Ish miss Shqipëria Edlira Mema flet për takimin e saj të parë me Jean-Claude Van Damme

Bota e Yjeve

Ish miss Shqipëria Edlira Mema flet për takimin e saj të parë me Jean-Claude Van Damme

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 15:58
Edlira Mema

Edlira Mema vajza që spikati për tiparet e saj tipike mesdhetare, thjeshtësinë dhe elegancën, e kurorëzuar si më e bukura e Shqipërisë në vitin 2005, rrëfen në këtë intervistë ekskluzive çfarë po ndodh me jetën e saj. Pas një shkëputje të gjatë nga fokusi I mediave ajo u rikthye si imazhi I një videoklipi.

Cilat janë projektet e saj për të ardhmen dhe çfarë synon ajo të kompletojë në jetën personale? Të gjitha përgjigjet për këto pyetje I gjeni në këtë rrëfim ekzkluziv të Edlirës…

Edlira, ka vetëm pak ditë që është publikuar kënga “Tarantella”, një projekt muzikor nga DJ Sardi në bashkëpunim me këngëtarin Marko Strazimirin. Ju, aty jeni imazhi, figurantja, aktorja, personazhi kryesor i fabulës së këngës dhe klipit. Si erdhi kjo ftesë për të qenë pjesë e këtij videoklipi?

Mua mu bë ky propozim në një moment që se prisja fare, duke marrë parasysh edhe faktin që unë nuk qëndrova në botën e televizionit në momentin që ishte më e përshtatshme që kjo të ndodhte, pra pas kurorëzimit si Miss Shqipëria. Kënga kishte si kriter tiparet mediterrane të një vajze të stilit të vjetër të ndërthurur me atë modern, të një imazhi të pakonsumuar, kritere që unë i përmbushja… E pranova me kënaqësi dhe besoj e shpresoj të jetë pëlqyer nga audienca duke marrë parasysh që është edhe një këngë e përshtatshme për stinën e verës.

Kanë kaluar më shumë se një dekadë e gjysëm nga viti kur Ju u shpallët nga kalaja e Kaninës në Vlorë “Miss Shqipëria 2005”, çfarë kujtoni nga ai moment?
Mbaj mend që kam qenë shumë entuziaste dhe shumë e lumtur për pjesëmarrjen time në Miss Shqipëria. Kisha deri diku vetëbesim pasi ishin të shumtë personat që më komplimentonin për pamjen dhe kjo ishte një shtysë më shumë që unë të ecja me hapa të sigurtë mbas atij rrugëtimi..Kam patur suportin e familjes gjatë gjithë kohës dhe kanë qenë me mua në çdo moment deri në ditën që fitova titullin në Kalanë e Kaninës në Vlorë. Kanë qenë ditë impenjative por kënaqësia që mora në këmbim ishte e shumëfishtë.

Për një kohë të gjatë keni qëndruar larg objektivit të kamerës dhe aparatit fotografik, gjithashtu dhe mediave rozë. Pse ky vendim dhe njëkohësisht çfarë të bëri të riktheheshe?

Pasi u kurorëzova Miss Shqipëria më erdhi një ofertë nga Top Channel që kishte si format kamerat amatore. Mendova që ishte fillim i mbarë për të hedhur themelet dhe për të ndërtuar karrierën time në televizion por kjo nuk ndodhi dhe tërheqja ndodhi nga ana ime. Zgjedhje e mirë apo jo, kështu ndodhi. Pastaj në lidhje me jetën private kam qenë e rezervuar. Gazetarët depërtojnë aq thellë edhe kundra vullnetit të dikujt saqë kanë publikuar edhe gjëra që une si dija për veten time. Ha ha ha

Edlira ju jeni një vajzë e bukur, unë nuk po kursehem t’ju them një të vërtetë dhe jo kompliment se; jeni një nga vajzat më të bukura të Tiranës. Si ia bëni të jeni në formë kaq të mirë fizike dhe vizuale?

E para të më falësh për modestinë por bukurinë e kemi genetike, kujdesem për veten në aspektin fizik, kam një regjim të zakonshëm ushqimor dhe ushtrohem në palestër kur gjej kohë. Jam kundër ndërhyrjeve estetike vend e pavend, përveç rasteve kur është e domosdoshme të ndërhyhet. Ndërhyrjet plastike janë një trend i kohës në aspektin negativ. Shoh vajza shumë të bukura ujë e sapun që tjetërsohen dhe shëmtohen. Kjo më duket e tepërt.

Është Edlira Mema një feministe? E bëj këtë pyetje, pasi femrat në Shqipëri nuk janë aq suportuese ndaj femrave të bukura dhe të arrira të ekranit, politikës, biznesit, sportit etj.

Lufta brenda llojit është më e ashpër. Unë jam suportuese sepse nuk kam mangësi në aspektin fizik. Jam suportuese gjithashtu për rastet kur femrat dhunohen fizikisht dhe psikologjikisht. Kjo e fundit më bën të ndiehem keq. Dhe fatkeqësisht kohët e fundit kjo gjë po ndodh rëndom.

Si i përkufizon Edlira meshkujt shqipëtar?

Mendoj që ka shumë meshkuj dhe pak burra. No coment.

Ju keni punuar si zëdhënëse në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN-ja). Si është të jesh pjesë e administratës publike dhe çfarë përgjegjësish e vështirësish ka puna e një zëdhënëseje në një institucion?

Puna në administratë mendoj që është shumë e pershtatshme dhe komode për një femër. Mua mu propozua ky pozicion pasi ishte kriter edhe pamja e jashtme në lidhje me prononcimet që duhet të bëja për median. Ishte një eksperiencë afatshkurtër në këtë pozicion por tepër mbresëlënëse.

Thonë se me moshën ndryshon njeriu dhe bashkë me të edhe pasionet e tij. Dikur pasioni juaj ka qenë piktura, televizioni, sfilatat, sporti, juristprudenca, po sot që i keni kaluar prefiksin +30 çfarë pasionesh ka Edlira?

Kam dëshirë të rikthehem sërish në administratë pas një shkëputje që ndodhi me vullnetin tim. Dua të krijoj familje dhe të kem shumë fëmijë. Fëmijët i adhuroj. Gjithashtu më pëlqejnë jashtë mase dhe udhëtimet të cilat më relaksojnë dhe këtë gjë e bëj shpesh kur është mundësia. Me kalimin e moshës prioritetet ndryshojnë.

Keni bërë shumë udhëtime nëpër Europë dhe jashtë saj, keni takuar dhe biseduar me njerëz të rëndësishëm të biznesit dhe artit (kinematografisë/modës). Kur jeni prezantuar se vini nga Shqipëria çfarë komentesh dhe impresionesh ju kanë shprehur për vendin dhe për Ju?

Është e vërtetë që udhëtoj shumë dhe kam njohur kultura të reja dhe njerëz të rinj. Nuk jam ndierë e paragjykuar kur kam thënë se vij nga Shqipëria ( të paktën tek unë nuk është shfaqur kjo gjë ) të huajt janë shumë “open mind” dhe në vendet e zhvilluara këto gjëra nuk ekzistojnë. Në Bruksel pata fatin të takoj aktorin e njohur Jean-Claude Van Damme ku kemi diskutuar dhe kemi bërë dhe humor (ishte një njeri mjaft i thjeshtë). Ai ishte i informuar për Shqipërinë madje dhe shoqëruesi i tij ishte kosovar prej Shqipërie.

Cila është passporta e një vajze të zgjuar sot, në Shekullin e XXI-të, pamja e jashtëme, edukata, kultura, diploma PhD apo….?

Unë mendoj që është e nevojshme një ndërthurje e pamjes dhe intelektit që të kompletohet imazhi I dikujt. Nuk dua të tregohem e cekët në gjykim por imazhi ndihmon shumë. Pastaj është zotësia e kujtdo që të përsosë imazhin dhe të shfrytezojë e menaxhojë mundësitë që i jepen në jetë. Fatkeqsëisht Shqipëria nuk të ofron shumë mundësi dhe meritokracia ka mbetur thjesht një nocion.

Ju jeni vajza e një ekonomisteje dhe mjeku. Të dy prindër intelektual, por gjithashtu edhe vajza e xhaxhit e gazetarit të mirënjohur, Marin Memës dhe po ashtu edhe e moderatores simpatike, Dojna Mema. Pra, fisi Mema një mbiemër vlerash dhe figurash të njohura të ekranit. Si është marrëdhënia juaj me prindrit dhe çdo të thotë të mbartësh një mbiemër ku pena dhe dija janë dy ideale të forta?

Oh sa e bukur kjo pyetje. Unë vij nga një familje intelektualësh, është e vërtetë, jam shumë e lidhur me familjen dhe kaloj shumë kohë me ta. Jam vërtet krenare që njerëzit e mi të afërt (Marini& Dojna janë të afirmuar në botën e spektaklit dhe televizionit dhe kanë punuar fort për statusin dhe emrin që kanë formuar. Gjithësesi unë kam krijuar staturën time dhe tani jam e sigurt në planet dhe synimet që kam për vazhdimësinë time. E di se çfarë dua.

Ofertat për të qenë pjesë e televizionit besoj se nuk ju kanë munguar ndonjëherë, po agjencitë e modës ju kanë afruar ndonjë projekt të mirë për të qenë imazhi i ndonjë veshje, aksesori, produkti apo…?

Ofertat nuk më kanë munguar kurrë, madje dhe sot e kësaj dite që ne flasim, por kam qenë unë që i kam refuzuar, dëshirë e imja kjo. Ndoshta nga momenti që do më ofrohet diçka që më përshtatet vërtet do ta rishikoja e vlerësoja pse jo ndoshta dhe pranoja.

2020- ta ka qënë një vit me ditë të vështira. Në muajt në vazhdim a do ta shohim Edlirën në një projekt konkret?

Është e vërtetë që 2020 ka qenë vit i vështirë për të gjithë. Në fillim tërmetet pastaj pandemia, jemi të gjithë të rrezikuar dhe frika është prezente në çdo moment. Për sa i përket televizionit, jetës nuk i dihet asnjëherë, thotë bukuroshja.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat