Koreja e Veriut lëshon një tjetër raketë, akuzon Seulin për antagonizëm

Azia

Koreja e Veriut lëshon një tjetër raketë, akuzon Seulin për antagonizëm

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 16:18

Të martën Pheniani zhvilloi një tjetër provë me raketë, e treta brenda një muaji. Prova u krye disa minuta para se ambasadori i Koresë së Veriut të mbante një fjalim përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjatë të cilit akuzoi Korenë e Jugut për qasje armiqësore.

Raketa u lëshua sot në drejtim të brigjeve lindore të Koresë së Veriut rreth orës 6:40 të mëngjesit me orën lokale, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut, e cila monitoron këto aktivitete.

Sipas zyrtarëve japonezë të mbrojtjes prova dukej se përfshinte një raketë të vetme balistike.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketa "dyshohet të jetë me rreze të shkurtër veprimi" dhe u lëshua nga Mupyong-ri i provincës Jagang të Koresë së Veriut. Bëhet fjalë për të njëjtën zonë nga e cila Pheniani lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale në korrik të vitit 2017.

Prej rifillimit të provave me raketa balistike në vitin 2019, Koreja e Veriut ka lëshuar zakonisht dy raketa njëkohësisht. Në pjesën më të madhe bëhej fjalë për raketa me rreze të shkurtër veprimi, shumica e të cilave të lëshuara nga sisteme mund të hedhin disa raketa në të njëjtën kohë.

Disa analistë të mbrojtjes hodhën dyshime se lëshimi i një rakete të vetme mund të jetë tregues se bëhet fjalë për një raketë me rreze të gjatë veprimi, gjë për të cilën nuk ka prova. Pheniani zakonisht nuk i bën të ditura detajet e provave të tij deri mëngjesin e ditës së nesërme nëpërmjet medias shtetërore.

Lajmi për lëshimin e një rakete erdhi ndërsa ambasadori i Koresë së Veriut po mbante një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Gjatë fjalimit të tij, Kim Song, mbrojti përparimin që ka shënuar vendi i tij në programin e raketave bërthamore, duke e quajtur atë një përgjigje ndaj "politikës armiqësore" të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, siç tha ai.

Ambasadori i Koresë së Veriut dënoi gjithashtu praninë e trupave amerikane në Korenë e Jugut, stërvitjet e fundit ushtarake mes këtyre dy vendeve si dhe dislokimet e fundit të trupave ushtarake të Koresë së Jugut.

Nuk është e qartë nëse kjo provë me raketë ishte planifikuar me synimin që të përkonte me fjalimin në OKB të ambasadorit të Koresë së Veriut. Por analistët thanë se lëshimi vjen disa ditë pasi Koreja e Veriut kishte lënë të kuptohej se ishte e hapur për dialog me Korenë e Jugut.

"Pheniani përdor shantazhin emocional si një formë për të siguruar avantazh, duke alternuar provokimet me joshjen, veçanërisht me koreano-jugorët", thotë Jean Lee, një nga anëtarët kryesorë të Qendrës Wilson, në Uashington.

Kim Yo Jong, motra e pushtetshme e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, tha të dielën se Pheniani është i hapur për një takim të nivelit të lartë ndër-korean dhe në deklarimin zyrtarisht të përfundimit të luftës koreane, nëse Seuli siç tha ajo i jep fillimisht fund "politikës së tij armiqësore" dhe "standardeve të dyfishta" ndaj Koresë së Veriut.

Komentet e saj erdhën në përgjigje të një fjalimi javën e kaluar nga Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, i cili përsëriti thirrjen e tij për t'i dhënë fund luftës, një hap simbolik që ai shpreson se do të nxisë përparimin në bisedimet më të gjera për paqe.

Në fillim të këtij muaji, Koreja e Veriut lëshoi nga një tren dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi. Raketat ranë në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë. Dy ditë para kësaj prove, Pheniani lëshoi raketa kruz me rreze të gjatë veprimi. Gjatë të dyja provave u përdorën teknologji që do ta bënin më të vështirë për Shtetet e Bashkuara e vende të tjera gjurmimin e arsenalit të raketave të Koresë së Veriut.

Edhe Seuli ka testuar gjithashtu teknologjinë e tij të re të raketave balistike. Në fillim të këtij muaji, Koreja e Jugut u bë vendi i shtatë që teston me sukses një raketë balistike të lëshuar nga nëndetëset./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat