Rrëfehet Khabib

Boksi

Rrëfehet Khabib

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 20:00
Rrëfehet Khabib

Khabib Nurmagomedov është më se i kënaqur me tërheqjen e tij nga artet marciale mikse (MMA) në tetor të vitit 2020. Arritja e një rekordi si i pamposhtur në UFC, me 29 fitore e 0 humbje, është vështirë të thyhet në të ardhmen. Ndaj, Nurmagomedov planifikon t’i mbajë gjërat pikërisht ashtu siç janë.

“Sinqerisht nuk më mungon kafazi. Kur më mungon diçka si konkurrenca, shkoj në palestër dhe luftoj, luftoj, stërvitem. E shpenzoj energjinë time atje. A do të rikthehem ndonjëherë në kafaz? Jo, nuk rikthehem, pasi nuk më mungon”, u shpreh Khabib Nurmagomedov, që tani ka nisur karrierën si trajner.

“Nuk rikthehem, sepse e gjithë jeta ime ishte në duart e mia, jo në zemrën time. Nuk ishte kurrë në zemrën time. Sigurisht, më pëlqen të dueloj, pasi duhet ta duash atë që po bën. Isha një adhurues shumë i madh i sportit dhe synimi im ishte të bëhesha më i miri, të bëhesha kampion siç duhet të bëjnë të gjithë. Kur u tërhoqa e dija që s’do të rikthesha më”, u shpreh kampioni rus.

“Asgjë nuk do të më bënte të kthehesha në kafaz”, tha Nurmagomedov. “Asnjëherë. Gjithmonë do të ketë ndonjë kampion pa emrin tim. Do të jetë Charles Oliveira, do të jetë Islam ose një emër tjetër pas Islamit e kështu më radhë”, tha Khabib.

“Ky është një sport i nivelit të lartë. Unë kam qenë kampion, por për momentin nuk jam kampion dhe kjo është normale. Asnjëherë nuk mund të jesh kampion si shtatë vjet, tetë vjet apo përgjithnjë. Një sportist mund të qëndrojë gjatë në kafaz vetëm për të fituar para, por nuk do të jeni kurrë kampion,”u shpreh rusi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat