Thirrja e Hamasit vështirëson negociatat për armëpushim

Azia

Thirrja e Hamasit vështirëson negociatat për armëpushim

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 21:04
Ismail Haniyeh

Hamasi u bëri të mërkurën thirrje palestinezëve që të marshojnë drejt xhamisë Al-Aksa të Jerusalemit në fillim të muajit të Ramazanit në mars, në një kohë kur Presidenti amerikan Joe Biden po bën përpjekje për arritjen e një armëpushimi në Gazë.

Thirrja e udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh, pason komentet e zotit Biden të martën, i cili tha se është arritur një marrëveshje në parim për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit për periudhën e Ramazanit, dhe për lirimun e pengjeve që mbahen nga militantët.

Presidenti Biden tha se shpreson që një marrëveshje e tillë që do të përfshinte edhe dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë dhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë, të finalizohet deri më 4 mars.

Ramazani fillon mbrëmjen e 10 marsit. Si Izraeli ashtu edhe Hamasi kanë minimizuar shanset për një armëpushim dhe ndërmjetësuesit e Katarit kanë thënë se çështjet më të diskutueshme mbeten të pazgjidhura.

Izraeli tha të hënën se do të lejojë mbajtjen e lutjeve të Ramazanit në Xhaminë Al-Aksa të Jeruzalemit, por se do të vendosë kufizime sipas nevojave të sigurisë, duke krijuar terrenin për përleshje të mundshme nëse turmat e palestinezëve shfaqen dhe dhuna në Gazë vazhdon të jetë intensive.

"Ne i bëjmë thirrje popullit tonë në Jeruzalem dhe Bregun Perëndimor që të marshojë drejt Al-Aksës që nga dita e parë e Ramazanit," tha udhëheqësi i Hamasit Haniyeh, i cili e përshkroi sulmin e 7 tetorit si një lëvizje për t'i dhënë fund sulmeve izraelite në territoret palestineze.

Në një fjalim televiziv, ai tha se Hamasi po tregonte fleksibilitet në negociatat me Izraelin, por se është njëkohësisht i gatshëm të vazhdojë luftimet.

Izraeli ka thënë se çdo marrëveshje me Hamasin duhet të ketë kusht që grupi të heqë dorë nga "kërkesa jorealiste”.

Të dyja palët kanë dërguar delegacione në Katar për të diskutuar për detajet.

Një burim me peshë që ka njohuri për bisedimet tha se trupat izraelite do të tërhiqeshin nga zonat e populluara sipas marrëveshjes. Por nuk duket se marrëveshja do të përmbushë kërkesën e Hamasit për një fund të përhershëm të luftës dhe tërheqjen e Izraelit, apo të realizojë lirimin e meshkujve izraelitë në moshë për të luftuar që mbahen nga Hamasi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat