‘Projekti Letrat”, një histori dashurie e mbijetese gjatë Holokaustit

Bota

‘Projekti Letrat”, një histori dashurie e mbijetese gjatë Holokaustit

Më: 27 mars 2022 Në ora: 20:56
Foto ilustrim

Nëna dhe babai i Eleanor Reissa-s i mbijetuan Holokaustit gjatë viteve 1940. Pas luftës, përpara se të martoheshin e të jetonin në Shtetet e Bashkuara, ata i shkruanin letra njëri-tjetrit. Këto letra çuan Eleanorën drejt një udhëtimi për të mësuar të kaluarën e prindërve të saj, të cilën ajo e ka sjellë në jetë përmes një libri të botuar së fundmi.
 

Eleanor Reissa flet dhe këndon rrjedhshëm në gjuhën Jidish. Ajo është shkrimtare, këngëtare, aktore, dramaturge dhe regjisore teatri, një person i talentuar dhe krijues. Por ajo thotë se arritja e saj më e madhe artistike është botimi i një libri unik, me titull “The Letters Project”, Projekti Letrat.

“Të dy prindërit e mi i mbijetuan Holokaustin. Babai im ishte në Aushvic dhe nëna ime në Uzbekistan, në Fergana. Të dy ishin nga Polonia. Babai vdiq në 1976, nëna në 1986. Kur ajo vdiq, gjeta letra që nuk e dija se i kishte…”, thotë Eleanor Reissa, shkrimtare.

Letrat ishin shkruar në gjermanisht nga babai i saj, Chaskel Schlusselberg. Në vitin 1949, Chaskel Schlusselberg i shkruante nga Gjermania nënës së Eleanorës, Ruchele Hoff, e cila kishte emigruar në Amerikë. Ajo ndodhej në Nju Jork dhe babai i Eleanorës po bënte plane t’i bashkohej.

“Po të shkruaj pa pushim. E kuptoj që mund të jesh e zënë derisa gjithçka të shkojë në vend, por të lutem kuptoje sa shumë të lumtur do më bënte fakti nëse do të lexoja disa rreshta nga ti, dashuria ime. Sa i takon ardhjes sime në Amerikë, mund të të them vetëm se: e dashura ime do të fluturoja tek ti sikur të kisha krahë!”, shkruhet në një prej letrave.

Me përkthimin e letrave në anglisht, Eleonora donte të mësonte më shumë rreth historisë së prindërve të saj. Ajo u nis drejt Gjermanisë dhe studioi arkivat. Ajo mësoi se kishte patur një motër nga një tjetër marrëdhënie e babait të saj, e cila kishte vdekur gjatë Holokaustit.

Në arkiva ajo gjeti rrëfimin zyrtar të babait të saj për kohën që kishte kaluar në Aushvic dhe se si kishte arritur t’i shpëtonte nazistëve gjatë një marshimi të detyruar e vdekjeprurës nga Polonia në Gjermani ku humbën jetën ose u vranë me mijëra hebrej. Gjërat këto që ai nuk ia kishte thënë kurrë sa ishte gjallë.

“Ai nuk foli kurrë për këtë. Pse? E parë nuk e di, thjesht mund ta supozoj. Ndoshta sepse ishte diçka shumë e tmerrshme. Pse duhet ai të mi thoshte këto gjëra. Ai më donte. Pse duhet të më krijonte dhimbje? Është e dhimbshme të dish që babai yt ishte në ferr…”, thotë Eleonora.

Në vitin 1945 babai i saj u shpëtoi nazistëve. Ai u fsheh në pyll, futej brenda mullarëve me kashtë. Aso kohe luftës po i vinte fundi.

“Ai u takua me të tjerë të burgosur të arratisur. Pastaj erdhën rusët…ai rrëfen se ata i kishin dhënë bukë, edhe pse nuk kishin shumë. Ai donte të kthehej në Gjermani, por mjeku rus nuk e la të ikte, sepse nuk ishte mirë me shëndet. Pra, ishin rusët ata që e shpëtuan fillimisht…”

Prindërit e Eleonorës që nuk ishin takuar kurrë, më në fund u bashkuan në Gjermani pas lufte dhe më pas u zhvendos në SHBA. Për Eleonorën, leximi i letrave të babait të saj ishte një mënyrë për ta njohur atë më mirë, por dhe veten.

“Kurrë nuk e kisha menduar, thellësinë e tragjedisë së tij. Ai ishte i dëshpëruar kur unë linda dhe u copëtua edhe më tej. Nuk e dija që babai im ishte një njeri i gjallë, i pashëm, i zgjuar, poet! Mësova se kush ishte ai dhe mendoj se kjo më ka treguar disi se kush jam unë…”

Eleonora e quajti librin e saj ‘Projekti Letrat’, prezantimi i të cilit u bë në Teatrin Kombëtar Jidish Folksbiene në Nju Jork, ku Eleonora ka punuar më parë si drejtore artistike.

“I shoh këto si dokumente të çmuara. Ajo që Eleanora po na tregon e për këtë shkak po na frymëzon të bëjmë të gjithë ne, është që t’u përmbahemi e përqafojmë këto dokumente”, thotë Zalman Mlotek, Teatri Kombëtar Jidish Folksbiene.

Dhe këtë bëri Eleonora, çka i dha asaj një pamje të gjithëanshme për mbijetesën dhe të kaluarën e prindërve të saj.

“Të gjithë njerëzit nën persekutimin nazist gjerman në atë kohë luftuan me gjithë fuqinë e tyre, për të mbijetuar. Disa njerëz thonë se ata shkuan si delet në thertore, gjë që më zemëron shumë! Ata luftuan, luftuan me gjithçka kishin… dhe kjo ishte një nga ato gjërat që unë mësova”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat