Pakistan, ish kryeministri Khan nuk lejohet të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2024

Azia

Pakistan, ish kryeministri Khan nuk lejohet të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2024

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 15:34
Ish Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan

Organi zgjedhor i Pakistanit nuk e ka lejuar kandidimin e ish-kryeministrit Imran Khan në zgjedhjet kombëtare të vitit 2024 në dy zona zgjedhore, thanë të shtunën zyrtarët dhe ekipi i partisë së tij.

Ish-ylli 71-vjeçar i sportit të kriketit është përfshirë në një lëmsh betejash politike dhe ligjore që kur u rrëzua nga posti i kryeministrit në prill të vitit 2022. Ai nuk është parë në publik që kur u dënua me tre vjet burg në muajin gusht për shitje të paligjshme të dhuratave shtetërore gjatë kohës që drejtonte vendin, nga viti 2018 deri më 2022.

Zoti Khan është skualifikuar nga konkurrimi në zgjedhjet kombëtare të planifikuara për 8 shkurt për shkak të dënimit për korrupsion, por megjithatë ai paraqiti dokumentet për kandidim në zgjedhjet të premten, njoftoi një zëdhënës i ekipit të tij.

Në një listë të kandidatëve të refuzuar nga zona Lahore, Komisioni Zgjedhor i Pakistanit tha se kandidimi i zotit Khan u refuzua sepse ai nuk ishte votues i regjistruar i zonës zgjedhore dhe sepse ai ishte “i dënuar nga gjykata dhe ishte skualifikuar”.

Ekipi i tij tha se komisioni gjithashtu kishte refuzuar që ai të marrë pjesë në zgjedhje edhe në qytetin e tij të lindjes, Mianwali.

Ish kryeministri Khan, i cili shihet gjerësisht si udhëheqësi më popullor i vendit, thotë se është në shënjestër të ushtrisë pakiestaneze që vazhdon të ketë ndikim të madh, e cila dëshiron ta mbajë atë jashtë garës zgjedhore. Ushtria i mohon akuzat.

Të premten, Gjykata e Lartë e Pakistanit caktoi lirimin me kusht të zotit Khan lidhur me një çështje ku ai akuzohej se kishte ndarë sekrete shtetërore një ditë pasi një gjykatë e lartë refuzoi të ndryshonte vendimin për skualifikimin e tij nga zgjedhjet./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat