Hija e gjatë e komunizmit

Bota

Hija e gjatë e komunizmit

Massimo Negrotti Nga Massimo Negrotti Më 14 prill 2022 Në ora: 11:25
Foto ilustrim

Pyesni 100 njerëz nëse Vladimir Putin është një komunist, dhe askush nuk do t’iu thotë po, pavarësisht nga e kaluara e tij si kolonel i KGB- Komiteti i Sigurimit të Shtetit – që ishte i plotfuqishëm në epokën e Bashkimin Sovjetik. 

Nuk është e paarsyeshme të mendohet, që edhe ai vetë e mohon të ketë çdo lloj besimi tek ideologjia zyrtare e regjimit, në shërbim të të cilit punoi për shumë vite. E megjithatë, në komentet e analistëve perëndimorë, del nëpah bindja se krahas çështjes së anëtarësimit tëmundshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe mbi të gjithanë NATO, Putin është duke ndjekur ndjek një qëllim gjeopolitik më të gjerë, që ka të bëjë me rindërtimin e një zone të kontrolluar nga Rusia, shumë e ngjashme me atë që kontrollonte dikur Bashkimi Sovjetik. 

Në këtë kuptim, anëtarësimi i Ukrainës në NATO, do të jetë përdorur nga Putin si pretekst, edhe pse jo tërësisht i pajustifikuar dhe i adresuar keq nga politika ndërkombëtare perëndimore, për pushtimin që po ndodh tani. 

Të njëjtët analistë, pyesin gjithashtu se si po reagon tani dhe në të ardhmen opinioni publik rus përballë kësaj lufte dhe sanksioneve perëndimore, a thua se opinioni publik ekziston vërtet në Rusi. Dhe këtu është thelbi i problemit.

Është e vërtetë që të gjitha vendet evropiane, që e kanë përjetuar përvojën e komunizmit, janë distancuar me vendosmëri prej saj, duke mbajtur vetëm nostalgjinë, dhe në mënyrë të pashmangshme Partitë Komuniste, tëcilat kanë një peshë elektorale modeste.

Por mbi të gjitha është e vërtetë se 70 vite komunizëm zyrtar në Rusi dhe mbi 40 vite në vende si Polonia, Hungaria, Gjermania Lindore dhe Çekosllovakia, tashmë e ndarë në dyshtete të veçanta, Rumania dhe Bullgaria, kanë lënë pas trashëgimi sociologjike shumë të rëndë. 

Ata u kanë “prerë këmbët” brezave të ndryshëm, duke i penguar ata të zhvillojnë kulturën demokratike dhe liberale, e cila në vende të tjera evropiane, madje edhe në vende të ndryshme të Lindjes, ka gjeneruar gradualisht dhe asimiluar ide si shteti i së drejtës, liria e mendimit, e fjalës, e iniciativës ekonomike etj.

Nuk është rastësi që vendet që e njohin veten si Grupi i Vishegradit – Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia – janë më rebelet përballë parimeve themelore kulturore dhe ligjore të Bashkimit Evropian, duke shfaqur një papjekuri të dukshme filozofiko-politike,  defekt të cilin popullata as që e vëren, për shkak se nuk ka mundur asnjëherë të asimilojë parime dhe vlera, të cilat për ne në Perëndim konsiderohen si të mirëqena. 

Vendi i vetëm zyrtarisht komunist që u rikthye fillimisht me vështirësi, por në fund me sukses, në një klimë plotësisht perëndimore kulturore dhe politike, falë edhe traditave të saj të gjera kulturore, ishte Gjermania Lindore, e cila madje i dha madje vendit një udhëheqëse me një staturë të madhe si Angela Merkel. 

Në këtë kontekst, dhe mbi të gjitha Rusia, e cila kaloi dhunshëm nga carizmi në komunizmin më të egër e më të pamëshirshëm, me të cilin ka qëndruar shumë gjatë e lidhur me zinxhir, e ka humbur “trenin” e historisë, dhe është sot një vend pa themelet e mendimit liberal-demokratik.

Për një kohë shumë të gjatë, shumë breza u rritën njëri pas tjetrit me obsesionin leninist, që synonte eliminimin e çdo marrëdhënieje midis borgjezisë dhe klasës punëtore, duke eliminuar në mënyrë brutale perspektivat liberale jo krejtësisht inekzistente të kulturës ruse. 

Rezultati nuk ishte vetëm mbretërimi i terrorit që më vonë Stalini do ta çonte në ekstrem, por varfërimi kolektiv dhe pengesa serioze për çdo zhvillim industrial të atij lloji, që në fakt po ndodhte në vendet e lira. Edhe sot, Rusia është një vend i pasur me burime, por pa asnjë peshë në aspektin e përparimit teknologjik dhe industrial. 

Dhe kjo gjë e ka penguar formimin e shtresës së sipërmarrësve dhe punëtorëve, të cilat në Perëndim kanë kontribuar në çuarjen përpara të ideve dhe institucioneve liberale. Tek efundit, Putini është një bir i të kaluarës së tij, dhe në vendin e tij askush, ose gati askush, nuk e kundërshton për momentin. Kjo sepse ai nuk po tradhton asnjë parim, që në Rusi ka rrënjë të forta dhe të lashta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat