Media: Komuniteti i zbulimit nuk arrin në një përfundim të qartë për origjinën e koronavirusit

Bota

Media: Komuniteti i zbulimit nuk arrin në një përfundim të qartë për origjinën e koronavirusit

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Komuniteti amerikan i zbulimit njoftohet t’i ketë thënë presidentit Joe Biden se nuk ka arritur në një përfundim të qartë pas rishikimit të informacionit mbi origjinën e COVID-19.

Pandemia ka infektuar më shumë se 213.2 milionë vetë në gjithë botëm që nga fundi i vitit 2019 dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 4.4 milionëve, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.

Presidenti Biden urdhëroi agjencitë kombëtare të zbulimit në maj që të dorëzonin një raport brenda 90 ditëve për të përcaktuar nëse virusi, i cili u zbulua për herë të parë në Wuhan, Kinë, ishte rezultat i një transmetimi nga kafshët tek njeriu apo i një rrjedhjeje aksidentale nga një laborator në Wuhan.

Presidenti urdhëroi agjencitë e zbulimit të shqyrtojnë origjinën e shpërthimit pasi Organizata Botërore e Shëndetit lëshoi një raport të bazuar në hetimin e vet. Raporti i OBSH-së, i cili zbuloi se virusi kishte më shumë gjasa ta kishte pasur origjinën nga një transmetim nga kafshët tek njeriu, u kritikua si jo i plotë, kryesisht sepse qeveria kineze nuk kishte bashkëpunuar me hetimin e agjencisë globale të shëndetësisë.

Drejtori i zbulimit kombëtar i paraqiti një raport të klasifikuar sekret zotit Biden të martën, sipas njoftimeve të mediave amerikane. Zyrtarë të paidentifikuar thanë se pjesë të raportit do të publikohen për publikun në ditët në vijim.

Ndërkohë, një studim i ri nga Britania zbulon se efektiviteti i të dy vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca dobësohet pas gjashtë muajsh. Studimi zbuloi se mbrojtja nga vaksina Pfizer ulet në 88% një muaj pas dozës së dytë, dhe bie në 74% pas pesë deri në gjashtë muajsh, ndërsa efektiviteti i vaksinës AstraZeneca ra nga 77% një muaj pas dozës së dytë në 67% pas një periudhe të ngjashme.

Një studim i veçantë nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregon se efektiviteti i dy vaksinave Pfizer dhe Moderna për COVID-19 u ul nga 91% në 66% kundër variantit shumë ngjitës Delta.

CDC publikoi gjithashtu një studim të martën që tregon se njerëzit e pavaksinuar kanë rreth 29 herë më shumë gjasa të shtrohen në spital me COVID-19 sesa ata që janë plotësisht të vaksinuar. Gjetjet u bazuan në një sondazh të pacientëve në Los Anxhelos, Kaliforni, në periudhën midis 1 majit dhe 25 korrikut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat