Kombëtarja e Kosovës në boks udhëtoi drejt Londrës për normat Olimpike “Tokio 2020”

Boksi

Kombëtarja e Kosovës në boks udhëtoi drejt Londrës për normat Olimpike “Tokio 2020”

Më: 12 mars 2020 Në ora: 15:31
Kombëtarja e Kosovës në boks

Kombëtarja e Kosovës në boks është nisur të enjten drejt Londrës, ku prej 14-24 mars 2020 do të mbahet turneu kualifikues evropian për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Ekspedita e boksit përbëhet nga boksierët: Donjeta Sadiku, Patriot Behrami, Shpëtim Bajoku dhe Besart Pireva, trajnerë: Shefki Bogujevci e Besim Brahimi, si dhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli, njëherit zëdhënës i FBOXK.

Boksierët tanë synojnë të fitojnë një vend që siguron kualifikimin direkt për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Kampiones së tanishme ballkanike, Donjeta Sadiku, e cila garon në kategorinë deri në 60 kilogramë, do t’i mjaftonte pozita e gjashtë për të siguruar ‘biletën’ për në Tokio 2020.

Falë mbështetjes financiare të Komitetit Olimpik të Kosovës, Donjeta, si bursiste e KOK-ut, ishte përgatitur në kampin ndërkombëtar në T rabzon të Turqisë. Ajo më herët kishte deklaruar se në Londër synon pozitën e parë.

Patriot Behrami, i cili në Lojërat Evropiane Minsk 2019 doli i pesti, do të garojë në kategorinë -69 kilogramë. Edhe atij, njësoj si Sadikut, do t’i mjaftonte pozita e gjashtë për kualifikim në Tokio 2020. Mënyrë të njëjtë kualifikimi ka edhe Besart Pireva në kategorinë deri në 75 kilogramë.

Sigurimin më të lehtë të normës e ka Shpëtim Bajoku, kategoria -63 kilogramë. Atij i mjafton të kualifikohet në çerekfinale dhe të sigurojë “vizën” për në Lojërat Olimpike.
“Boksierët janë në formë të mirë. Ata kanë pasur disa përgatitje dhe mendoj se janë maksimalisht të përgatitur.

Nesër hedhet shorti dhe shpresojmë edhe në fat. Me dy deri në tri fitore boksierët e sigurojnë kualifikimin në Lojërat Olimpike”, ka thënë para nisjes zëdhënësi i FBOXK, Latif Demolli.

Garat në Londër organizohen nga Komiteti Ol impik Ndërkombëtar, pas pezullimit të bërë Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA).

Mundësinë e dytë për kualifikim në LO Tokio 2020 boksierët tanë e kanë në Paris, ku prej 13-24 maj 2020 mbahet turneu kualifikues botëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat