OBSH-ja do të hetojë origjinën e koronavirusit në Vuhan

Bota

OBSH-ja do të hetojë origjinën e koronavirusit në Vuhan

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 23:48
Fabian Leendertz

Një ekip prej 10 shkencëtarëve ndërkombëtarë do të udhëtojë në qytetin kinez, Vuhan muajin e ardhshëm, për të hetuar origjinën e koronavirusit, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Pekini ka hezituar që të pajtohet për një hetim të pavarur andaj kanë kaluar shumë muaj negociata me OBSH-në për të fituar qasje në qytet.

Virusi besohet se ka dalë nga një treg i kafshëve.

Mirëpo kërkimet për burimin e saktë të tij kanë nxitur tensione, sidomos me Shtetet e Bashkuara.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka akuzuar Kinën për tentim të fshehjes së shpërthimit fillestar.

Biologu Fabian Leendertz, nga ekipi që do të udhëtojë në Vuhan, ka thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press se OBSH-ja nuk po kërkon fajtorin, mirëpo po synon të parandalojë shpërthimet tjera në të ardhmen.

Ai ka thënë se synojnë të kuptojnë kur virusi ka nisur të qarkullojë dhe nëse ka pasur origjinën në Vuhan.

“Misioni pritet të zgjasë për katër deri në pesë javë”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet në gjithë botën kanë raportuar për mbi 73 milionë persona të infektuar me koronavirus.

Prej tyre mbi 1.6 milion kanë vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat