Lindsay Lohan i rikthehet muzikës me “Back to me”

Bota e Yjeve

Lindsay Lohan i rikthehet muzikës me “Back to me”

Më: 6 prill 2020 Në ora: 14:12
Lindsay Lohan

Aktorja Lindsay Lohan, karriera premtuese filmike e së cilës është shkatërruar para një dekade, për shkak të një sërë skandalesh në jetën e saj personale përfshirë këtu edhe abuzimin me substancat narkotike, së fundmi e ka shënuar rikthimin e saj në skenën muzikore.

Paralajmërimin e këngës së re, Lohan e bëri përmes një postimi në rrjetet sociale ku kishte shkruar: “Jam rikthyer”.

Ylli 33-vjeçar i filmit “Mean Girls”, po ashtu i ka ndarë me fansat e saj disa sekuenca nga karriera e saj e trazuar.

Kënga e re e Lohanit tashmë është publikuar në YouTube në versionin audio, dhe e mban titullin “Back to me”. Në tekstin e saj, këngëtarja i referohet jetës problematike edhe pse, “Back to me” vjen me shumë ritëm. Ende nuk dihet nëse së shpejti, kënga do të shoqërohet edhe me videoklip.

Lajmi për rikthimin e saj në muzikë, u bë trend i menjëhershëm në Twitter, megjithëse u prit me reagime të përziera.

“Më fal motër, por jemi në mes të një pandemie globale,” kishte shkruar një person duke iu referuar koronavirusit, sëmundje kjo e cila ka ndikuar në jetët e njerëzve anembanë botës si dhe i ka marrë më shumë se 69 mijë jetë.

Lindsay Lohan, dikur njëra prej aktoreve më të paguara në Hollywood, është regjistruar në gjashtë qendra të rehabilitimi ndërmjet viteve 2007 dhe 2013, si dhe disa herë ishte burgosur për arsye të ndryshme si, vjedhja, ngasja e veturës në gjende të dehur dhe posedimi i drogave. Viteve të fundit, aktorja dhe këngëtarja kishte jetuar në vende të ndryshme si: Londra, Dubai dhe Greqia.

Edhe pse më shumë njihet si aktore, në vitin 2008 Lohan e kishte lansuar këngën e saj të fundit të titulluar “Bossy”.

Në vitin 2019, ajo e lansoi shoun televiziv në MTV me titull, “Lohan Beach Club”, i cili i shfaqte përpjekjet e saj për ta krijuar një klub të natës dhe një restorant në Greqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat