LIVE: IDF-ja izraelite publikon pamje nga luftimet me Hamasin në spital - Ushtarët izraelitë marrin nën kontroll Parlamentin e Gazës!

Azia

LIVE: IDF-ja izraelite publikon pamje nga luftimet me Hamasin në spital - Ushtarët izraelitë marrin nën kontroll Parlamentin e Gazës!

Nga: Bota sot Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 06:16 Përditësuar në ora: 22:04 më 13.11.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Ushtarët izraelitë pretendojnë se kanë marrë nën kontroll Parlamentin e Gazës

Është publikuar një fotografi që disa media izraelite raportuan se tregon anëtarë të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) duke hyrë në parlamentin në Gaza.

Reklama

Fotografia fillimisht është publikuar në rrjetet sociale, ndërsa më pas është publikuar nga portalet izraelite Haaretz, Jerusalem Post dhe The Times of Israel.

Times of Israel raportoi se fotografia është bërë pasi ushtarët pushtuan parlamentin.

Ata theksuan se anëtarët e organizatës militante palestineze Hamas kanë qenë përfaqësuesit e vetëm në këtë parlament që nga viti 2007, kur fituan pushtetin në këtë pjesë të Palestinës.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, deklaroi më herët këtë mbrëmje se Hamasi ka humbur kontrollin e Gazës dhe se IDF është në rrugën e saj për ta marrë plotësisht Gazën.

Ofensiva izraelite pason një sulm të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, për të cilin autoritetet e vendit pretendojnë se vrau më shumë se 1000 njerëz dhe në të cilin Hamasi kapi një numër të madh izraelitësh.

Ndërsa izraelitët pretendojnë se ofensiva e tyre është e drejtuar vetëm kundër Hamasit, autoriteti palestinez pretendon se ofensiva po vret civilë dhe po shkatërron infrastrukturën civile.

Sipas autoritetit palestinez, më shumë se 11,000 njerëz u vranë në ofensivë.

IDF-ja izraelite publikon pamje nga luftimet me Hamasin në spital, pretendojnë se militantët ‘maskoheshin’ në mesin e civilëve

Militantët e Hamasit duke bartur raketahedhës, janë përfshirë në luftime të ashpra me trupat e IDF-së izraelite në spitalin e Gazës.

Kështu të paktën pretendojnë nga Izraeli, derisa forcat e Tel Avivit po vazhdojnë të rrethojnë spitalin, brenda të cilit besohet se po fshihen militantët e Hamasit që po e shfrytëzojnë si shtab.

E derisa luftimet deri më tani në masë të madhe ishin koncentruar rreth Al Shifa spitalit më të madh në Gazë, forcat mbrojtëse të Izraelit kanë publikuar këtë mbrëmje pamje me të cilat pretendojnë se shfaqin militantët e Hamasit me raketahedhës jashtë spitalit tjetër në territorin al-Quds.

IDF-ja ka njoftuar se trupat e saj janë qëlluar nga hyrja e spitalit, ku militantët e Hamasit ishin ‘maskuar’ në mesin e civilëve.

“Raketahedhës dhe armë tjera ishin drejtuar kah ushtarët tanë – pra nga spitali al Quds në qytetin e Gazës”, u tha në kumtesën e IDF-së. 

 

Intensifikohen operacionet izraelite në Rripin e Gazës

Sulmet ajrore izraelite goditën Qytetin e Gazës, teksa forcat tokësore të Izraelit luftuan kundër luftëtarëve të grupit radikal palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – afër spitalit më të madh të territorit palestinez.

Zyrtarët shëndetësorë të Hamasit thonë se mijëra njerëz janë të bllokuar në spital, pa energji elektrike dhe me furnizime të pakta.

Kryeministri Netanyahu përsëriti të shtunën se përgjegjësia për vdekjet dhe plagosjet e civilëve bie mbi Hamasin dhe përsëriti akuzat e kahershme se grupi i cilësuar terrorist nga Shtetet e Bashkuara shfrytëzon civilët në Gaza si mburoja njerëzore.

Ushtria izraelite ka thënë se ushtarët kanë hasur në qindra luftëtarë të Hamasit në objekte nëntokësore, shkolla, xhami dhe klinika gjatë luftimeve në Gaza.

Sipas zyrtarëve palestinezë, numri i të vrarëve është rritur në më shumë se 11,000, rreth 40 për qind e tyre, fëmijë./REL

OKB: Shumë palestinezë largohen nga spitali më i madh në Gazë

Shumë palestinezë të zhvendosur, përfshirë edhe disa pacientë, janë larguar nga spitali më i madh në Gazë, që është i rrethuar nga forcat izraelite, tha një zyrtar i Kombeve të Bashkuara më 13 nëntor.

Afër 650 pacientë, 500 punëtorë shëndetësorë dhe 2.500 persona të zhvendosur vazhdojnë të jenë në ndërtesën e spitalit Shifa, tha Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve në Gazë. Kjo sinjalizon se një numër i madh i personave janë larguar gjatë fundjavës kur zyrtarët shëndetësorë në Gazë thanë se afër 1.500 pacientë, së bashku me 1.500 punëtorë shëndetësorë dhe 15.000 persona të zhvendosur ishin në Shifa.

Forcat izraelite dhe luftëtarët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë përfshirë në luftime të ashpra jashtë Shifas, dhe disa zyrtarë spitalorë kanë thënë se Shifa është nën rrethim, ndërkaq personat që gjenden brenda janë zënë në mes të zjarrit izraelit.

Izraeli ka thënë se ka ofruar korridor të sigurt për ata që duan të largohen.

Situata në Shifa u përkeqësua gjatë fundjavës, me mjekët që raportuan se gjeneratori i fundit i spitalit kishte mbetur pa karburant, duke çuar në vdekjen e disa pacientëve, përfshirë foshnjave të lindura para kohe.

Një zyrtar i OKB-së tha të hënën se shumica e të zhvendosurve janë larguar nga spitali dhe disa familje kanë marrë me vete familjarët e tyre të plagosur. Ai tha se pacientët që kanë mbetur nuk mund të largohen pasi për ta kërkohen procedura të posaçme për evakuim, sikurse autoambulanca me pajisjet e duhura që do t’i dërgonin ata në spitalet në Egjipt. Ky zyrtar foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar që të fliste me gazetarët.

Edhe një spital tjetër në qytetin e Gazës, Al-Quds, është detyruar të mbyllet të dielën pasi i mbaruan furnizimet me karburant. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, që operon me këtë spital, tha se forcat izraelite janë stacionuar pranë spitalit dhe po bëhen përgatitje për evakuimin e 6.000 pacientëve, mjekëve dhe personave të zhvendosur.

Zyrtarët izraelitë kanë refuzuar thirrjet për armëpushim nëse nuk lirohen pengjet e marra nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit, që nxitën luftën Izrael-Hamas./REL

Shefi i OBSH-së: Spitali më i madh i Gazës nuk po funksionon më

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se qendra mjekësore Shifa në Gaza "nuk po funksionon më si spital" dhe gjendja në spitalin më të madh të Gazës është "e tmerrshme dhe e rrezikshme".

Shefi i OBSH-së tha se "të shtënat me armë zjarri dhe bombardimet e vazhdueshme" rreth spitalit i "kanë përkeqësuar rrethanat tashmë kritike".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se nuk ka asnjë arsye pse pacientët në spitalin e rrethuar Shifa të Gazës nuk mund të evakuohen në mënyrë të sigurt, por pretendoi se militantët e Hamasit "po bëjnë gjithçka për t'i mbajtur ata në situatë të rrezikshme”.

Udhëheqësi izraelit i tha emisionit "State of the Union" të rrjetit CNN se 100 pacientë janë larguar nga spitali dhe se dhjetëra mijëra palestinezë që jetonin në afërsi janë larguar nga zona përgjatë korridoreve të sigurta që çonin në jug të territorit.

Por luftimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit vazhduan pranë spitalit, më i madhi i Gazës, dhe drejtori i spitalit, Mohammad Abu Salmiya, tha se objekti ishte i rrethuar nga konflikti.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha për programin "Face the Nation" të kanalit CBS se “Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin luftime në spitale ku njerëz të pafajshëm, pacientë që marrin kujdes mjekësor, janë bllokuar në mes të zjarrit dhe ne kemi zhvilluar konsultime aktive me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit për këtë”.

Një pjesë e trajtimit të pacientëve në spital është pezulluar për shkak të furnizimit të zvogëluar me karburante, me dy foshnja të vdekura si pasojë dhe dhjetëra pacientë të tjerë në rrezik.

Kryeministri Netanyahu, pa dhënë hollësi, tha se Izraeli "sapo i ofroi spitalit Shifa karburant” por "ata e refuzuan atë".

Ndërkohë, zoti Sullivan tha se SHBA-ja është “angazhuar në mënyrë aktive” me zyrtarët e Izraelit, Katarit dhe Egjiptit për të liruar gati 240 pengje që po mbahen nga Hamasi në Gaza, duke përfshirë nëntë amerikanë dhe një shtetas të huaj me leje pune në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Sullivan tha se presidenti amerikan Joe Biden "nuk do të reshtë derisa të arrijmë marrëveshje, në mënyrë që secili prej pengjeve të mund të kthehet në shtëpi i sigurt".

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Sekretari Antony Blinken foli të shtunën me kryeministrin e Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani për luftën në Gaza, duke përfshirë përpjekjet për lirimin e pengjeve.

Kryeministri Netanyahu i tha rrjetit CNN se "ne po bëjmë gjithçka që mundemi ... dhe shumë gjëra që nuk mund të themi" për t’i liruar pengjet.

Udhëheqësi izraelit vazhdoi të refuzojë propozimin e SHBA-së që Autoriteti Palestinez të drejtojë Gazën dhe territorin e Bregut Perëndimor, pas përfundimit të luftës.

Kryeministri Netanyahu tha se kontrollin duhet ta ketë "një autoritet civil i rindërtuar" sepse Autoriteti Palestinez "nuk është i gatshëm të luftojë Hamasin" dhe "ata i mësojnë fëmijët e tyre ta urrejnë Izraelin".

Ai përsëri refuzoi të diskutojë dështimin e Izraelit për të siguruar informacione për sulmin tronditës të 7 tetorit të Hamasit ndaj shtetit hebre, i cili vrau rreth 1200 njerëz brenda Izraelit.

“Do të ketë kohë të mjaftueshme (për një diskutim të tillë) pas luftës”, tha kryeministri Netanyahu.

Amos Yadlin, ish shefi i shërbimit ushtarak të zbulimit, i tha transmetuesit Channel 12 se vënia nën kontroll të spitaleve në Gaza, do të ishte çelësi për synimin e Izraelit për ta çrrënjosur Hamasin. Por, kjo do të kërkonte "shumë kreativitet taktik" për ta bërë këtë pa dëmtuar pacientë, civilë të tjerë dhe pengjet izraelite.

Zyrtarët e ushtrisë izraelite akuzojnë Hamasin për fshehjen e armëve në tunele nën spitale dhe ngritjen e një qendre komandimi poshtë Shifas dhe spitaleve të tjera, duke i bërë ndërtesat objektiva të ligjshme ushtarake. Hamasi dhe personeli i spitalit e mohojnë këtë.

Forcat e Mbrojtjes izraelite mohuan të kenë qëlluar Shifan të premten dhe akuzuan Hamasin për hedhje të një rakete që synonte trupat izraelite dhe e cila goditi spitalin.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se tanket izraelite ishin 20 metra larg spitalit al-Quds në qytetin e Gazës, duke shkaktuar "një gjendje paniku dhe frike të skajshme " në mesin e 14,000 personave të zhvendosur dhe të strehuar atje.

Kryeministri Netanyahu përsëriti të shtunën se përgjegjësia për vdekjet dhe plagosjet e civilëve bie mbi Hamasin dhe përsëriti akuzat e kahershme se grupi i cilësuar terrorist nga Shtetet e Bashkuara shfrytëzon civilët në Gaza si mburoja njerëzore.

Ushtria izraelite ka thënë se ushtarët kanë hasur në qindra luftëtarë të Hamasit në objekte nëntokësore, shkolla, xhami dhe klinika gjatë luftimeve në Gaza.

Sipas zyrtarëve palestinezë, numri i të vrarëve është rritur në më shumë se 11,000, rreth 40 për qind e tyre, fëmijë.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se një fëmijë vdes çdo 10 minuta.

"Situata në terren është e pamundur të përshkruhet," tha zoti Tedros të premten. “Korridoret e spitalit të mbushura me të plagosur, të sëmurë, të vdekur; morgjet e tejmbushura; kirurgji pa mjete anestezie; dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur që strehohen në spitale; familjet e grumbulluara në shkolla të mbipopulluara, të dëshpëruara për ushqim dhe ujë”.

"Nëse ka një ferr në Tokë sot", tha Jens Laerke, zëdhënësi i OKB-së, "emri i tij është Gaza veriore".

*Disa informacione për këtë artikull janë siguruar nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe France-Presse.

Luftime të ashpra afër spitalit më të madh në Gazë

Zyrtarët shëndetësorë dhe njerëzit e bllokuar brenda spitalit më të madh në Gazë kanë hedhur poshtë pretendimet e Izraelit të bëra të dielën se po ndihmonte foshnjat dhe personat e tjerë të largoheshin. Ata thanë se luftimet po vazhdojnë jashtë ndërtesës ku ndodhen inkubatorët dhe se spitali ka mbetur pa rrymë dhe furnizimet po pakësohen.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirret për armëpushim të menjëhershëm nëse ai nuk përfshin lirimin e pothuajse 240 pengjeve të hapura nga Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në sulmet e 7 tetorit, që nxitën luftën.

Një ditë pasi Netanyahu tha se Izraeli po përdor “forcën e plotë” me synim që t'i japë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Gazë, banorët kanë raportuar për sulme të ashpra ajrore dhe granatime, përfshirë edhe rreth spitalit Shifa. Izraeli, pa ofruar dëshmi, ka akuzuar Hamasin se ka një komandë brenda dhe nën ndërtesën e spitalit, akuza që janë mohuar nga Hamasi dhe stafi i spitalit.

“Ata janë jashtë, jo larg portës”, tha Ahmed al-Boursh, banor që po strehohet në spital.

Gjeneratori i fundit i spitalit mbeti pa karburante të shtunën, duke çuar në vdekjen e tri foshnjave të lindura para kohe dhe katër pacientëve të tjerë, tha Ministria e Shëndetësisë. Edhe 36 foshnja janë në rrezik që të vdesin.

Ushtria izraelite tha se ka vendosur 300 litra karburante afër Shifës gjatë natës për gjeneratorët që të furnizojnë me energji inkubatorët për foshnjat dhe ka koordinuar këtë dërgesë me zyrtarët spitalorë. Por, ushtria tha se Hamasi ka ndaluar që spitali të marrë këtë furnizim me karburante.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qidra, hodhi poshtë këto pretendime. Ai tha për Al Jazeera se karburanti i ofruar nuk do të ishte i mjaftueshëm që gjeneratori të funksiononte për një orë. “Kjo është tallje me pacientët dhe fëmijët”, tha al-Qidra.

Duke folur për CNN, Netanyahu vlerësoi se “afër 100” persona ishin evakuuar nga Shifa dhe se Izraeli kishte krijuar korridore të sigurta.

Por, nënsekretari i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, Munir al-Boursh, tha se Izraeli ka dislokuar spajperistë rreth Shifas, që sipas tij, po gjuajnë ndaj çdo lëvizjeje.

Ushtria izraelite tha se trupat kanë ndihmuar në evakuimin e foshnjave të dielën. Por, Ndihma Humanitare për Palestinezët, një organizatë bamirëse nga Mbretëria e Bashkuar që ka ndihmuar njësinë neonatale në Shifa, tha se transferimi i foshnjave në gjendje kritike është një proces i ndërlikuar. “Me autoambulancat që nuk po mund të arrijnë në spital... dhe asnjë spital nuk ka kapacitet që t’i pranojë ata. Nuk ka asnjë tregues se si kjo mund të bëhet në mënyrë të sigurt”, tha drejtuesja e kësaj organizate bamirëse, Melanie Ward.

Sipas Ward, e vetmja mënyrë që foshnjat të mund të transferohen nga Shifa është nëse ndalen luftimet dhe lejohet që në spital të dërgohen karburante.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se janë 1.500 pacientë në Shifa dhe 1.500 punonjës shëndetësorë. Po ashtu, 15.000 deri në 20.000 persona janë duke u strehuar në këtë spital.

Sipas Mjekëve pa Kufij do të duheshin javë që të evakuoheshin pacientët.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shkroi në X – që më herët njihej si Twitter – se Shifa ka mbetur qe tri ditë pa ujë “dhe spitali nuk është më duke funksionuar”.

Ndërkaq, Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se edhe spitali tjetër në qytetin e Gazës, Al-Qunds “më nuk është operacional” sepse kishte mbetur pa karburante. Sipas kësaj organizate, në këtë spital gjenden 6.000 persona.

Termocentrali i vetëm në Gazë doli jashtë funksionit një muaj më parë dhe Izraeli ka ndaluar importet me karburante me qëllim që të parandalojë që Hamasi t’i përdorë këto furnizime.

“Ne nuk duam të shohim luftime në spitale ku ka njerëz të pafajshëm, njerëz të pashpresë, njerëz që po kërkojnë trajtim mjekësor”, tha këshilltari për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Joe Biden, Jake Sullivan.

Drejtori i spitaleve në Gazë, Muhammed Zaqout, tha se Ministria e Shëndetësisë në këtë territor nuk ka mundur të përditësojë numrin e të vrarëve që nga e premtja pasi që punëtorët shëndetësorë nuk kanë mundur të arrijnë në zonat që janë goditur nga bombardimet izraelite.

Afër 2.3 milionë palestinezë gjenden në Gazën e rrethuar.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se çdo dëm ndaj civilëve është përgjegjësi e Hamasit. Izraeli e ka akuzuar këtë grup se operon në lagjet e banuara dhe përdor civilët si mburoja njerëzore./REL

Këtu është raporti i plotë mbi sulmet e fundit të SHBA në Siri

Nga: M.H.

Shtetet e Bashkuara kryen sulme kundër dy vendeve të lidhura me Iranin në Siri të dielën në përgjigje të sulmeve ndaj forcave amerikane, tha sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin.

Është hera e tretë në më pak se tre javë që ushtria amerikane ka shënjestruar vendndodhje në Siri, për të cilat tha se ishin të lidhura me Iranin, i cili mbështet grupet e armatosura që Uashingtoni i fajëson për një rritje të sulmeve ndaj forcave të saj në Lindjen e Mesme.

“Forcat ushtarake amerikane kryen sulme precize sot në objektet në Sirinë lindore të përdorura nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe grupet e lidhura me Iranin në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme kundër personelit amerikan në Irak dhe Siri”, tha Austin në një deklaratë, shkruan The Guardian, përcjell “Bota sot”.

Sulmet u kryen kundër një objekti trajnimi dhe një shtëpie të sigurt afër qyteteve Albu Kamal dhe Mayadeen, respektivisht.

“Presidenti nuk ka prioritet më të lartë se siguria e personelit amerikan, dhe ai drejtoi veprimin e sotëm për të bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë veten, personelin dhe interesat e tyre.”

SHBA-ja shënjestroi një depo armësh të lidhur me Teheranin në Siri të mërkurën dhe gjithashtu goditi dy objekte siriane më 26 tetor, për të cilat tha se përdoreshin nga Irani dhe organizatat e lidhura me to.

Ishte vlerësimi i Uashingtonit se asnjë nga sulmet e mëparshme nuk rezultoi me viktima.

Shtetet e Bashkuara thonë se sulmet kanë për qëllim frenimin e sulmeve ndaj forcave amerikane në Irak dhe Siri. SHBA thotë se ka pasur më shumë se 45 sulme ndaj trupave të saj në rajon që nga 17 tetori, duke plagosur dhjetëra personel amerikan.

Tre infermiere u vranë në al-Shifa, thotë OKB

Nga: M.H.

Në rast se e keni humbur këtë më herët: Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) në territorin e pushtuar palestinez thotë se tre nga infermieret e al-Shifa janë vrarë

Bombardimet dhe përleshjet e armatosura rreth spitalit Shifa në qytetin e Gazës u intensifikuan që nga pasditja e 11 nëntorit.

Infrastruktura kritike, duke përfshirë stacionin e oksigjenit, rezervuarët e ujit dhe një pus, objektin kardiovaskular dhe repartin e maternitetit, u dëmtua dhe tre infermiere u vranë”, raporton zyra e OKB-së në përditësimin e saj më të fundit ditor.

Detaje tjera nuk u japen.

Presidenti indonezian bën thirrje për armëpushim përpara takimit me Biden

Nga: M.H.

Presidenti i Indonezisë, shtëpia e popullsisë më të madhe myslimane në botë, bëri thirrje për një armëpushim përpara takimit me Presidentin e SHBA Joe Biden në Uashington të hënën.

“Një armëpushim duhet të zbatohet së shpejti, ne gjithashtu duhet të përshpejtojmë dhe rrisim sasinë e ndihmës humanitare dhe duhet të fillojmë negociatat e paqes”, tha Presidenti Joko Widodo në një video të regjistruar pasi ai mori pjesë në një Organizatë të Bashkëpunimit Islamik (OIC) në Riad, shkruan The Guardian, përcjell “Bota sot”.

Ai tha se bota dukej "e pafuqishme" përballë vuajtjeve të palestinezëve.

Samiti i jashtëzakonshëm i përbashkët islamik-arab i kërkoi gjithashtu Gjykatës Penale Ndërkombëtare të hetojë "krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që Izraeli po kryen" në territoret palestineze.

Al Shifa nuk funksionon më si spital pasi vdekjet rriten ndjeshëm

Nga: M.H.

Spitali më i madh i Gazës është në një situatë "të rrezikshme" dhe "nuk funksionon më si spital", ka paralajmëruar kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

"Të shtënat e vazhdueshme me armë zjarri dhe bombardimet në zonë kanë përkeqësuar rrethanat tashmë kritike," shkroi Tedros Adhanom Ghebreyesus në X.

Tragjikisht, numri i viktimave të pacientëve është rritur ndjeshëm, shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.

Ai tha se spitali ka qenë pa energji elektrike dhe ujë për tre ditë, si dhe "internet shumë i dobët që ka ndikuar rëndë aftësinë tonë për të ofruar kujdes thelbësor".

"Për fat të keq, spitali nuk po funksionon më si spital. Bota nuk mund të hesht ndërsa spitalet, të cilat duhet të jenë strehë të sigurta, shndërrohen në skena vdekjeje, shkatërrimi dhe dëshpërimi," shtoi ai.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për një armëpushim humanitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat