Konjuhi tregon pse gaboi Ajet Rreci në meçin e Haxhi Krasniqit dhe pse Agim Tahiraj i shkeli rregullat

Boksi

Konjuhi tregon pse gaboi Ajet Rreci në meçin e Haxhi Krasniqit dhe pse Agim Tahiraj i shkeli rregullat

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 6 gusht 2023 Në ora: 12:51
Haxhi Krasniqi dhe Rrustem Konjiuhi

Boksieri Haxhi Krasniqi mbrëmë ka fituar me ndërprerje të meçit në rundin e nëntë nga ana e gjyqtarit Ajet Rreci. 

Përballja mes Haxhi Krasniqit dhe francezit Nadjib Mohammedi, u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pas përfundimit të meçit ka shumë komente në rrjetet sociale, duke fajësuar gjyqtarët që nuk kanë vepruar mirë.

Nga ana tjetër ish gjyqtari i mirënjohur i Kosovës, Rrustem Konjuhi dhe ish kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Boksit të Kosovës, kritikon ashpër mënyrën sesi vepruan gjyqtarët. 

“Nuk ka qenë ky gabimi i vetëm në këto duele, referët e këtij evenimenti duke larguar dy apo tri duele që kanë qenë deri diku vlerësimi real i referëve, si Armendi dhe Kelmendi që fituan me meritë, duelet e humbura të shpallen si fitore edhe atë me vlerësime unanime kjo ndodh vetëm të ata referë që fare nuk kanë qenë në ngjarje apo unë them tepër patriot e dëshirojnë që vetëm kombasit tonë të fitojnë, me kauzën vetëm qëndro në këmbë nga goditjet e për fitore ne kujdesemi”, thotë Konjuhi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Konjuhi habitet më shumë më Agim Tahirajn, kryetarin e Gjyqtarëve të Boksit të Kosovës. 

“Po habitem se si shoku ynë Agim Tahiraj prej dëshirës që të referoj në transmetim të drejtpërdrejtë në TV, të bie në këtë ndikim edhe të vlerësoj gabim në këtë mënyrë ku boksierët që humbën të vlerësoj unanim me përjashtim të një dueli edhe pse ka vlerësu për fitore me duket se një rund kishte vlerësu si të humbur, si pozitën që e ka kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës në boksin olimpik dhe anëtar i bordit të FBOXK-së.

Si do të arsyetohet apo si do t’i kërkoj dikujt realitet në vlerësimin e dueleve kur vet i ka shkel rregullat dhe fundi i fundit, çka iu ka dashtë vetëm nëse ka kalu edhe ky në profi e dëshiron të vazhdoj aktivitetin e tij në profi edhe ashtu është ka përfundimi i karrierës, mbetet të shihet ky veprim ku nuk ka pas nevojë që të gjendet në këtë përbërje ku ata janë ekip komplet”, ka nënvizuar Konjuhi. 

Ku gaboi Ajet Rreci në meçin e Haxhi Krasniqit? 

 “Sa i përket gabimit të referit të vetëquajtur ndërkombëtar, këto gabime nuk janë të rastësishme kur e ceka edhe më parë se i tërë ekipi kanë bërë gabime.

Dihet edhe në rregullore shkruan se në ring përveç dy boksierëve i vetmi njeri që gjendet në ring është referi, i të cilit roli dhe detyra e tij është autonome për mbarëvajtjen e duelit sipas rregullave dhe është përgjegjës për vendimet që i merr, vendimet që i ka marr në të shumtën e rasteve ka qenë kundër çdo rregulloreje, në boksin profesionist nuk shqiptohen vërejtjet publike aq lehtë sepse ka shumë tolerancë në goditje, shqiptimi më sa kam numëru diku 7 vërejtje publike janë shqiptu deri kur erdhi rundi i 9-të dhe pas tubimit të listave poentuese ka vërejt se Haxhiu do e humb duelin doli ne skenë dhe mori tërë barrën e referëve dhe vendosi vetë për vendimin e marr të gabuar.

Për mendimin e te gjithë komentuesve që po i shoh në rrjetet sociale, këto veprime nga referët janë marr pasi që në këto duele fare nuk ka pas zyrtar ndërkombëtar të cilët udhëheqin me garat dhe për gabimet e tyre nuk kanë pas mi dhanë askujt llogari apo që të kesh frikë se do të ndëshkohen me këto marifete që po ndodhin.

Federata profesioniste i ka organet e veta se si veprojnë, por edhe federata e boksit olimpik duhet jetë me azhure për veprimet e anëtarëve të vet duke e njollos imazhin e boksit dhe është koha të riorganizohen, të rivlerësohet puna, të tubohen njerëzit që munden të kontribojnë për rimëkëmbjen riaftësimin e personave zyrtar, të kërkohet ndihmë nga personat që munden të kontribojnë prej ish legjendave, ish trajnerëve, ish referëve, ish punëtorëve që dikur kanë kontribu dhe kanë pas një bagazh eksperience në kurrizin e tyre, po shihet se plejada e re si e trajnerëve si e referëve nuk kanë kapacitet se si të dalin prej kësaj krize kur dihet e kaluara sportive e tyre e që besa edhe ngritja e tyre intelektuale”, shprehet Konjuhi.

Më tej merr shembull trajnerin më të madh që ka pas Kosova në boks, Lah Nimani.  

“Ne e kemi pas një trajner Lahin i cili ka pas suksese ne boks por edhe dihet se ka qenë edhe profesor i shkencave sportive pra e ka njohur metodat udhëheqëse pedagogjike përgatitore, psiko - fizike dhe ka njohur kapacitetin e çdo boksieri se sa mund të arrin në sport”, ka përfunduar Konjuhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat