Një fitore larg zonës së medaljeve

Boksi

Një fitore larg zonës së medaljeve

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 12:58
Artur Koçi,- djathtas

Jo më kot Ahmed Koçi është nënkampion në fuqi i Evropës në boks, dhe e ka detyrim që të shkëlqejë edhe në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan.

Boksieri “kuqezi”, i drejtuar si trajner nga babai i tij, Artur Koçi, u përball me grekun Petros Topalos, dhe u tregua superior.

Pavarësisht kapjeve me duar dhe ndërprerjeve të shpeshta të ndeshjes, shqiptari dominoi me talentin e tij, duke mos lënë asnjë dyshim.

Dueli ishte për peshën nga 66 deri në 70 kg, e njëjta peshë në të cilën Koçi fitoi medaljen e argjendtë në Europian në fund të muajit korrik të këtij viti.

Vendimi i gjyqtarëve ishte unanim me pikë, 5-0, pra që të pestë ishin për boksierin shqiptar. Tashmë, Koçi është vetëm një hap larg zonës së medaljes, pra larg gjysmëfinaleve.

Këtë të enjte do të ketë përballë një rival më të fortë sesa grekun, polakun Fabian Urbanski.

Ky boksier ishte vjet nënkampion i Europës, ndërsa këtë vit fitoi medaljen e bronzit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat