Piktura e Monet vendos rekord të ri botëror

Art

Piktura e Monet vendos rekord të ri botëror

Më: 15 maj 2019 Në ora: 10:42
Piktura e Monet

Një vepër e piktorit francez Claude Monet është blerë për plot 110.7 milionë dollarë në ankand, duke vendosur kështu një rekord të ri botëror.

Monet e kishte përfunduar pikturën e tij në vitin 1890, si pjesë e serisë së quajtur “Meules” (mullarët e kashtës), duke përshkruar kështu jetën rurale pranë shtëpisë së tij në rajonin e Normandisë.

Shitja rezulton gjithashtu rekord edhe sepse është hera e parë që një pikturë impresionisti kalon shifrën e 100 milionë dollarëve.

Herën e fundit që e njëjta pikturë ishte nxjerrë në ankand ishte viti 1986, kur u shit për vetëm 2.5 milionë dollarë.

Deri atëherë, piktura ishte në duart e një familjeje që e kishte blerë atë drejtpërdrejt nga tregtari i kontraktuar nga artisti, prej gati një shekulli. Deklarata për shtyp e shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s” thekson se piktura listohet tashmë në vendin e 9 sa u përket veprave më të shtrenjta të shitura përmes ankandeve.

Blerësi i saj raportohet të ketë mposhtur 5 oferta të tjera në ankandin e zhvilluar në Nju Jork, megjithatë “Sotheby’s” nuk e identifikon me emër atë.

Seria “Meules” e Monet ka 25 piktura në total, shumica e të cilave është e shfaqur nëpër galeritë e arteve anembanë botës. Kjo e sotmja është një nga 4 punimet e tij gjithsej që janë nxjerrë në ankand gjatë këtij shekulli. Vepra e fundit më e shtrenjtë e Monet ka qenë “Nympheas en fleur”, e cila u shit për 84.7 milionë dollarë në maj të vitit 2018.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat