​Syla flet si kampion Ballkanik: Dua titullin e botës në boks, ndjek hapat e Tyson Furyt

Boksi

​Syla flet si kampion Ballkanik: Dua titullin e botës në boks, ndjek hapat e Tyson Furyt

Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 08:47
Donat Syla

Donat Syla është shpallur kampion i Ballkanit për të rinj në kampionatin që u zhvillua në Rumani, fundjavën e kaluar.

Në finalen e madhe, Syla u ballafaqua me boksierin nga Bosnja e Hercegovina, Kunovac Nijaz ndaj të cilit u shpall fitues me vendim unanim të gjyqtarëve.

Një sukses i tillë, Syla thotë se nuk ishte aspak i lehtë që të arrihet.

“E vështirë ka qenë normalisht, por me përgatitje e kam bërë të mundshme edhe konkurrenca nuk ka qenë e lehtë. Në gjysmëfinale e kam pasur boksierin rumun, e kam fituar me rezultat unanim 5-0. Në finale e kam pasur kundërshtarin nga Bosnja, edhe atë e kam mposhtur me vendim unanim dhe u stolisa pastaj me medaljen e artë”, ka thënë Syla.

Duke folur për KosovaPress, Syla zbulon se kishte provokime nga boksierët serbë e rumunë, andaj kjo e bëri edhe më të rëndësishme ngritjen e flamurit të Kosovës mbi gjithë të tjerët.

“Normal që është e rëndësishme se për një vend që nuk e njeh Kosovën të këndohet himni aty. Por, ka pasur edhe provokime ngapak por ne jemi sportistë dhe nuk i kemi shikuar ato provokime...Ka pasur nga boksierët rumunë e nga boksierët serbë, të cilët kanë thënë gjëra jo sportive”, ka theksuar Syla.

Derisa renditë medaljet që ka fituar deri më tani, boksieri 18 vjeçar tregon hapur synimin që të shpallet edhe kampion i botës në boks.

“Jam i kënaqur sepse unë në jo shumë meçe kam arritur të marrë medalje të mëdha, jam bërë kampion i Ballkanit, e kam medaljen e bronztë në Evropë, kampion i Kosovës dhe medalje të arta në shumë turne ndërkombëtar...Synimet janë, do Zoti të bëhem kampion i botës dhe me stërvitje po mendoj që mund të bëhet.”, ka theksuar më tutje Syla.

Në rrugëtimin e tij, Syla thotë se ka mbështetjen e fuqishme të familjes, por diçka e tillë po mungon nga ana e shtetit.

“Unë fatmirësisht e kam përkrahjen nga prindi dhe më ka ndihmuar shumë. Stërvitem nga dy herë në ditë kur kam gara të forta si kampionate ballkanike dhe evropiane edhe jam stërvitur dy herë në ditë. Përkrahje nuk ka shumë nga shteti, por çfarë të bëj?”, thotë Syla.

Në rrugën drejt titujve, ai thotë se frymëzohet nga Donjeta Sadiku, por në ring thotë se lufton me stilin e anglezit, Tyson Fury.

“Ajo i ka marrë e para medaljet evropiane dhe botërore për senior, tani mund ta shohim edhe ne që nuk është e pamundur për ne që të marrim edhe ne medalje kur të dalim në kategorinë e seniorëve... Në Kosovë nuk do të thoja por më pëlqen Tyson Fury, është anglez, e përcjell shumë, më pëlqen stili i tij dhe mundohem ta kopjoj. Atë lloj të stilit e kam”, tha deklaruar Syla.

Tejet i kënaqur me suksesin e Sylës është ndarë edhe sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli, i cili thotë se kishte pritur që boksieri kosovar të fitonte medalje në Rumani.

“Po, sidomos nga Donati e kemi pritur sepse është boksier i prekur dhe tani pas dy muajve kalon tek boksierët senior në elitë dhe kjo ishte karriera e tij e fundit tek të rinjtë dhe është edhe medalist i Kampionatit Evropian për të rinj nga Budva para dy viteve, prej tij e kemi pritur dhe e ka realizuar atë për çfarë edhe kemi shkuar. Ky ishte edhe një sukses për arsye se ishim në një shtet që nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe të ngritët himni dhe flamuri në një shtet që nuk na njeh është problem, por ne me kohë e kemi sqaruar këtë punë që nëse nuk ngritët himni dhe flamuri i Kosovës ne nuk do të marrim pjesë”, bëri të ditur Demolli.

Ndryshe, Kosova në Kampionatin Ballkanik fitoi pesë medalje: Një të artë, dy të argjendta dhe dy të bronzta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat