NATO: Nuk jemi të gatshëm për kompromis - kur flitet për parimet fondamentale të aleancës

Bota

NATO: Nuk jemi të gatshëm për kompromis - kur flitet për parimet fondamentale të aleancës

Nga: F.B Më: 26 janar 2022 Në ora: 09:30
Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka tërhequr vërejtjen se NATO nuk do të bëjë kompromis me Moskën kur flitet për parimet fondamentale të aleancës, duke shtuar se “kësaj jave aleanca do t’ia dërgojë përgjigjet e shkruara Rusisë lidhur me kërkesat për garanci të sigurisë në koordinim me ShBA-të”, transmeton “Bota Sot”.

"Po përmbyllim punën në propozimet e NATO-s, në dokumentin e shkruar që pastaj do të dërgojmë gjatë javës, do të bëhet kjo në harmoni me Amerikën”, tha ai në intervistën për CNN.

Stoltenberg tha se aleanca është e gatshme të diskutojë për kontrollin e armatimit, çarmatosjen, transparencën në aktivitetet ushtarake, mekanizmin e uljes së rrezikut dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me sigurinë evropiane.

"Por, nuk jemi të gatshëm për kompromis kur flitet për parimet tona bazë”, tha sekretari i NATO-s.

Të përkujtojmë se politika e “dyerve të hapura” është një nga ato parimet fondamentale të aleancës, nga ana tjetër mos zgjerimi i mëtejmë i aleancës në lindje është kërkesa kyçe e Rusisë.

Stoltenberg tha se Aleanca nuk do vendos forca në Ukrainë.

"Njësitet luftarake të NATO-s nuk do të vendosen e shpërndahen në Ukrainë”, tha ai.

Në Bruksel me 11 janar është mbajtur Këshilli Rusi-NATO, takimi pasojë e bisedimeve për garanci të sigurisë mes Rusisë dhe ShBA-ve të mbajtur me 9 edhe 10 janar në Gjenevë, para konsultimeve në platformën e Vjenës për organizatën për siguri e bashkëpunim.

Shkas për bisedime është draft i marrëveshjes për garanci të sigurisë të cilën Moska ia ka dërguar Uashingtonit dhe aleatëve të saj në dhjetor.

Dokumenti ndër tjera përfshin rregulloret për mos vendosjen e ndërsjellë të raketave me largësi të vogla edhe të mesme, heqjen dorë nga zgjerimi i mëtejmë i NATO-s, në llogari të ish republikave sovjetike dhe zvogëlimin e numrit të stërvitjeve ushtarake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat