Maca çon Shqipërinë në finalen e Botërorit të Boksit për U-16

Boksi

Maca çon Shqipërinë në finalen e Botërorit të Boksit për U-16

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 17:38
Adam Maca

Një rezultat i jashtëzakonshëm për Shqipërinë vjen nga Kampionati Botërori i Boksit për juniorë, aktivitet që po mbahet në Jerevan të Armenisë që prej datës 24 nëntor. Adam Maca ka shënuar një arritje historike, duke u kualifikuar për në finalen e peshave 54-57 kg.

Boksieri i talentuar nga Mirdita, i cili është pjesë e klubit shkodran “North Boxing Albania” dhe stërvitet nga trajneri Klaudio Çekini, ka bërë një paraqitje fantastike në gjysmëfinalen e zhvilluar sot.

Ai ka mposhtur me rezultatin 5-0 kundërshtarin nga Afganistani, Amanollah Sahak.

Me një teknikë të shkëlqyer dhe grushtimin e tij perfekt, Maca u shfaq tërësisht dominues në ring, duke merituar kualifikimin për në finale. Me këtë rezultat, Maca tashmë ka të sigurt medaljen e argjendit, por 15-vjeçari kuqezi sigurisht që do të japë gjithçka për të fituar të artën në finalen e të dielës, aty ku do të gjejë përballë rusin Platon Kozlov.

Me mbërritjen në finale, Maca ka vendosur edhe rezultatin më të lartë në historinë e boksit shqiptar në një Kampionat Botëror.

Në duelet e tij të mëparshme në Botërorin që po mbahet në Armeni, Maca fillimisht mposhti uzbekistanasit Pahlavonjon Ibrohimov me rezultatin 5-0 më 28 nëntor.

Më pas më 30 nëntor ka kaluar me sukses edhe ndeshjen e tij të dytë, teksa triumfoi me KO në raundin e dytë kundër bjellorusit Tsimor Siankevich.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat