Shkencëtarët i drejtojnë ultimatum Kinës

Bota

Shkencëtarët i drejtojnë ultimatum Kinës

Nga: Sherif Ramabaja Më: 28 qershor 2021 Në ora: 18:47
Tregu i Huanan në Wuhan: Në janar, një mision nën mbikëqyrjen e OBSH-së kërkoi origjinën e koronavirusit

Një grup studiuesish ndërkombëtarë të njohur jozyrtarisht si "Grupi i Parisit" po bën fushatë për hetime të reja mbi origjinën e Sars-CoV-2. Mundësia e një aksidenti kërkimor, duhet gjithashtu të hetohet. Nëse Kina nuk bashkëpunon, studiuesit shohin vetëm një rrugëdalje.

Është ende e paqartë se cila është origjina e koronavirusit Sars-CoV-2. Misioni i parë në emër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Wuhan, nuk mund ta sqaronte përfundimisht këtë pyetje. Përveç kësaj, kishte kritika pasi hetimet llogaritej se kishin mbaruar. Me një kërkesë tjetër të hapur, në të cilën ntv.de tashmë kishte qasje para se të botohej, bëhej e ditur se një grup studiuesish ndërkombëtarë, tani po mbështesin një përpjekje të re – dhe kuptohet, duke i shtruar Kinës një ultimatum.

Grupi i njohur si "Grupi i Parisit", është një shoqatë e lirë prej rreth 40 shkencëtarësh nga disiplina të ndryshme. Ata punojnë për të siguruar, që të gjitha hipotezat të hetohen në kërkimin e origjinës së pandemisë - përveç një zoonoze, d.m.th transmetimi nga kafshët tek njerëzit, duke supozuar gjithashtu, mundësinë e një aksidenti studimor. Studiuesit theksojnë se nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht një virus i modifikuar gjenetikisht. Një aksident, gjatë mbledhjes së mostrave nga lakuriqët e natës është gjithashtu i mundshëm - ose një rrjedhje(fatkeqësi) në një laborator përmes të cilit, virusët mund të kishin dalur jasht.

Nëse një aksident laboratorik mund të jetë shkaku i pandemisë, po ashtu ka qenë kohët e fundit temë e diskutimeve të gjalla midis studiuesve dhe mediave. Në maj, virologë të njohur, ndër të tjerë, gjithashtu i shkruan një letër revistës së specializuar "Shkenca" që mori shumë vëmendje në favor të marrjes serioze të tezës së aksidentit laboratorik. Një aksident gjithashtu besohet të jetë i mundur, në pjesë të aparatit të shërbimit sekret amerikan - Presidenti i SHBA Joe Biden, më në fund u kishte kërkuar shërbimeve sekrete, të paraqisnin një raport të ri mbi origjinën e virusit deri në fund të verës.

Kina një nga problemet kryesore

Në letrën aktuale të hapur nga "Paris Group", studiuesit nuk e fshehin faktin se, nga këndvështrimi i tyre, Kina ka qenë deri më tani një nga problemet kryesore në hetim. Sa i përket origjinës së Coronës, sipas një deklarate, "aktualisht nuk ka asnjë hetim të vërtetë ndërkombëtar", thotë Virginie Courtier, një studiuese gjenetike franceze dhe bashkënshkruese e letrës së hapur. OBSH nuk mund të "fitojë hyrjet në Kinë dhe institucionet përkatëse kineze pa marrë më parë, lejen e qeverisë kineze".

Studiuesit i bëjnë thirrje qeverisë në Pekin që të "bashkëpunojnë plotësisht" në një fazë të re të hetimit. Një ekip ndërkombëtar i hetuesve i sapo krijuar, duhet të ketë qasje në të gjitha të dhënat përkatëse dhe gjithashtu, të lejohet të flasë në mënyrë konfidenciale me ekspertë kinezë - pa ndërhyrje ose kontroll nga qeveria kineze. Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus kishte folur gjithashtu për "vështirësitë në qasjen e të dhënave të papërpunuara" pas misionit të parë.

Në mënyrë që të parandalohet fillimi i një misioni të ri në emër të OBSH-së dhe që të vonohet pa nevojë, "Grupi i Parisit" gjithashtu po i shtron qeverisë kineze një ultimatum: Pekini do të ketë kohë dy muaj, për të pranuar hetimet e reja nën kushtet e përmendura. Nëse qeveria kineze nuk përgjigjet, një hetim ndërkombëtar pa pjesëmarrjen e Kinës, duhet të fillojë si mënyrë alternative - për shembull nën udhëheqjen e OECD ose G7.

Studiuesit: Hetim i ri ndoshta pa Kinën

Profesori dhe studiuesi i gjenetikës, Günter Theißen, një nga nënshkruesit e letrës, ka dyshime se Kina mund të nxitet nga studiuesit të bashkëpunojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse në këtë mënyrë. Ai e përshkruan kërkesën për bashkëpunim në lidhje me ntv.de më tepër si një "ofertë diplomatike" për Pekinin. "Unë mendoj se gjasat që Kina të përgjigjet është shumë e ulët," tha Theißen. Sidoqoftë, bashkëpunimi me Pekinin është sigurisht absolutisht i dëshirueshëm, sepse do të rriste ndjeshëm shanset e suksesit të hetimit.

Sidoqoftë, Theißen beson se një hetim i ri mbi origjinën e Sars-CoV-2 do të zhvillohet pa Kinën. "Dhe këto përpjekje janë duke u bërë, tashmë nga studiues të shumtë në të gjithë botën." Nëse kjo mund të jetë e suksesshme pa përfshirjen e Kinës, varet nga ajo sa informacione mund të gjendet akoma - për shembull në bazat e të dhënave në internet. Por Theißen gjithashtu duhet të marrë në konsideratë: Edhe me një bashkëpunim të plotë nga Kina, nuk është e sigurt që gjeneza për origjinën e virusit mund të zgjidhet.

Grupi i Parisit nuk është i vetmi, në thirrjen për një hetim të ri. Për shembull, në deklaratën e tyre përfundimtare pas takimit në Gjirin Carbis, shtetet e G7 kërkuan kohët e fundit për një studim "në kohë, transparente, të udhëhequr nga ekspertët dhe shkencëtarët për fazën 2 mbi origjinën e Covid-19" - përfshirë në Kinë. Shefi i OBSH-së Tedros gjithashtu në muajin mars kishte bërë thirrje për hetime të mëtejshme. Sidoqoftë, detajet se si dhe në çfarë mase duhet të kryhen këto hetime, janë ende të hapura.

Burimi: ntv.de, nga gjermanishtja Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat