Sipas rezultateve të fundit, Netanyahu i ka humbur zgjedhjet në Izrael

Bota

Sipas rezultateve të fundit, Netanyahu i ka humbur zgjedhjet në Izrael

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 15:01
Benjamin Netanyahu

Kryeministri i deritashëm i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është gjendur përballë negociatave të vështira me rivalin e tij kryesor për ta zgjidhur bllokadën politike pas rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve.

Netanyahu, i cili po lufton për mbijetesë politike, pritet të takohet me ish-gjeneralin e ushtrisë, Benny Gantz, të mërkurën pasdite për të biseduar për ndarjen e pushtetit, pak kohë pasi rezultatet e bisedimeve të jenë paraqitur zyrtarisht te presidenti Reuven Rivlin.

Presidenti ende nuk e ka caktuar mandatarin për formimin e qeverisë së re, por po përpiqet që t’i bëjë bashkë të dyja blloqet për ta themeluar një koalicion të unitetit. Ai shpreson se një varg takimesh të kësaj jave do ta zhbllokojë ngërçin politik dhe t’i shmang zgjedhjet e reja.

Sipas rezultateve përfundimtare, të publikuara në mesnatën e kaluar nga komisioni i zgjedhjeve, partia “E Kaltra dhe e Bardha” e ish-gjeneralit Benny Gantz i ka fituar 33 ulëse në kuvendin me 120 anëtarë, ndërsa partia e Netanyahu-t, Likud, i ka fituar 32. Në vendin e tretë është Lista e Bashkuar Arabe me 13 ulëse.

Pavarësisht se i fitoi shumicën e ulëseve, partia e Gantz-it arriti ta sigurojë mbështetjen e vetëm 54 deputetëve për koalicion, ndërsa partia e Netanyahu-t i siguroi 55 vota. Sidoqoftë, për formimin e qeverisë së re nevojiten së paku 61 ulëse.

Presidenti i Izraelit është zotuar se do t’i shmang zgjedhjet e treta brenda një viti, duke kërkuar komunikim të drejtpërdrejt mes dy partive kryesore, shkruan “Independent”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat