Duja: Kosova si shtet nuk e ka asnjë stadium sipas standardeve! 

Atletika

Duja: Kosova si shtet nuk e ka asnjë stadium sipas standardeve! 

Nga: Kemajl Goca Më: 13 gusht 2020 Në ora: 14:52
Duja: Kosova si shtet nuk e ka asnjë stadium sipas standardeve! 

Atletika është prej sporteve që po ballafaqohet më probleme të mëdha sa i përket infrastrukturës sportive! 

Përveç klubeve nga Mitrovica që e kanë shtegun me tartan për stërvitje (nëse i lejojnë që ta shfrytëzojnë maksimalisht), me përjashtim edhe në Gjilan, klubet tjera stërviten ashtu si munden dhe në kushte të vështira. 

Selektori i Kombëtares së Kosovës në atletikë, Bajram Duja, është shprehur i kënaqur me rrjedhën e garave të deritashme por brengën më të madhe e ka te infrastrukturës në atletikë.   

Image

“Bota sot”: Si e sheh edicionin e ri deri me tash, a ka shkaktuar probleme pandemia dhe sa jeni i kënaqur me atletët e atletet në përgjithësi?

Bajram Duja: Si në gjithë botën edhe tek ne pandemia ka shkaktuar mjaft probleme. Një kohë bukur të gjatë atletët dhe trajnerët nuk kanë pasur mundësi ta zhvillojnë procesin stërvitor. 
Shumica e atletëve dhe trajnerët stërvitjet i kanë përshtatur në kushte të shtëpisë, gjë e cila në atletikë ka pak efekt, për shkak të specifikave të sportit të atletikës.

Megjithatë pas lirimit të masave kufizuese nga qeveria, kanë filluar stërvitjet normale duke i respektuar rekomandimet e IKShPK-së. Nën organizimin e Federatës Atletike të Kosovës janë mbajtur 8 gara, 2 mitingje, garat e kupës dhe kampionatet individuale për të gjitha grupmoshat, për pionierë, juniorë dhe seniorë. Në këto gara janë arritur rezultate shumë të mira, në krahasim me gjendjen aktuale. Ka pas rekorde shtetërore dhe personale tek disa atletë.

Problemin më të madh se me koronë e kemi me mungesën e infrastrukturës për stërvitje dhe gara. 
Kosova si shtet nuk e ka asnjë stadium i cili i plotëson standardet për zhvillimin e garave. 

Në stadiumin Olimpik "Adem Jashari" edhe pse është shtruar pista e re nuk i plotëson kushtet për gara. 
Është shtruar tartani me kualitet të dobët dhe për një kohë të shkurtër në shumicën e vendeve është ngritë dhe është dëmtuar.

Në krahasim me kushtet materiale, teknike dhe infrastrukturore që i kemi, jemi mirë me rezultate në krahasim me shtetet e rajonit.

“Bota sot”: A pritet së shpejti të grumbullohet Kombëtarja e Kosovës dhe a ka ndonjë talent e talente që ka dalur në sipërfaqe gjatë këtij edicioni, si dhe çfarë i duhet më shumë atletikës?
Bajram Duja:
Përveç kampionateve Ballkanike të gjitha garat tjera janë shty për vitin tjetër. Kampionatet Ballkanike janë planifikuar të mbahen në muajin shtator. Mbajtja e këtyre garave nuk është e sigurtë. Kampionati ballkanik për moshën U-18 është planifikuar të mbahet në Serbi, i cili për shkak të situatës është anuluar.

Për juniorë është planifikuar të mbahet në Turqi, për shkak të përkeqësimit të situatës me Covid 19, nuk është e sigurt që do të mbahet. Kampionati për seniorë është planifikuar të mbahet në Rumuni. Kam informacion që për shkak të problemeve teknike, nuk është e sigurt mbajtja e garave. Për kampionatin ballkanik për seniorë, Federata Ballkanike e Atletikes ka kërkuar nga Federata Atletike e Kosovës numrin e pjesëmarrësve.

Unë në cilësi të selektorit do ti propozoj atletët të cilët i kane mbërri normat për pjesëmarrje për Kampionatin Ballkanik për seniorë. Do të mundohem ti përzgjedhi më të mirët, të cilët kemi shpresë se do ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht. Në fund, do të përgatitem për Kampionatin Ballkanik në Gjysmë Maratonë, garë e cila pritet të mbahet me 23.08.2020 në Zagreb te Kroacisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat