Përkthyesit afganë dhe frika nga ndëshkimi i talibanëve

Bota

Përkthyesit afganë dhe frika nga ndëshkimi i talibanëve

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Përkthyesit afganë dhanë një ndihmë të madhë për trupat amerikane gjatë dy dekadave të luftës. Tani që forcat amerikane po tërhiqen, afganët që ndihmuan amerikanët druhen se jeta e tyre mund të jetë në rrezik. Ndërsa qeveria amerikane po përpunon me mijëra kërkesa për viza për t'u mundësuar atyre emigrimin, Zërit i Amerikës sjell historinë e dy ish-përkthyesve, që thonë se tashmë ndodhen në rrezik të madh.

Haxhi lëviz nga një qytet në tjetrin për të garantuar sigurinë e tij, në një kohë kur talibanët zgjerojnë territoret e kontrolluara. Për 11 vjet ai punoi si përkthyes për Forcat Speciale amerikane dhe mori pjesë në disa misione në gjithë Afganistanin.

“Nga provinca Lugar në Kabul, Nuristan, Kunar, provinca Nangarhar… Lëviz në shumë vende”, thotë ai.

Haxhi, emri që Zëri i Amerikës përdor për të mbrojtur identitetin e tij, ka vlerësime për shpëtimin e jetës së dy kapitenëve të ushtrisë amerikane.

“Ata më shpëtuan dhe unë ata sepse ne jemi pjesë e një ekipi”, thotë për Zërin e Amerikës ish-përkthyesi afgan.

Për shkak të punës së tij në vitin 2010, talibanët i rrëmbyen djalin 9-vjeçar dhe në këmbim i kërkuan para.

“Ata e dinin që unë isha duke punuar me forcat amerikane dhe më thanë: Ata (amerikanët) janë të pafe dhe ti je gjithashtu sepse po punon me ta dhe po u ofron çdo formë ndihme atyre”, tregon “Haxhi” për Zërin e Amerikës përmes “Skype”-it.

Policia afgane arriti ta shpëtojë djalin e tij disa javë më vonë në një betejë të ashpër me rrëmbyesit. Ai thotë se talibanët disa muaj më parë i vranë djalin e madh. Tani Haxhi po përpiqet të shpëtojë jetën e tij. Ai ka marrë kërcënimeve nga talibanët në celularin e tij.

“Ata më thonë se e dinë ku ndodhem, se e dinë ku po qëndroj, dhe po më ndjekin”, thotë ai.

Haxhi aplikoi për një vizë të posaçme emigrimi, më shumë se tre vjet më parë. Ambasada amerikane i ka bërë të ditur se përpunimi i dokumenteve është vonuar. Për përkthyes si ai, presidenti Joe Biden foli në një konferencë më herët gjatë këtij muaji.

“Ka një shtëpi për ju në Shtetet e Bashkuara, nëse vendosni të vini. Ne do të qëndrojmë me ju, ashtu si ju qëndruat me ne”, tha Presidenti Joe Biden.

Por procesi i marrjes së vizës është i komplikuar. Ismail Khan erdhi në Shtetet e Bashkuara shtatë vjetë më parë më një vizë emigranti.

Ai ishte një përkthyes së bashku me Haxhin, të cilin ai e identifikon me emrin e koduar “GPS” kur flet me Zërin e Amerikës përmes “Skype”-it.

“Ai e dinte se ku të shkonte, çfarë rruge të zgjidhte. Cila ishte rruga me e mirë, ku ishin vendet e mundshme që ata të na zinin në pritë. Ai bëri gjithçka për të siguruar që ekipi i tij do të mbijetonte dhe të ishte i suksesshëm”, tregon Ismail Khan.

Tani Khan shqetësohet për kolegun e tij.

“Ata i janë vënë pas, ai do të vritet nëse nuk largohet nga vendi”, thotë ai.

Të gjithë ata që ndihmuan amerikanët shpesh protestojnë në Afganistan duke kërkuar një të ardhme të sigurt. Që nga janari, administrata e presidentit Biden ka miratuar 25% të vizave speciale për afganët që ndihmuan ushtrinë dhe një mijë prej tyre janë vendosur në SHBA.

Por shumë të tjerë mbeten ende në Afganistan. Ndër ta edhe James. Ky është një emër që Zëri i Amerikës përdor për të mbrojtur identitetin e tij të vërtetë.

Atij i është refuzuar viza speciale sepse nuk mundi të sigurojë dokumente që vërtetojnë punësimin e tij.

“Është vërtet e frikshme sepse talibanët janë brutalë, ata kurrë nuk na falin”, thotë ai.

James i tha Zërit të Amerikës se frika për sigurinë e tij dhe të familjes e mbajnë zgjuar natën. Ashtu si Haxhi, ai shqetësohet se çfarë do të ndodhë pas tërheqjes së plotë të trupave amerikane më 31 gusht nga Afganistani./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat