Ushtria izraelite urdhëron evakuim afër kufirit me Libanin

Azia

Ushtria izraelite urdhëron evakuim afër kufirit me Libanin

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 09:10
Një sulm me artileri në një fshat në Liban, afër kufrit me Izraelin. 15 tetor 2023.

Ushtria izraelite ka urdhëruar banorët që jetojnë në 28 komunitetet afër kufirit me Libanin që të evakuohen.

Urdhri i 16 tetorit vjen në kohën e rritjes së shkëmbimit të zjarrit në kufi midis Izraelit dhe milicisë shiite të Hezbollahut të Libanit.

Urdhri për evakuim prek komunitetet që janë 2 kilometra nga kufiri.

Grupi Hezbollah ka thënë se sulmet e shtuara janë paralajmërim dhe nuk nënkuptojnë që Hezbollahu ka vendosur që të hyjë në luftë me Izraelin.

Ky urdhër vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për zgjerimin e mundshëm të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant palestinez të Hamasit.

Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, deklaroi se ende ekziston rreziku që grupi militant Hezbollah ose Irani të përfshihen direkt në luftën e Izraelit me Hamasin.

Izraeli më herët ka deklaruar se mund të luftojë në dy fronte në rast të ndonjë sulmi të Hezbollahut.

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi militant nisi sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti. Izraeli u kundërpërgjigj ashpër, duke bombarduar Rripin e Gazës.

Në këtë territor, ku jetojnë mbi 2 milionë palestinezë, autoritetet izraelite kanë paralajmëruar banorët që të evakuohen në jug të Gazës, mes paralajmërimeve për një sulm të mundshëm tokësor në Gazë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat