Raund i ri sulmesh me raketa ndaj Zaporizhias

Bota

Raund i ri sulmesh me raketa ndaj Zaporizhias

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Një raund i ri sulmesh me raketa goditi të martën qytetin Zaporizhia në jug të Ukrainës, ndërsa numri i të vdekurve nga goditjet e djeshme të Rusisë në qytete të ndryshme të Ukrainës arriti në 19.

Sot raketat ruse goditën një shkollë, një objekt mjekësor dhe ndërtesa banimi në Zaporizhia, tha sekretari i këshillit të qytetit Anatoliy Kurtev. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha se 12 raketa S-300 goditën objektet publike, duke shkaktuar një zjarr të madh përreth. Një person humbi jetën.

S-300 fillimisht ishte projektuar si raketë tokë-ajër me rreze të gjatë veprimi. Rusia ka përdorur një version të modifikuar për të goditur objektiva në terren.

Paralajmërimet për sulme ajrore u dëgjuan në mëngjes në të gjithë vendin, duke bërë që banorët t’u riktheheshin strehimeve pas disa muajsh qetësie relative në kryeqytet dhe shumë qytete të tjera.

Përveç sirenave të zakonshme, banorët në kryeqytet, Kiev u zgjuan të martën nga një lloj i ri alarmi në telefonat celularë, që u shoqërua me një paralajmërim me tekst për mundësinë e sulmeve me raketa.

Shërbimi shtetëror i emergjencave tha se 19 njerëz vetë humbën jetën dhe 105 njerëz u plagosën në sulmet me raketa të së hënës që kishin në shënjestër objektet kritike të infrastrukturës në Kiev dhe 12 rajone të tjera. Më shumë se 300 qytete ishin pa energji elektrike, nga kryeqyteti ukrainas deri në Lviv në kufirin me Poloninë. Shumë nga sulmet ndodhën larg vijës së parë të luftës.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, paralajmëroi të martën se ndihma ushtarake perëndimore për Kievin, përfshirë trajnimin e ushtarëve ukrainas në vendet e NATO-s dhe dërgimin e të dhënave satelitore Ukrainës në kohë reale për të vënë në shënjestër forcat ruse, "ka tërhequr gjithnjë e më shumë vendet perëndimore në konflikt në krah të Kievit."

Zoti Ryabkov tha në komentet e botuara nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA-Novosti se "Rusia do të detyrohet të marrë kundërmasa përkatëse, përfshirë ato asimetrike."

Ai tha se megjithëse Rusia nuk është "e interesuar për një përplasje të drejtpërdrejtë" me SHBA-në dhe NATO-n, "shpresojmë që Uashingtoni dhe kryeqytetet e tjera perëndimore të jenë të vetëdijshëm për rrezikun e një përshkallëzimi të pakontrolluar."

Paralajmërimi i zyrtarit të lartë rus, vjen pas njoftimit të presidentit bjellorus Alexander Lukashenko se ai dhe homologu rus Vladimir Putin kanë rënë dakord të krijojnë një "grupim rajonal trupash" për të parandaluar atë që Lukashenko e quajti një sulm i mundshëm ukrainas në Bjellorusi.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha të martën se nuk kishte parë prova për lëvizje trupave ose përqendrim të forcave sulmuese në Bjellorusi, por paralajmëroi se Rusia mund të vazhdojë të godasë "lagjet paqësore" dhe infrastrukturën kritike në Ukrainë me raketa.

"Armiku nuk është në gjendje të frenojë kundërsulmin e suksesshëm të Forcave të Mbrojtjes në drejtimet e Kharkivit dhe Khersonit, kështu që po përpiqet të frikësojë dhe të mbjellë panik në mesin e popullatës së Ukrainës," tha shtabi i përgjithshëm i ushtrisë.

Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Uashington tha se nuk ka gjasa që një forcë e përbashkët ruso-bjelloruse të nisë një sulm ndaj Ukrainës nga veriu.

Një përdorim i forcës së përbashkët mund të jetë mbajtja e disa trupave ukrainase të bllokuara rreth Kievit për të mbrojtur kryeqytetin, duke i penguar ata të dislokohen në fronte më aktive ku mund të kryejnë kundër-ofensivë, tha instituti.

Presidenti Putin tha se sulmet e së hënës ishin hakmarrje për ato që ai i quajti veprime "terroriste" të Kievit - një referencë për përpjekjet e Ukrainës për të zmbrapsur sulmin e Moskës, përfshirë goditjen e së shtunës ndaj një ure kyçe midis Rusisë dhe gadishullit të aneksuar të Krimesë.

Presidenti rus u zotua për një përgjigje "të ashpër" dhe "proporcionale" nëse sulmet e mëtejshme të Ukrainës kërcënojnë sigurinë e Rusisë. "Askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë," i tha ai Këshillit të Sigurimit të Rusisë përmes videos.

Kryetari i dhomës së ulët të parlamentit rus e krahasoi të martën presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy me Osama bin Ladenin. Ai tha gjithashtu se politikanët perëndimorë që mbështesin Ukrainën "po sponsorizojnë në mënyrë efektive terrorizmin" dhe se "nuk mund të ketë bisedime me terroristët".

Presidenti ukrainas Zelenskyy u ka bërë thirrje vazhdimisht udhëheqësve botërorë që ta shpallin Rusinë shtet terrorist për shkak të sulmeve të saj ndaj civilëve dhe krimeve të dyshuara të luftës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat