Misteri i “Sindromës së Havanës”: Pse po sëmuren qindra diplomatë amerikanë nëpër botë?

Bota

Misteri i “Sindromës së Havanës”: Pse po sëmuren qindra diplomatë amerikanë nëpër botë?

Nga: Arsalan Mohammad Më: 14 korrik 2021 Në ora: 14:50
Foto ilustrim

Në fundin e vitit 2016, një zyrtar në ambasadën amerikane në Kubë, u zgjua në mesin e natës me një “dhimbje të fortë koke, dhe ndjesinë e një presioni të madh në fytyrë”. Po ashtu ai ndjeu “një tingull të fortë shpues në njërin nga veshët… një marramendje të fortë dhe të   përziera në stomak”.

Një raport i Akademisë Kombëtare të Shkencave, raportoi se zyrtari kishte pësuar “simptoma të mosfunksionimit vestibular dhe njohës”, ose në terma më të thjeshtë, ishte trullosur tërësisht. Po çfarë i kishte ndodhur vallë?

Pesë vjet më vonë, dhe me mbi 200 raste të ngjashme të raportuara nga personeli diplomatik amerikan në të gjithë botën, teoritë e misterit dhe të konspiracioneve sillen rreth të ashtuquajturës “Sindroma e Havanës.

Që nga maji i këtij viti, mbi 200 punonjës të qeverisë amerikane janë diagnostikuar më simptoma të tilla, dhe shembujt e fundit janë shumë shqetësuese edhe brenda SHBA-së. Nëntorin e vitit kaluar, një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtar, ishte duke ecur në Parkun Elips,në jug të Shtëpisë së Bardhë, kur u prek nga simptoma të tilla akute.

Disa javë më vonë edhe një anëtar tjetër i stafit të Shtëpisë së Bardhë, ishte duke u rikthyer në shtëpi pas punës, kur u sëmur papritur shumë rëndë, duke pasur nevojë për një shtrim urgjent në spital. Këtë muaj, administrata e Joe Biden ka njoftuar një zgjatje të re të hetimeve në të gjitha agjencitë qeveritare, për të gjetur shkakun kryesor të këtyre simptomave.

Brenda disa javësh kur pjesëtarët kryesorë të stafit të ambasadës amerikane u sëmurën në Kubë në fundin e vitit 2016, mbi dhjetëra njerëz të tjerë të personelit amerikan në Havanë u diagnostikuan me simptoma të ngjashme, përfshirë dëgjimin e tingujve “mekanikë” misteriozë,një migrenë të fortë, të vjella dhe probleme me veshin e brendshëm, që ndikojnë tek ekuilibri dhe bashkërendimi i lëvizjeve.

Sipas një analize të NAS “moria e shenjave dhe simptomave klinike akute me tipare specifike drejtuese dhe të vendndodhjes… janë të ndryshme nga çdo çrregullim që përshkruhet në literaturën neurologjike ose të përgjithshme mjekësore… dhe në përputhje me efektet që shkaktojnë valët radiofonike të drejtuara nga energjia e frekuencës (RF)”.

Në vitin 2017, drejtori i atëhershëm i CIA-s Mike Pompeo, e përkeqësoi marrëdhënien tashmë të tensionuar me Kubën duke riatdhesuar pjesën më të madhe të stafit të ambasadës, me justifikimin zyrtar të analizave dhe trajtimeve të mëtejshme, duke mbyllur edhe ambasadën. Një punonjës i Departamentit të Shtetit gjatë viteve 2017-2018, konfirmoi për “The Spectator” se Pompeo u trondit shumë nga rastet e shumta. “Pompeo tha se donte një hetim të plotë. Ai u shpreh:Ata po më thonë se mund të jetë thjesht një sëmundje; mund të jenë sulme me mikrovalë, po edhe diçka më e keqe, a mund të më thotë dikush se çfarë po ndodh?”- thotë burimi.

Por askush nuk mundi t’i jepte një shpjegim kësaj dukurie. Gjatë viteve 2017-2018, shfaqje  të mëtejshme të kësaj sindrome tek agjentët e shërbimit sekret dhe stafi i Shtëpisë së Bardhë, u shfaqën në Kinë, Londër, Siri dhe Rusi.

Një ngatë prekurit, Marc Polymeropoulos, në atë kohë një oficer i lartë i CIA-s, tregoi sesi u sëmur gjatë kohës që ishte me shërbim në Moskë në vitin 2017. Ai u detyrua të dilte para kohe në pension në vitin 2020, pasi vuante shpesh nga dhimbje të forta koke, ashtu si shumë të tjerë që ankoheshin për simptomat e “Sindromës së Havanës”.

“Unë u zgjova në mesin e natës me marramendje të mëdha”-deklaroi ai për britaniken The Guardian. “Koka më vinte vërdallë, kisha shumë të përziera të mëdha. Ishte thjesht një moment i tmerrshëm për mua. Kisha një tringëllimë që më zhurmonte në vesh. Unë nuk isha i sigurtë se çfarë po ndodhte. Nuk mund të ngrihesha dot”-theksoi ai.

Që kur u identifikua për herë të parë kjo sindromë, autoritetet politike, shkencore dhe mjekësore, kanë argumentuar dhe spekuluar mbi një pyetje ogurzezë:A ndodhet SHBA-ja nën një sulm nga një armë misterioze dhe e padukshme që po shënjestron personelin e saj diplomatik?

Senatorët Mark Warner dhe Marco Rubio të Komitetit të Inteligjencës, janë zotuar për zbardhjen e kësaj çështje. Ndërkohë avokati Mark Zaid përfaqëson 8 pacientë që vuajnë efektet kronike pas kësaj sindrome. Ai po përpiqet prej vitesh që t’i garantojë një qasje të drejtë në kujdesin shëndetësor qeveritar.

Zaid thotë:“Unë dua ta di se çfarë po ndodh. Dua të di kush e bën këtë, dhe nëse qeveria ime po e mbulon këtë ngjarje”. Ndërsa Zaid ka dyshimet e veta mbi shkaqet e mundshme të sëmundjes, ai pretendon se ka prova nga një memo e NSA e vitit 2014, se zyrtarët në Uashington kishin dijeni për një “pajisje me valë”, që ka shumë të ngjarë t’i përkiste Bashkimit Sovjetik dhe epokës së Luftës së Ftohtë.

Ai spekulon se kjo pajisje është përdorur si një lloj hakmarrjeje për operacionet e fshehta të shërbimeve sekrete amerikane në vitet 1950-1960. “Unë mendoj se ky aktivitet po ndodh që nga fundi i viteve 1960 dhe fillimi i viteve 1970, dhe për këtë gjë ka prova. Ne kemi një memo që thotë se NSA ka dijeni për një kundërshtar të huaj që zotëron një armë me mikrovalë që mund të përdoret për të gjymtuar ose vrarë”- thotë ai.

Por ndoshta prapa këtyre sulmeve qëndrojnë kinezët dhe jo rusët. “Nga studimi im se si funksionon Kina, nuk do ta përjashtoja si mundësi”- thotë Ian Williams, gazetar dhe autor i librit “Tirania e re e Kinës”, një studim mbi shtetin e mbikëqyrjes në vendin komunist.

Williams flet për një incident të ndodhur vitin e kaluar në territorin e diskutueshëm Ladakh përgjatë kufirit Kinë-Indi, ku sipas një akademiku nga Pekini, ushtria kineze përdori armët me mikrovalë për të spastruar një zonë nga trupat indiane.

“Për 15 minuta, ata që kishin zënë pozicion në majat e kodrave filluan që të vjellin.

Indianët nuk po mundeshin të ngriheshin në këmbë, ndaj u larguan. Në këtë mënyrë ne e rimorën territorin”- thotë Jin Canrong, profesor i Universitetit Renmin për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por, siç e thekson Williams, ky incident nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht nga autoritetet kineze, të cilat zakonisht mburren për teknologjinë e tyre. Për me tepër, ai sulm nuk përshtatet në modelin e “Sindromës Havana”të vërejtur në mbarë botën.

Cheryl Rofer, një kimist që ka punuar në Laboratorin Kombëtar Los Alamos për më shumë se 3 dekada,thotë se nuk ka shumë gjasa që sindroma të shkaktohet qëllimisht nga një armë. “Nëse një rreze me mikrovalë godet trurin e njerëzve, ne duhet të presim të shohim efekte të dukshme në lëkurë dhe mish. Dhe asnjë nga ato nuk e ka shoqëruar Sindromën e Havanës”-thotë Rofer.

Ndërkohë Stuart Ritchie, pedagog në Institutin e Psikiatrisë, Psikologjisë dhe Neuroshkencës në Kolegjin Mbretëror të Londrës e ka hulumtuar këtë fenomen dhe ka një teori tjetër. Pikëpamja e tij është se sindromën e ka shkaktuar një lloj histerie masive. Ai tregon se shumica e viktimave punonin në ambiente stresuese dhe shpesh të tensionuara, në Kinë, Kubë dhe Rusi, nën një presion të shtuar, për shkak të luhatjeve të Tramp në politikë.

Në një epokë kur kombet e huaja paraqiteshin shpesh si kërcënime ose armiq, personeli amerikan ishte i tensionuar, i shqetësuar dhe gjithnjë e më i frikësuar për sigurinë e tij. Raportet nga ambasada në Havana në vitin 2016, përshkruajnë ndjesinë në rritje të panikut dhe frikës, dhe pikërisht në atë kohë nisi të përhapej besimi se personeli po sulmohej qëllimisht, nga një armë zanore. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat