në të gjitha vendet; ka të ngjarë të jetë më i vështirë për familjet në nevojë, teksa qeveritë do të jenë të paafta ose jo të gatshme të përsërisin paketat e mëdha të lehtësimit fiskal, që e zbutën disi goditjen herën e fundit; dhe këto bllokime do të përballen me një rezistencë shumë më të hershme nga segmente të pakënaqura të popullsisë.

Sfida për qeveritë është tani e dyfishtë. Së pari, ato duhet të bindin qytetarët e tyre se kjo periudhë e fundit e ndërprerjes së jetës së tyre normale do të jetë e vlefshme, dhe do të sjellë shpejt një progres real drejt sigurimit të një rihapje të shëndetshme ekonomike, e cila mund të ruhet edhe para pasjes së një vaksine efektive.

Së dyti, qeveritë do të duhet të përfitojnë nga rënia e mundshme e infeksioneve pas bllokimit, për të forcuar ndjeshëm sistemet e testimit dhe gjurmimit, ndërsa të identifikojnë dhe fokusojnë vëmendjen tek grupet më të prekshme nga pikëpamja mjekësore.

Dhe deri sa të mbërrihet aty ka shumë rreziqe. Sa më shumë vende të përsërisin ciklin e rihapjeve të paqëndrueshme, aq më i madh do jetë dëmi ekonomik, përfshirë falimentimet në rritje, papunësinë afatgjatë dhe rritjen e pasigurisë ekonomike midis familjeve. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat