​Robin Krasniqi kritikon komentimin e duelit me Mohammedi

Boksi

​Robin Krasniqi kritikon komentimin e duelit me Mohammedi

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 20:52
​Robin Krasniqi

Boksieri nga Juniku, Robin Krasniqi ka reaguar pas disa komenteve se ai “e ka humbur duelin ndaj kundërshtarit të tij, Nadjib Mohammedi” dhe se “referi i ka dhënë fitoren”. Ai ka kritikuar komentimin që i është bërë duelit të 5 gushtit, duke thënë se ishte jo vetëm skandaloz, por edhe tendencioz.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se ish-boksieri, Afrim Majanci, nuk ka komentuar asnjë goditje të tij të pastër, madje as ato nga të cilat kundërshtari është dridhur në tri raundet e para.

Reagimi i tij i plotë:

Tani po bëhen gati 20 vite nga kur unë kam filluar me boks profesionist dhe të shtunën e 5 gushtit në mbrëmje, e zhvillova duelin e 60-të. Ndërkohë i kam fituar 2 tituj të botës, 2 tituj evropian dhe dhjetëra tituj internacional, por dje dhe sot e kuptova nga rrjetet sociale se unë nuk po e kuptoja boksin fare, madje paskam ardhur në Kosovë për të më falur referi fitoren.

Sipas ekspertëve të rrjeteve sociale, individëve të caktuar, që çdo gjë bëjnë për të krijuar klikime dhe sipas komentatorëve zyrtarë që e kanë komentuar duelin tim të së shtunës, unë vërtet e paskam humbur duelin dhe fitoren ma paska dhuruar referi.

Me këto dy grupet e para me të vërtetë nuk do merrem fare, sepse është shumë në rregull nëse e kanë një pikëpamje tjetër për shkak se nuk janë profesionistë të fushës, por unë pasi e shikova duelin me komentim, kam mbetur pa koment dhe vërtetë secilin nga "ekspertët" e rrjeteve sociale, e kuptoj, meqë edhe ata e kanë dëgjuar atë komentim.

Komentimi i analistit të quajtur Afrim Majanci i cili është një ish-boksier amator i njohur në Kosovë, ishte jo vetëm skandaloz por edhe tendencioz, ndërkaq komentet e tij ndikonin edhe në komentimin e kolegut të tij, i cili siç dukej pak kishte lidhje me boksin.

Së pari dua të përgëzoj kundërshtarin tim Nadjib Mohammedi për luftën e tij të përzemërt dhe për duelin e madh që ma dhuroi, sepse pa kundërshtar cilësor nuk ka duel cilësor, por ai jo vetëm që humbi me pikë, por u diskualifikua shumë më vonë se që u desh të diskulifikohej, sepse boksi nuk është MMA. Unë ose boksoj ndaj një kundërshtari cilësor, ose nuk boksoj fare, andaj qëllimi im dhe i ekipit tim ka qenë gjithmonë që të sjellim kundërshtar të nivelit të lartë botëror në Kosovë dhe këtë e kemi bërë.

Po kthehem tek komentimi i ztr. Afrim Majancit. Ky zotëria në këtë duel asnjë goditje timen të pastër nuk e paska komentuar, madje as goditjet nga të cilat është dridhur kundërshtari në 3 raundet e para nuk i paska vërejtur. Ndërkaq goditjet pas koke, goditjet me pjesën e brendshme të dorëzave dhe shumë goditje të tjera të pa-pastra, e të palejuara, të kundërshtarit tim nuk i komentoi aspak. Edhemë skandaloze është se ky zotriu as qortimet dhe heqjen e pikëve të kundërshtarit nga referi nuk i kishte parë fare dhe nuk i paska komentuar. Vlerësimi i tij i vetëm paska qenë të shkuarit përpara me kokë nga ana e kundërshtarit.

Nëse unë boksoja në defanzivë atë e quante humbje, ndërsa ofanzivën e quante prirje, pa marrë parasyshë se goditjet më të shumta të kundërshtarit kanë përfunduar në mbrojtjen time!

Unë nuk e di për çfarë arsye ky zotri ia paska “huq” aq fort, por më vjen sinqerisht keq për tifozët e boksit të cilët drejtpërdrejt janë keq-informuar, sepse zëri i komentuesit natyrisht se ndikon shumë tek vlerësimi final i një teleshikuesi. Gjithashtu më vjen keq për partnerin tanë televiziv TËVË1 i cili ka bërë gjithçka që transmetimi të realizohet edhe pse kushtet atmosferike na sollën gati deri tek anulimi i të gjithë mbrëmjes. Kështu përgjegjësia “profesionale” mbetet vetëm tek "profesionistët e rrjeteve sociale" të cilët e marrin detyrën për të komentuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat