LIVE: Izraeli sulmon nga ajri e toka qytetin e Gazës

Azia

LIVE: Izraeli sulmon nga ajri e toka qytetin e Gazës

Nga: Bota sot Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 07:57 Përditësuar në ora: 18:30 më 27.12.2023
Gaza

Izraeli sulmon nga ajri e toka qytetin e Gazës

Forcat izraelite kryen sulme të reja ajrore të mërkurën në disa pjesë të Rripit të Gazës. Një ditë më parë komentet e zyrtarëve izraelitë mbi zgjerimin e operacioneve ushtarake tokësore, ngjallën shqetësime në Kombet e Bashkuara, mbi fatin e popullatës civile.

Të mërkurën, Izraeli kreu sulme nga toka dhe ajri në qytetin e Gazës, që shtrihet në pjesën veriore të rajonit, atje ku Izraeli përqendroi fillimisht fushatën e tij ushtarake, me qëllim eliminimin e grupit militant Hamas.

Po këtë javë, janë zhvilluar operacione edhe në pjesën qendrore të Gazës, përfshirë ato zona ku ndodhen kampe të shumta refugjatësh.

Pjesa më e madhe e popullatës së rajonit është detyruar të largohet nga shtëpitë për shkak të luftimeve. Ata janë grumbulluar në strehimore të mbingarkuara ndërsa po hasin në vështirësi për t’iu larguar atyre zonave, ku Izraeli njofton se do të kryejë sulme. Dërgesat në ndihma humanitare janë kufizuar për shkak të luftimeve, duke krijuar mungesa të mëdha në ushqime, ujë dhe karburant.

"Nuk ka një rrugë të shkurtër në çmontimin e një organizate terroriste", tha të martën shefi i ushtrisë izraelite Herzi Halevi, duke iu referuar Hamasit.

Zgjerimi i luftimeve në pjesën qendrore të Gazës bëri që Kombet e Bashkuara të ngrenë alarmin të martën mbi ndikimin që sulmet izraelite kanë tek popullata civile. Më shumë se 100 palestinezë u vranë në dy ditë këtë javë.

"Forcat izraelite duhet të marrin të gjitha masat në dispozicion për të mbrojtur civilët. Paralajmërimet dhe urdhrat e evakuimit nuk i shfajësojnë ata nga detyrimet që kanë në raport me ligjin ndërkombëtar humanitar", tha zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Seif Magango.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Emirin e Katarit Sheik Tamim bin Hamad Al Thani lidhur me rritjen e ndihmës humanitare në Gazë.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej gjithashtu se “të dy udhëheqësit diskutuan dhe mbi nevojën urgjente për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve që vazhdojnë të mbahen nga Hamasi, përfshirë shtetasit amerikanë”.

Katari dhe Egjipti ndërmjetësuan armëpushimin e shkurtër dhe shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit në fund të nëntorit. Por përpjekjet aktuale diplomatike kanë dështuar.

Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se ministri izraelit për Çështjet Strategjike Ron Dermer u takua të martën me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan për bisedime mbi disa çështje që lidhen me konfliktin në Gazë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Sullivan dhe zoti Dermer diskutuan mbi nevojën e kalimit në një fazë tjetër të luftës, për t'u përqendruar në goditjen e objektivave kryesore të Hamasit. Po kështu dy zyrtarët e lartë diskutuan mbi planet për Gazën e pas luftës, përfshirë qeverisjen dhe sigurinë e rajonit.

Më 7 tetor, militantët e Hamasit kryen një sulm terrorist ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1200 persona, e marrë peng 240 të tjerë, nga të cilët 129 vazhdojnë të jenë në duart e grupit militant.

Si përgjigje, Izraeli u zotua të shkatërrojë Hamasin duke nisur një sulm ajror, tokësor dhe detar në Gazë. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë rreth 21 mijë palestinezë, të dhëna këto të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, e cila nuk bën një ndarje mes popullatës civile dhe numrit të militantëve të vrarë./VOA

Izraeli zgjeron ofensivën ushtarake në zonat urbane dhe kampet e refugjatëve në Gazën qendore

Forcat izraelite zgjeruan të martën ofensivën e tyre tokësore në kampet urbane të refugjatëve në Gazën qendrore pasi bombarduan komunitetet e mbipopulluara palestineze dhe urdhëruan banorët të evakuoheshin. Kompania kryesore e telekomit në Gazë njoftoi një tjetër "ndërprerje të plotë" të shërbimeve në territorin e rrethuar.

Njoftimi i ushtrisë për zonën e re të betejës kërcënon shkatërrim të mëtejshëm në një luftë, që Izraeli thotë se do të zgjasë për "shumë muaj". Qeveria e Izraelit është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin pas sulmit të të 7 tetorit. Forcat izraelite janë përfshirë në luftime të rënda urbane në veri të Gazës dhe në qytetin jugor të Khan Younisit, duke i shtyrë palestinezët në zona gjithnjë e më të vogla strehimi.

Shtetet e Bashkuara thanë se ministri i Izraelit për çështjet strategjike, Ron Dermer, po takohej me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Jake Sullivan. Pavarësisht thirrjeve amerikane për të shmangur viktimat civile dhe presionin ndërkombëtar për një armëpushim, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria e vendit të tij po intensifikonte luftimet.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Zyrtari izraelit paralajmëron: Lufta në Gaza do të vazhdojë me muaj

Shefi i shtabit të Ushtrisë së Izraelit, Herzi Halevi, ka thënë se lufta e shtetit të tij me militantët e Hamsait do të vazhdojë edhe për shumë muaj të tjerë.

“Nuk ka një zgjidhje magjike”, u tha gazetarëve Halevi, shkruan BBC.

Të hënën kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme shteti i tij do të intensifikojë luftën kundër Hamasit.

Izraeli ka njoftuar se të martën ka kryer më shumë se 100 sulme në vende të ndryshme në territorin e Gazës, derisa ka bërë të ditur se operacionet tokësore është duke i shtrirë në Gazën qendrore.

Ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, thotë se 20 mijë e 915 palestinezë janë vrarë në më shumë se 11 javë, prej kur kanë nisur luftimet.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se 241 persona janë vrarë në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë së Gazës raportoi se 241 palestinezë ishin vrarë dhe 382 u plagosën në 24 orët e fundit.

Ata thanë gjithashtu se 20915 njerëz janë vrarë dhe 54918 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza.

Tani, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë të rajonit, Dr. Ashraf Al-Qudra, ka folur mbi shifrat e fundit, raporton skynews.

Ai tha se trupat izraelite kishin “kryer 18 masakra kundër familjeve të tëra”, duke rezultuar në vdekjen e 241 personave.

“Ne kemi frikë se shënjestrimi i afërsisë së Kompleksit Mjekësor Nasser është një përsëritje e skenarit që u zbatua kundër kompleksit mjekësor al-Shifa dhe spitaleve në Gazën veriore”, tha ai.

“U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të mbrojnë kompleksin mjekësor Nasser dhe të mbrojnë personelin mjekësor, të plagosurit, të sëmurët dhe mijëra të zhvendosur atje”.

Ndryshe, ofensiva e Izraelit ndaj militantëve të Hamasit ka filluar pas sulmeve të këtyre të fundit më 7 tetor në territoret izraelite.

Pamjet me dron tregojnë palestinezë të varrosur në një varr masiv të Rafah

Rreth 80 trupa të paidentifikuar palestinezë janë varrosur në një varr masiv në Rafah, në jug të Gazës.

Sipas mediave të huaja, burime në ministrinë e Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi i thanë agjencisë së lajmeve AFP se ata ishin transportuar “nga morgjet dhe varret” në Izrael që autoritetet të kontrollonin se nuk kishte pengje mes tyre.

Ata u kthyen më vonë përmes vendkalimit Kerem Shalom në Gazën jugore. Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar mbi ngjarjen.

Izraeli thotë se 129 nga 240 persona janë ende të pagjetur pasi u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza më 7 tetor. Sulmet e asaj dite, të udhëhequra nga Hamasi, vranë 1200 njerëz.

Mbi 20,600 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat