CNN: Putini po përballet me rezistencë më të ashpër sesa pritej – brenda dhe jashtë Ukrainës

Bota

CNN: Putini po përballet me rezistencë më të ashpër sesa pritej – brenda dhe jashtë Ukrainës

Më: 28 shkurt 2022 Në ora: 16:01
Vladimir Putin

Pesë ditë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duket se gjërat nuk kanë shkuar saktësisht siç kishte planifikuar Vladimir Putin deri më tani, raporton CNN.

Zyrtarët e inteligjencës perëndimore informuan vazhdimisht gjatë fundjavës se forcat ruse kanë hasur në rezistencë “më të ashpër sesa pritej” nga një ushtri ukrainase e paarmatosur mirë.

Rusia deri më tani ka dështuar t’i marrë qytetet kryesore në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin, Kiev. Të dielën, forcat ukrainase zmbrapsën me sukses një avancim rus në një aeroport strategjik pranë Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i cili ka qenë pothuajse nën sulm të vazhdueshëm.

Përveç një lufte të ashpër nga forcat ukrainase dhe civilët, pushtimi rus ka pësuar sfida logjistike, me ushtarët në vijën e frontit që kanë mungesë karburanti, municioni dhe ushqimi.

“Ata kanë probleme”, tha një zyrtar i NATO-s për forcat ruse, duke treguar informacionet më të fundit të inteligjencës së aleancës. “Atyre u mungon nafta, ata po ecin shumë ngadalë dhe morali është padyshim një problem.”

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane u tha gazetarëve të dielën se Rusia ka përdorur dy të tretat e fuqisë totale luftarake në Ukrainë, duke lënë në dispozicion një sasi të konsiderueshme forcash për ta shtyrë ofensivën.

Dhe të hënën, një kolonë kilometrike me automjete ushtarake ruse po e godiste kryeqytetin ukrainas, ndërsa inteligjenca e Kievit sugjeron gjithashtu se Bjellorusia është e përgatitur t’i bashkohet pushtimit rus, sipas një zyrtari ukrainas.

Përfaqësuesit nga Ukraina dhe Rusia u takuan të hënën në kufirin me Bjellorusinë. Në këto bisedime, Ukraina do të këmbëngulë për një “armëpushim të menjëhershëm” dhe tërheqjen e trupave ruse — megjithëse, realisht, askush nuk pret që kjo të ndodhë.

Putini, me sa duket, jo vetëm që e ka keqvlerësuar aftësinë e Ukrainës për ta mbrojtur veten, por edhe se sa e ashpër do të qëndronte komuniteti ndërkombëtar kundër Rusisë në rast të një pushtimi.

Për vite me radhë, presidenti rus është përballur me shumë pak reagime nga Perëndimi për aneksimin e Krimesë së Ukrainës, mbështetjen e tij brutale për regjimin sirian dhe aktet e agresionit në vende të tjera.

Me gjithë fjalët e tyre të forta për ta dënuar Putinin dhe regjimin e tij, vendet perëndimore ende blenë gaz nga Rusia, u ofruan strehë të sigurt oligarkëve rusë dhe ruanin marrëdhënie diplomatike relativisht normale me Moskën.

Por kësaj radhe Putini është përballur me një aleancë perëndimore jashtëzakonisht të bashkuar.

Nga sanksionet e paprecedenta që tashmë po e dëmtojnë ekonominë ruse e deri te sporti, statusi i paprecedentit ndërkombëtar i Rusisë bëhet çdo orë e më i mprehtë.

Dhimbja ekonomike do të përkeqësohet me kalimin e kohës. Rubla humbi rreth 20% të vlerës së saj kundrejt dollarit të hënën pasdite dhe banka qendrore e Rusisë ka rritur normat e interesit nga 9.5% në 20%, një lëvizje që do t’i godasë qytetarët rusë në xhepat e tyre.

Të njëjtët qytetarë së shpejti mund të pyesin veten pse Putini po rrezikon kaq shumë për një luftë që nuk duhej të ndodhte.

Sigurisht, gjërat janë shumë të rrjedhshme në tokë dhe mund të ndryshojnë shumë shpejt.

Ka pak shpresë se bisedimet e së hënës do të sjellin një ulje të tensionit dhe askush nuk pret që kjo luftë të përfundojë në të ardhmen e afërt — qoftë me forcë ose me marrëveshje. Por ka të ngjarë që Putini, pasi ka arritur deri këtu, do të sulmojë më shumë në Ukrainë në ditët në vijim.

Megjithatë, ndërsa pushtimi po hyn në javën e tij të dytë, është e pamundur të injorohet fakti se planet e Putinit janë përballur me rezistencë më të fortë sesa ai – dhe shumë prej kundërshtarëve të tij – do ta kishin imagjinonuar ndonjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat