​A është tigri Javan ende në natyrë, Indonezia në kërkim të provave

Azia

​A është tigri Javan ende në natyrë, Indonezia në kërkim të provave

Më: 28 mars 2024 Në ora: 21:52
Tigri Javan

Me kamera dhe testime të gjera gjenetike, studiuesit indonezianë shpresojnë të gjejnë më shumë prova se tigri Javan, një specie e shpallur e zhdukur, në të vërtetë ekziston ende në natyrë, tha një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit.

Studiuesit pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkim dhe Inovacion (BRIN) njoftuan në një studim javën e kaluar se analiza e ADN-së zbuloi se një gëzof tigri i gjetur në një fshat në Java perëndimore në vitin 2019 përputhej me disa karakteristika të një tigri vendas në Indonezi.

Tigrat e Javës dhe Balit janë zhdukur, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), organi kryesor global për rrezikun e zhdukjes së kafshëve të egra. Sipas kësaj organizate, vetëm tigri i Sumatrës ka mbetur dhe konsiderohet i rrezikuar.

"Kërkimi ka nxitur spekulime se tigri Javan është ende në natyrë. Ne jemi përgatitur dhe do të përgatitemi t'i përgjigjemi kësaj. Do të vendosen kurthe kamerash dhe do të konsultohen ekspertët e gjenetikës,” tha Satawan Pudiatmoko, një zyrtar i ministrisë indoneziane.

Në vitin 2019, vendasit vunë re atë që mendonin se ishte një tigër Javan, gjetën qime në një gardh dhe zbuluan shenja gërvishtjesh, tha një studiues që intervistoi një banor vendas.

Zyra e Fondit Botëror të Kafshëve të Egra (WWF) në Indonezi ka kërkuar kujdes në publikimin e gjetjeve nga frika e gjuetarëve të paligjshëm, tha M. Ali Imron, drejtori për pyje dhe kafshë të egra, duke shtuar se nevojiten më shumë kërkime për të konfirmuar se ky lloj tigri ekziston ende.

Tigri Javan ishte një popullatë Panthera tigris sondaica vendase në ishullin indonezian Java deri në mesin e viteve 1970. Ai u gjahtua deri në zhdukje dhe habitati i tij natyror u shndërrua për përdorim të tokës bujqësore dhe infrastrukturë. Ishte një nga tri popullatat e tigrave në ishujt Sunda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat