Korridori i ndihmës për Gazën përmes Qipros mund të hapet të dielën

Azia

Korridori i ndihmës për Gazën përmes Qipros mund të hapet të dielën

Më: 8 mars 2024 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen tha sot se nisma për të dërguar ndihmë në Gazë përmes një porti detar të Qipros, mundësi që Presidenti Biden e përmendi në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, mund të nisë të zbatohet që prej së dielës, nëse jo më herët.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtypin me Presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides, zonja Von der Leyen tha se korridori është shumë pranë hapjes dhe se mund të jetë funksional të dielën, ose edhe të shtunën.

Në fjalimin e tij, zoti Biden tha se ushtria amerikane do të drejtonte një mision urgjent për të ndërtuar një port të përkohshëm në Mesdhe në bregdetin e Gazës, ku mund të ankorohen anije të mëdha që transportojnë ushqim, ujë, ilaçe dhe tenda për strehim të përkohshëm.

Përmes një deklarate të përbashkët, të shpërndarë sot, Komisioni Europian, Gjermania, Greqia, Italia, Holanda, Republiak e Qipros, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan formalisht planet për hapjen e korridorit,

Korridori detar mund dhe duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të qëndrueshme për të rritur dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë përmes çdo mënyre të mundshme”, thuhej në deklaratë. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me Izraelin për të dërguar ndihmat në rrugë tokësore, duke këmbëngulur në nevojën për lehtësimin e sa më shumë rrugëve të transportit dhe hapjen e pikave të reja të kalimit me qëllim dërgimin e sa më shumë ndihmave tek sa më shumë njerëz”, thuhej mes të tjerash në deklaratë.

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë Reuters dhe Agence France-Presse./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat