LIVE: Nuk ndalen mizoritë e Putinit ndaj ukrainasve/ Vjen mbështetja e madhe nga Amerika – Zelensky paralajmëron rusët!

Bota

LIVE: Nuk ndalen mizoritë e Putinit ndaj ukrainasve/ Vjen mbështetja e madhe nga Amerika – Zelensky paralajmëron rusët!

Nga: BOTA SOT Më: 22 korrik 2022 Në ora: 06:23 Përditësuar në ora: 22:35 më 22.07.2022
Foto nga lufta në Ukrainë

SHBA miraton ndihmën e radhës për Ukrainën, jep 270 mln dollarë armatime

SHBA ka nënshkruar sot ndihmën ushtarake të radhës prej 270 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë katër sisteme të reja raketash precize të quajtura Himars.

Duke folur për gazetarët, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Rusia “ka nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, duke goditur qendrat tregtare, shtëpitë, duke vrarë civilë të pafajshëm ukrainas. Përballë këtyre mizorive, presidenti e ka bërë të qartë se ne do të vazhdojmë të mbështesim qeverinë e Ukrainës dhe popullin e saj për aq kohë sa të duhet”, tha ai.

Ndihma përfshin sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë M142 të dërguara në Ukrainë. HIMARS mund të godasë saktësisht objektivat brenda 80 kilometrave.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se paketa e re ushtarake do të përfshijë gjithashtu dronë të vegjël dhe shumë të lëvizshëm që shpërthejnë në objektivin si dhe 36,000 fishekë municione artilerie.

Shumica e ndihmës vjen nga një paketë prej 40 miliardë dollarësh që Kongresi miratoi në muajin maj.

Në fillim të kësaj jave, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksiy Reznikov tha se ai shpresonte që SHBA do të siguronte deri në 100 HIMARS, duke argumentuar se ato mund të ndihmonin të kthenin valën e luftës kundër forcave ruse.

Shtohen thirrjet në Kongresin e SHBA-së për të përcaktuar Rusinë si një shtet sponsorizues të terrorizmit

Ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet fundit të muajit të saj të pestë dhe sulmet ruse ndaj objekteve civile raportohen pothuajse çdo ditë, po rritet trysnia mbi administratën Biden për të përcaktuar zyrtarisht Rusinë si një shtet që sponsorizon terrorizmin. 

Këtë javë, sipas një artikulli nga Politico, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi i tha Sekretarit të Shtetit Antony Blinken se nëse ai nuk ushtron fuqinë e deleguar nga Kongresi për të bërë përcaktimin, vetë ligjvënësit do ta bëjnë një gjë të tillë. 

Rusia është tashmë nën sanksione të rrepta, të vendosura nga SHBA-ja dhe një mori vendesh të tjera, por përcaktimi zyrtar si një shtet sponsorizues i terrorizmit do të rriste trysninë në disa mënyra të rëndësishme. Elementët ndërkombëtarë të sanksioneve aktuale janë koordinuar me kujdes, por përcaktimi si sponsorizues i terrorizmit mund të shkaktojë një regjim më të rreptë ndëshkimesh që mund të zbatohen për palët e vendeve të treta që bëjnë biznes me individë dhe kompani ruse. 

Përveç kësaj, përcaktimi do të heqë imunitetin e një vendi sovran të Rusisë në SHBA, duke hapur dyert për amerikanët e dëmtuar nga lufta në Ukrainë të ngrenë padi civile kundër qeverisë ruse në gjykatat amerikane. 

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Banka Qendrore e Rusisë ul normat e interesit

Banka Qendrore e Rusisë ka ulur normat kyçe të interesit nga 9.5 në 8 për qind, duke përmendur uljen e normës vjetore të inflacionit si arsyetim.

Zvogëlimi për 1.5 për qind, i bërë i ditur më 22 korrik, e bën normën e interesit më të vogël në krahasim me atë që ka qenë para se presidenti rus, Vladimir Putin të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Banka ka thënë se çmimet e konsumit janë duke rënë sepse kërkesa është zvogëluar dhe pritjet për inflacion kanë “rënë dukshëm”.

Vendimi rus është në kundërshtim me veprimet e bankave të Perëndimit, të cilat kanë rritur normat e interesit, për të luftuar inflacionin e nxitur nga lufta në Ukrainë.

Banka Qendrore Evropiane ka rritur normat e interesit më 21 korrik për gjysmë pikë të përqindjes.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur normën e interesit muajin e kaluar për tri të katërtat e pikës së përqindjes.

Disa ditë pasi Moska ka nisur pushtimin, Banka Qendrore e Rusisë pati rritur normën e interesit për 20 për qind, me qëllim të forcimit të rublës, pas përballjes me sanksione të Perëndimit.

Prej atëherë, Banka Qendrore e Rusisë ka rritur të stabilizojë rublën dhe sistemin financiar, duke parandaluar largimin e parave nga Rusia dhe duke detyruar eksportuesit që të konvertojnë fitimet e tyre në rubla.

Rubla është tregtuar për 58.8 kundrejt dollarit amerikan më 22 korrik, duke e bërë valutën ruse më të vlefshme sesa një ditë para nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, kur 1 dollarë është treguar për 78.8 rubla.

Banka Qendrore ruse ka thënë se pret që inflacioni vjetor të arrijë në 12 deri në 15 për qind këtë vit, dhe më pas të bie në 5 deri në 7 për qind më 2023 dhe 4 për qind më 2024.

Në deklaratë është thënë se kompanitë po përballen ende me probleme në prodhim dhe logjistikë, si dhe ka paralajmëruar se “ambienti i jashtëm mbetet sfidues për ekonominë ruse”./REL

“Do përshkallëzohej lufta”/ Zelensky: Nëse Rusia nuk kthen tokat e pushtuara, s’ka armëpushim

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se arritja e një armëpushimi midis vendit të tij dhe Rusisë pa rikthimin e tokave të humbura vetëm sa do ta zgjaste luftën.

Në një intervistë për Wall Street Journal ai paralajmëroi se armëpushimi që i lejon Rusisë të mbajë territoret ukrainase të pushtuara, vetëm sa do të inkurajonte një konflikt edhe më të gjerë.

Sipas tij, kjo do t;i jepte Moskës një mundësi shumë për t’u rigrupuar për raundin tjetër të luftimeve.

“Ngrirja e konfliktit me Federatën Ruse do të thotë një pauzë që i jep Federatës Ruse riorganizohet”, raportoi Wall Street Journal, duke cituar komentet e Zelenskiy.

Raportohet se Rusia regjistron “qindra viktima” çdo ditë në Ukrainë

Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë më 22 korrik se Uashingtoni beson që Rusia është duke u përballur me qindra viktima çdo ditë, teksa zhvillon luftën në Ukrainë, dhe se ka humbur mijëra togerë dhe kapitenë, prej nisjes së pushtimit.

Përveç togerëve dhe kapitenëve, qindra kolonelë dhe “shumë” gjeneralë rusë janë vrarë po ashtu, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar këtë zyrtar.

“Zinxhiri i komandës ka ende probleme”, ka thënë ky zyrtar.

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) William Burns, ka thënë më 20 korrik se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se numri i viktimave ruse në Ukrainë, pas gati pesë muajve, ka arritur në rreth 15.000 të vrarë dhe gati 45.000 të plagosur, duke shtuar se edhe forcat e armatosura ukrainase janë përballur me humbje të konsiderueshme.

Rusia klasifikon vdekjet ushtarake si sekrete shtetërore dhe nuk i ka përditësuar shifrat shpesh gjatë luftës.

Më 25 mars, Rusia ka thënë se 1,351 ushtarë të saj janë vrarë.

Qeveria ukrainase ka thënë muajin e kaluar se 100 deri në 200 trupa ukrainase janë duke u vrarë brenda ditës.

Ky zyrtar amerikan ka thënë po ashtu se Uashingtoni beson se Ukraina ka shkatërruar më shumë se 100 shënjestra të vlefshme ruse brenda Ukrainës, përfshirë zona të komandës, depo municioni dhe zona për mbrojtje ajrore.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë në vlerë të 8 miliardë dollarëve për Ukrainën qëkur ka nisur lufta, duke përfshirë 2.2 miliardë dollarë muajin e kaluar.

Më herët gjatë javës, Pentagoni ka thënë se do t’i dërgojë Ukrainës katër sisteme shtesë HIMARS.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Bie çmimi i grurit pas marrëveshjes Ukrainë-Rusi për eksport

Pasi pala ukrainase dhe ajo ruse arritën marrëveshje për zhbllokimin e eksportit të grurit nga Ukraina, çmimi i këtij produkti ka rënë raporton BBC.

Lejim i mbi 20 milionë ton grurë nga Ukraina, ka bërë që çmimi të bie për 2% sot.

Marrëveshja është nënshkruar në Stamboll dhe është ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja.

Nënshkruhet marrëveshja mes Ukrainës e Rusisë për eksportin e grurit

Ukraina dhe Rusia kanë arritur të premten marrëveshje për grurin, nën ndërmjetësim të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka përshkruar paktin si “marrëveshje për botën”.

Marrëveshja e re – e nënshkruar në Stamboll – mundëson bartjen e eksporteve të grurit nga Ukraina, teksa bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.

Ukrainën e ka përfaqësuar ministri i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, ndërsa Rusinë ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Para nënshkrimit të marrëveshjes, Erdogan ka thënë se kjo marrëveshje do të ndihmojë në rritjen e sigurisë për ushqim dhe kontrollim të inflacionit në botë.

“Jemi krenarë që jemi përfshirë në këtë iniciativë, e cila do të ketë rol të madh në zgjidhjen e krizës globale, që ka qenë në agjendë për kohë të gjatë”, ka thënë Erdogan.

Mykhaylo Podolyak, këshilltari i lartë i presidencës ukrainase, ka thënë në Twitter se Ukraina nuk do të nënshkruajë marrëveshje me Rusinë, por me OKB-në dhe Turqinë, derisa Rusia do të nënshkruajë një marrëveshje të njëjtë.

Ai ka shtuar se “nuk do të ketë bartje të grurit me anijet ruse, dhe as nuk do të ketë prezencë ruse në portet tona”.

“Në rast të ndonjë provokimi, do të përgjigjemi menjëherë përmes ushtrisë”, ka thënë ai, duke shtuar se inspektimet e transportit do të kryhen nga ekipe të përbashkëta në ujërat e Turqisë.

Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar disa burime të kenë thënë se do të rihapen tri porte ukrainase, duke përfshirë portin me të madh shtetëror të Odesas.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur njoftimet për marrëveshje, mirëpo Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se do të fokusohet në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për zbatim të saj.

Kremlini: Zhbllokimi i eksporteve të drithërave është shumë i rëndësishëm

Kremlini tha të premten se është “shumë e rëndësishme” që të zhbllokohen eksportet, teksa Kievi dhe Moska pritet të arrijnë një marrëveshje që do të ndihmojë në lehtësimin e krizës ushqimore globale.

“Është shumë e rëndësishme që të zhbllokohen furnizimet me plehra, ushqime dhe drithëra në tregjet botërore”, tha për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Është një sasi e vogël e drithit ukrainas, por megjithatë është shumë e rëndësishme që ky drithë të arrijë në tregjet botërore”, shtoi ai.

Më vonë gjatë së premtes, Kievi dhe Moska pritet të nënshkruajnë një marrëveshje në Stamboll për t'i rikthyer eksportet e drithërave ukrainase nga Deti i Zi, edhe pse forcat ruse kanë nisur një sulm të ri me artileri në lindje të Ukrainës.

Bisedimet për zhbllokimin e eksporteve të drithërave janë ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Peskov tha se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, do të përfaqësojë Moskën gjatë takimit në Stamboll.

Ai konfirmoi planet për nënshkrimin e marrëveshjes, por nuk dha më shumë komente.

Gjatë vizitës në Teheran më herët gjatë kësaj jave, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Perëndimi duhet t'i heqë kufizimet ndaj eksporteve të drithërave ruse nëse dëshiron që Moska t'i lehtësojë eksportet e drithërave ukrainase.

Pushtimi rus në Ukrainë ka ndërprerë dërgesat e drithërave nga Ukraina, një prej eksportuesve më të mëdha në botë të grurit dhe drithërave të tjera, duke rritur frikën se mund të ketë mungesë të furnizimeve ushqimore globale.

Zyrtarë rusë e ukrainas arrijnë në Turqi për të nënshkruar marrëveshjen për grurë

Zyrtarët rusë dhe ata ukrainas kanë arritur në Turqi për të nënshkruar një marrëveshje të përkrahur nga Kombet e Bashkuara që mundëson bartjen e eksporteve të grurit nga Ukraina, teksa bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se ministri, Sergei Shoigu, ka arritur në Stamboll, ku pritet të nënshkruhet marrëveshja më 22 korrik.

Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, ka arritur po ashtu në Turqi.

Qeveria turke ka thënë më 21 korrik se Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për një marrëveshje rreth furnizimeve me grurë, pas bisedimeve në praninë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Mykhaylo Podolyak, këshilltari i lartë i presidencës ukrainase, ka thënë në Twitter se Ukraina nuk do të nënshkruajë marrëveshje me Rusinë, por me OKB-në dhe Turqinë, derisa Rusia do të nënshkruajë një marrëveshje të njëjtë.

Ai ka shtuar se “nuk do të ketë bartje të grurit me anijet ruse, dhe as nuk do të ketë prezencë ruse në portet tona”.

“Në rast të ndonjë provokimi, do të përgjigjemi menjëherë përmes ushtrisë”, ka thënë ai, duke shtuar se inspektimet e transportit do të kryhen nga ekipe të përbashkëta në ujërat e Turqisë.

Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar disa burime të kenë thënë se do të rihapen tri porte ukrainase, duke përfshirë portin me të madh shtetëror të Odesas.

Ukraina: Kemi vrarë 39,000 ushtarë rusë që nga fillimi i luftës

Sot është shënuar dita e 149-të luftës Rusi-Ukrainë, me sulme të shumta që vazhdojnë në të gjithë vendin. Forcat ukrainase kanë lëshuar një përditësim në lidhje me numrin e ushtarëve të vrarë rusë që nga fillimi i luftës, sipas të cilëve deri më tani janë vrarë 39 mijë, sipas mediave të huaja.

Sipas raportit të ushtrisë ukrainase, forcat ukrainase kanë shkatërruar 1,704 tanke, 3,920 automjete të blinduara, 863 sisteme artilerie, 251 raketa, 113 sisteme të mbrojtjes kundërajrore. Autoritetet ukrainase thanë se po përditësojnë të dhënat për shkak të luftimeve intensive.

Gjithashtu, Ukraina ka shkatërruar 221 avionë, 188 helikopterë dhe 713 dronë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat