Bërmeta: Mundësia më e mirë për boksierët shqiptarë, me tifozët ia dalim dhe në Londër

Boksi

Bërmeta: Mundësia më e mirë për boksierët shqiptarë, me tifozët ia dalim dhe në Londër

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 15:34
Bërmeta

“Grushi i Hekurt” rithehet në datën 30 qershor, këtë herë nga Londra, ku boksierët kuqezinj kanë një tjetër mision për të vijuar serinë e tyre të si të pamposhtur. Alban Bërmeta do të provojë që të jetë sërish i suksesshëm edhe në përballjen e tij të 12-të, por për të e rëndësishme është që të gjithë boksierët shqiptar të arrijnë rezultate të shkëlyera e të kthehen me fitore.

“Presim që të vijmë me sukses të gjithë me fitore, presim ndeshje shumë të forta.

Është hera e parë që duelojmë në Londër, në vendin e “ajkës” së boksit. Për ne është promovim i mirë dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë për të gjithë boksierët”.

Nga 10 fitoret e arritura deri më tani, Bërmeta ka regjistruar 9 triumfe me “knock-out”, performancë që i kanë dhënë dhe nofkën “gladiatori”. Edhe në përballjen e radhës, 31-vjeçari nuk e mohon se do të ketë objektiv për ta mbyllur ndeshjen para kohe.

“Unë futem për të fituar pasi shpresojmë për “knock-out”, por e rëndësishme është që të fitojmë, më pas mirë do të ishte dhe “knock-out”, pasi na duhet dhe ai”.

Bërmeta ka dhe një thirrje për të gjithë tifozët shqiptarë, pasi beson se me mbështetjen e tyre në Londër do të kalojnë të gjithë së bashku një mbrëmje të paharrueshme.

“Tifozlliku është gjysma e forcës tonë sidomos në një vend të huaj.

I ftojmë të vijnë të gjithë e së bashku me ta t‘ja dalim me fitore.

Kjo është një mbështetje shumë e madhe dhe një mundësi e mirë, për çdo boksier, pasi nuk na është dhënë ndonjëherë kjo mbështetje.

Dua të falënderoj promotorin tonë. Është një mundësi që të tregojmë veten”.

Krahas Alban Bërmetës në Londër do të duelojnë dhe Arjon Kajoshi  e Krenar Zeneli, ndërkohë që ndeshja më e rëndësishme do të jetë ajo e Nelson Hysës, që do të përballet me çekun Pavel Sour..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat