Luan Krasniqi jep lajmin e hidhur 

Boksi

Luan Krasniqi jep lajmin e hidhur 

Nga: K. G. Më: 11 tetor 2023 Në ora: 15:32
Luan Krasniqi e Theo Kerekesch

Legjenda e boksit, Luan Krasniqi, jep lajmin e hidhur për komunitetin e boksit dhe sportit në përgjithësi.

Ka vdekur trajneri i tij i parë.

“Më 27 shtator 2023 u nda nga ne fizikisht trajneri im i parë, Theo Kerekesch. 

Lajmi për ikjen e tij më tronditi në kuptimin e plotë të kësaj fjale, vetëm  unë e di se ç’njeri kam humbur! 

E vetmja gjë që më ngushëllon në njëfarë  dore është fakti se unë e pata vizituar dy muaj para se ai të ndërronte jetë. Kaluam çaste të paharrueshme, më tha se e kishte parandjerë vizitën time, kishte parë ënderr një natë përpara se do ta vizitoja atë në Rotweil. Unë prej shumë vitesh jetoj në Hamburg, në skajin tjetër të Gjermanisë. 

Askush në jetën time sportive nuk ka pasur një ndikim kaq të madh si ai, një ndikim kaq vendimtar, sa që është pak të them se kam humbur mësuesin tim të çmuar të jetës. 

Theo Kerekesch ka  qenë një udhërrefyes në jetën time sportive e një njeri i madh, më ka njohur më mirë se askush tjetër si sportist dhe ka ditur t’i aktivizojë në personin tim rezervat e fundit në situatat më ekstreme me të cilat ballafaqohet një sportist në boks. Fjalët e tij inkurajuese unë nuk mund t’i harrojë kurrë, ndaj dhe e di ç’njeri kam humbur me vdekjen e tij. Mund të them se ai ishte babai i suksesit tim të mëvonshëm në skenën ndërkombëtare të sportit jo vetëm amator, sepse ai mbeti trajneri im edhe për  një kohë në boksin profesionist. 

Një gjë është e sigurt: unë kurrë nuk do të kisha arritur atë që kam arritur, nëse nuk do të kisha takuar në fillimet e mia të karrierës sportive këtë njeri, te  cilit i detyrohem si askujt tjëter.

Këto foto u shkrepën nga takimi jonë i fundit  me 08.06.23. 

Të premten që vjen, më 13.10.23 bëhet varrimi. 

Ngushëllimet e mia për gruan e tij Barbara, djalin e tij Harald dhe vajzat e tij Annemarie dhe Karin.

Pusho në paqe, i dashur Theo!”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat