Maduro refuzon ultimatumin e BE-së

Bota

Maduro refuzon ultimatumin e BE-së

Më: 27 janar 2019 Në ora: 19:13
Presidenti Nicolas Maduro

Presidenti Nicolas Maduro ka refuzuar t’i bindet ultimatumit të BE’së, por është shprehur i gatshëm të takohet me presidentin Donald Trump për të zgjidhur krizën që ka përfshirë Venezuelën. Ndërkohë në radhët e ushtrisë, e konsideruar aleate besnike e Maduros, kanë nisur përçarjet.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka refuzuar ultimatumin ndërkombëtar për zgjedhje të parakohshme dhe ka akuzuar liderin e opozitës Juan Guaido se ka shkelur kushtetutën duke u vetëshpallur kryetar shteti.

Në një intervistë për degën turke të CNN, Maduro ka deklaruar megjithatë se është i hapur për dialog dhe për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump, një takim për të cilin ai është shprehur i vetëdijshëm se ka pak gjasa të ndodhë por që nuk është i pamundur. Uashingtoni, që më herët gjatë javës njohu Guaido si lider të vendit latin, përsëriti të shtunën apelin drejtuar vendeve të botës për të zgjedhur anën e duhur në Venezuelë dhe të ndërpresin lidhjet financiare të presidentit Maduro.

Aktualisht Venezuela është e përfshirë nga një vorbull tensionesh dhe protestash, të shkaktuara nga kriza ekonomike, mungesa e ushqimit bazë, emigracioni i lartë dhe inflacioni që këtë vit është rritur në 10 milion për qind.

Maduro vijon të besojë se gëzon besnikërinë e ushtrisë, por përfaqësuesi kryesor ushtarak i Karakasit në Shtetet e Bashkuara dezertoi në favor të Guaido.

Në një video të filmuar në ambasadën venezueliane në Uashington, kolonel Joze Luis Silva bëri thirrje për zgjedhje të lira dhe apeloi vëllezërit e tij ushtarë që të mos e njohin më Maduron si liderin legjitim.

“Forcat e armatosura kanë një rol thelbësor në rivendosjen e demokracisë në vendin tonë. Ndaj ju lutem, vëllezër, mos e sulmoni popullin”, deklaroi ushtaraku. Ai shtoi më vonë në një intervistë për “Reuters” se dy oficerë të tjerë të lartë të akredituar në Shtetet e Bashkuara kishin dezertuar gjithashtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat