Bjellorusia do ta mbyllë ambasadën në Kanada

Bota

Bjellorusia do ta mbyllë ambasadën në Kanada

Më: 26 maj 2021 Në ora: 08:30
Flamuri kanadez

Bjellorusia ka njoftuar më 25 maj se do ta mbyllë ambasadën e saj në Kanada, pasi kryeministri kanadez Justin Trudeau ka dënuar devijimin e detyruar të një aeroplani dhe arrestimin e një gazetari të njohur bjellorus, duke thënë se sanksionet e mundshme janë në tavolinën e negocimit.

Në faqen e saj online, ambasada në Otava ka thënë se do të mbyllet nga 1 shtatori dhe do të ndalë shërbimet konsullore prej 10 korrikut, pas një “bashkëpunimi përfitues për të dyja palët” për 24 vjet.

I ngarkuari me punë në Kanada Evgeny Russak, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se vendimi “nuk ka qenë spontan” dhe është bërë në bazë të një analize për “ndikimin praktik të kontakteve tona bilaterale”.

Përgjatë një konference për media, Trudea e ka konsideruar “të paligjshme dhe totalisht të papranueshme” ndërrimin e drejtimit të një fluturimi të kompanisë Ryanair dhe arrestimin e gazetarit Raman Pratasevich.

Ai po ashtu ka thënë se Kanadaja do të analizojë nëse do të shtojë sanksionet ndaj regjimit të liderit autoritar Alyaksandr Lukashenka.

Duke ndjekur vendimet e shteteve tjera, Kandaja po ashtu ka këshilluar kompanitë ajrore kanadeze që të shmangin hapësirën ajrore bjelloruse, për shkak të shqetësimeve për siguri.

Në koordinim me Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, Kanadaja ka sanksionuar zyrtarë bjellorusë pas zgjedhjeve presidenciale të diskutueshme në gusht të vitit të kaluar./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat