LIVE: A po përfundon lufta në Ukrainë? Putin habit me deklaratën e fundit

Bota

LIVE: A po përfundon lufta në Ukrainë? Putin habit me deklaratën e fundit

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 07:06 Përditësuar në ora: 00:21 më 15.10.2022
Vladimir Putini

Dimri po afrohet, sulmet po shtohen: A mund t’i japë Ukraina goditjen përfundimtare Rusisë deri në Krishtlindje?

Në momentin kur Ukraina po çliron territorit e saja, Rusia po përpiqet të “zgjohet” me sulme të papritura ndaj qyteteve që ndodhen në vijën e frontit.

Megjithatë, këto sulme nuk sjellin ndonjë ndryshim të situatës në front, ndaj lind pyetja nëse Moska ka mbetur pa perspektivë ushtarake, por edhe nëse do të mposhtej plotësisht nga një tjetër goditje e madhe e Kievit?

Pika ku mund të ndodhë është në pjesën e territorit që është më e rëndësishmja për Ukrainën – Donbas, raporton cnn

Analistët parashikojnë se kjo mund të ndodhë së shpejti, pasi do të ishte shumë e rrezikshme të pritej dimri.

“Ka disa arsye pse Ukraina duhet të përshpejtojë gjërat. Kriza energjetike e dimrit në Evropë dhe shkatërrimi i infrastrukturës energjetike në Ukrainë mund të pengojë Kievin, por edhe ta humb mbështetjen e partnerëve të saj perëndimorë”, tha Kir Gyles, konsulent i lartë në programin e Chatham House për Rusinë dhe Eurazinë.

Ai thotë se ndërsa liderët e NATO-s janë zotuar se do të qëndrojnë pas Ukrainës, pavarësisht sesa zgjat lufta, disa vende evropiane – veçanërisht ato që mbështeten shumë në energjinë ruse – po dëshpërohen mes një krize në rritje të kostos së jetesës dhe nëse nuk sigurohen se Kievi po korr fitore, mund të tërheqin përkrahjen publike.

Për më tepër, zhvillimet e fundit në front kanë treguar gjithashtu se vendet që aktualisht janë skenës së luftimeve nuk janë imune ndaj sulmeve ukrainase.

Gjithashtu, edhe pse mbetet e paqartë se si u krye saktësisht bombardimi i urës së Kerchit, pasi Kievi nuk ka marrë përgjegjësinë, fakti që një objektiv kaq i thellë në territorin e kontrolluar nga Rusia mund të goditet me sukses, lë të kuptohet për një kërcënim serioz ukrainas ndaj pozicioneve kyçe ruse.

“Ajo që dukej e paimagjinueshme tani është e mundur. Lëvizje të tilla mund të parashikojnë një fitore të Ukrainës”, shtoi Giles.

Saktësisht sesa armatim dhe fuqi punëtore kanë në dispozicion secila palë do të jetë vendimtare për të përcaktuar se si do të ndryshojë rrjedha e luftës gjatë javëve të ardhshme. Ukraina tha se ka kapur 18 raketa lundrimi të martën dhe dhjetëra të tjera të hënën, por po u kërkon aleatëve të saj perëndimorë për më shumë pajisje për të zmbrapsur çdo sulm të ardhshëm rus.

“Breshëria e sulmeve me raketa do të jetë një tipar i rastësishëm i rezervuar për shfaqje të zemërimit ekstrem, sepse rusët nuk kanë rezerva municionesh precize për të mbajtur atë lloj sulmi raketor me shpejtësi të lartë në të ardhmen”, tha Samir Puri, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike dhe autor i “Rruga e Rusisë drejt luftës me Ukrainën”.

Megjithatë, një ndihmë për presidentin rus duket se është në horizont. Një njoftim nga presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, se Bjellorusia dhe Rusia do të “dislokojnë një grup të përbashkët të trupave” ngjalli frikën e bashkëpunimit të thelluar ushtarak midis aleatëve të ngushtë dhe se trupat bjelloruse mund t’i bashkohen zyrtarisht Rusisë në pushtimin e saj. Bjellorusia është ankuar për kërcënimet e supozuara të Ukrainës ndaj sigurisë së saj ditët e fundit, të cilat vëzhguesit thonë se mund të jenë një prelud i një niveli të përfshirjes.

Ndikimi i një ndërhyrjeje të tillë për sa i përket fuqisë ushtarake do të ishte i kufizuar; Bjellorusia ka rreth 45 mijë trupa aktive, të cilat nuk do të forconin ndjeshëm rezervat e Rusisë. Por kjo do të kërcënonte një tjetër sulm në krahun verior të Ukrainës poshtë kufirit me Bjellorusinë.

“Rihapja e një fronti verior do të ishte një tjetër sfidë e re për Ukrainën”, tha Giles. Kjo do t’i sigurojë Rusisë një rrugë të re në rajonin e Kharkiv-it (rajon), i cili është rimarrë nga Ukraina, nëse Putini i jep përparësi një përpjekjeje për të rimarrë atë territor, tha ai.

Çdo përfshirje e mëtejshme e Bjellorusisë në luftë mund të ketë gjithashtu një ndikim psikologjik, sugjeroi Puri. “Mendja e të gjithëve në Ukrainë dhe në Perëndim ka qenë e orientuar drejt luftimit të një ushtrie”, pohoi ai.

Brenda Rusisë, bashkimi i Bjellorusisë me pushtimin “do të ndryshonte narrativën e Putinit në atë se kjo luftë po bëhet për ribashkimin e tokave të shteteve të lashta ruse”.

Putin po përpiqet që përmes shtetit bjellorus të shpërqendrojë edhe vëmendjen për sulmet e tjera.

Megjithëse, Rusia po vazhdon sulmet në tokë dhe nuk ka arritur të krijojë epërsi në luftën në ajër, sulmet e së hënës mund të kenë arritur një qëllim – kanë dërguar një sinjal të fuqishëm drejt kritikëve të Putinit.

Sulmet e fundit në infrastrukturën civile dhe energjetike ukrainase, duke vrarë shumë njerëz, ishin tregues se Rusia ende ka në dispozicion kapacitete të larta ushtarake, tha Giles.

“Për shumë muaj tashmë, objektivi rus ka qenë të shkatërrojë Ukrainën në vend që ta zotërojë atë”, pohoi ai.

Megjithatë, kompania kombëtare e energjisë elektrike e Ukrainës, Ukrenergo, thotë se ka stabilizuar furnizimin me energji elektrike në Kiev dhe rajonet qendrore të Ukrainës pasi pjesa më e madhe e furnizimit me energji elektrike të vendit u ndërpre nga sulmet me raketa ruse të hënën dhe të martën.

Ekspertët besojnë se nuk ka gjasa që bombardimet ajrore të Rusisë të formojnë një model të përsëritur; ndërsa vlerësimi i rezervave ushtarake të secilës ushtri është një përpjekje e kot, vlerësimet perëndimore sugjerojnë se Moska mund të mos ketë kapacitetin për ta mbajtur atë.

“Ne e dimë – dhe komandantët rusë në terren e dinë – se furnizimet dhe municionet e tyre po mbarojnë”, tha Jeremy Fleming, një shef i spiunazhit në Mbretërinë e Bashkuar, në një fjalim të rrallë të martën.

Ky përfundim u arrit gjithashtu nga ISW, e cila tha në përditësimin e saj të përditshëm mbi konfliktin të hënën se sulmet “shkatërruan disa nga armët precize në pakësim të Rusisë kundër objektivave civile, në krahasim me objektivat e rëndësishëm ushtarakë”.

Megjithatë, lëvizje të tilla vetëm treguan sesa e pafuqishme është Rusia për momentin, sepse asnjë nga territoret e synuara nuk mund të “bie” në duart e Moskës.

Nga ana tjetër, Ukraina po arrin rezultate konkrete.

Alexei Khromov, një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas, tha javën e kaluar se forcat e Kievit kishin rimarrë rreth 120 vendbanime që nga fundi i shtatorit dhe po bënin përparim në rajonet Kharkiv, Donetsk dhe Kherson.

Gjithashtu, Ukraina njoftoi të mërkurën se kishte çliruar pesë vendbanime të tjera në Kherson.

Se situata është “në prag” tregon edhe vendimi i Rusisë për të ndihmuar në evakuimin e njerëzve nga Kherson, pasi ofensiva ukrainase vazhdon të depërtojë më thellë në rajon.

Sipas analistëve, këto kundërofensiva zhvendosën vrullin e luftës dhe hodhën poshtë mendimin se Ukraina, megjithëse mund të mbrojë një pjesë të territorit që Rusia ka pushtuar, nuk është në gjendje të rimarrë zonat e pushtuara.

Rusisë po i mbarojnë raketat, dalin të dhënat

Nga: A.M.

Të dhënat e siguruara nga ministria e mbrojtjes e Ukrainës tregojnë se Rusia ka vendosur shumicën e arsenalit të saj të raketave me precizion të lartë në Ukrainë.

Nëse shifrat janë të sakta, kjo do të thotë se forcat ruse së shpejti mund të mbarojnë nga arsenali.

Të dhënat vijnë pasi Kremlini nisi sulmet me raketa në një numër qytetesh në Ukrainë këtë javë, duke përfshirë kryeqytetin.

Sky News nuk ka qenë në gjendje të verifikojë të dhënat, përcjell "Bota sot".

Përfundoi zhvarrosja e ushtarëve në varrin masiv të Lyman

Hetuesit në Ukrainë kanë përfunduar zhvarrosjen e ushtarëve në një nga dy varrezat masive të zbuluara, kjo pasi trupat ruse u tërhoqën nga qyteti Lyman, në rajonin lindor të Donbasit.

Trupat e 34 ushtarëve janë transferuar në morg dhe do t'u kthehen të afërmve për varrim pasi të bëhet identifikimi dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes, raporton sky news, përcjell "Bota sot".

Në një deklaratë, policia rajonale e Donetsk tha: "Policia ka nxjerrë trupat e 34 mbrojtësve ukrainas nga varri masiv.

"Puna vazhdon në një vend të dytë ku janë varrosur më shumë se 120 civilë. Fati i çdo personi që ka vdekur do të përcaktohet."


Dje, prokurori i lartë i Ukrainës tha në një konferencë të përbashkët shtypi me prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan në Hagë se Ukraina kishte 28 ekipe hetuese në terren në zonat e rikapur kohët e fundit nga forcat ukrainase.

Prokurori i Përgjithshëm Andriy Kostin tha se tërheqja e trupave ruse kishte lënë prova të ndalimit dhe torturimit të paligjshëm të civilëve dhe dëbimeve.

Khan, i cili hapi një hetim të ICC-së në mars, nuk do të merrej me atë se kur zyra e tij mund të paraqiste rastin e parë, duke thënë se ai do të ecë përpara "kur provat të jenë të mjaftueshme".

​Lufta në Ukrainë: Putin thotë se nuk ka më sulme masive - tani për tani

Putin tha se nuk i vjen keq për pushtimin, megjithëse situata aktuale ishte "jo e këndshme". Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se nuk ka nevojë për sulme më masive në Ukrainë, disa ditë pas bombardimeve më të rënda të vendit që nga fillimi i luftës.

Ai tha se shumica e objektivave të përcaktuara të sulmeve ishin goditur, duke shtuar se qëllimi i tij nuk ishte të shkatërronte Ukrainën. Qëllimi i Moskës për të mobilizuar 300,000 burra do të përmbushej brenda dy javësh, tha ai.

Fjalët e Putinit vijnë pasi forcat ruse duken të bllokuara dhe Ukraina përparon, pothuajse tetë muaj nga pushtimi. Duke folur me gazetarët pas një samiti me krerët rajonalë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, udhëheqësi rus tha se sulmet e fundit kishin shkatërruar 22 nga 29 objektivat në Ukrainë të vendosura nga ushtria dhe se "ata po marrin" shtatë të mbeturit.

"Nuk ka nevojë për sulme masive. Tani kemi detyra të tjera," tha ai.

Nga e hëna e tutje, Rusia nisi një valë sulmesh në qytete në të gjithë Ukrainën, në atë që Putin tha se ishte hakmarrje për një shpërthim që dëmtoi një urë kyçe midis Rusisë dhe Krimesë së aneksuar.

Dhjetëra njerëz u vranë dhe u plagosën nga sulmet, të cilat dëmtuan edhe infrastrukturën. Zonat qendrore të Kievit u vunë në shënjestër për herë të parë që nga pushtimi.

Por Putin tha se nuk ishte qëllimi i Rusisë të shkatërronte Ukrainën, por ai nuk i vinte keq për pushtimin. “Ajo që po ndodh sot nuk është e këndshme, për t'i thënë butë gjërat”, tha ai. "Por megjithatë, [nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar] do të kishim qenë në të njëjtën situatë, vetëm kushtet do të ishin më keq për ne. Kështu që ne po bëjmë gjithçka në mënyrë korrekte dhe në kohën e duhur."/BBC

Lufta drejt fundit! Putin: Mobilizimi i pjesshëm do të përfundojë brenda dy javësh!

Pas tetë muajve të nisjes së luftës në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, duket se ka zbutur qëndrimet, meqë ka thënë se nuk sheh nevojë për të vazhduar sulmet masive ajrore dhe që mobilizimi i trupave ushtarake për luftën në Ukrainë do të përfundojë brenda dy javësh.

Duke folur para gazetarëve në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, më 14 tetor, Putin ka thënë se Rusia ka pasur gatishmëri për të vazhduar bisedimet për dhënie fund të luftës, ndonëse ato duhet të mbahen përmes një ndërmjetësuesi ndërkombëtar, nëse në tavolinë do të jetë edhe pala ukrainase.

Putin – i cili ka thënë se do të ishte gati për të përdorur edhe armën bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë – ka paralajmëruar për një “katastrofë globale” në rast të përleshjes së drejtpërdrejtë në mes të trupave të NATO-s dhe Rusisë.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka nevojë që të zhvillohen bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden tani për tani.

Aktualisht “nuk ka nevojë për sulme masive”, sepse shumica e shënjestrave janë goditur dhe “ne nuk i kemi vënë detyrë vetes që të shkatërrojmë Ukrainën”, ka thënë Putin nga kryeqyteti kazak.

Putin i ka bërë këto komente në javën kur Rusia ka kryer një mori sulmesh me raketa nëpër disa qytete të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin e shtetit, Kievin.

Deklaratat e tij vijnë edhe teksa forcat ushtarake ukrainase çlirojnë rajone nga trupat ushtarake ruse.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk pendohet për konfliktin “e pakëndshëm” që e quan “operacion special ushtarak”.

Putin ka thënë se kërkesës për mobilizim të pjesshëm ushtarak, i janë përgjigjur 222.000 njerëz.

“Mendoj që brenda dy javësh do të përfundojnë të gjitha masat për mobilizim”, ka thënë Putin.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Rusia ua ndalon hyrjen disa zyrtarëve të lartë të Malit të Zi

Rusia ua ka ndaluar hyrjen ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, atij të Brendshëm, Rashko Konjeviq, dhe ish-drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Savo Kentera.

Njoftimi u bë publik nga Ministria e Jashtme e Rusisë më 14 tetor, përmes një shkrese që i dërgoi Ambasadës së Malit të Zi në Federatën Ruse.

“Kjo masë është në përgjigje të një tjetër vendimi armiqësor të palës së Malit të Zi në shtator të këtij viti, kur shpalli ‘non grata’ diplomatë të Ambasadës ruse në Podgoricë”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Jashtme ruse.

Në fund të shtatorit, në një aksion Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Malit të Zi dhe Zyrës së Prokurorisë Speciale , u zbulua një rrjet i agjentëve rusë të inteligjencës që vepronin në Malin e Zi.

Gjashtë diplomatë rusë u dëbuan dhe 28 shtetasve të huaj iu ndalua hyrja në Mal të Zi.

Siç deklaruan autoritetet, vendimi për dënim nga Mali i Zi u mor për shkak të aktiviteteve që ishin në “kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”.

Raportet diplomatike midis Malit të Zi dhe Rusisë janë përkeqësuar që nga viti 2014, kur Podgorica mbështeti sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Mali i Zi iu bashkua sanksioneve perëndimore ndaj Moskës, pasi kjo e fundit nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Pas kësaj, Rusia e futi Malin e Zi në listën e “shteteve armiqësore”.

Lukashenko në kaos, Putin po e shtyn në luftë, por ja çfarë rrezikon presidenti i Bjellorusisë

Gjatë gjithë luftës në Ukrainë, Aleksandër Lukashenko, diktatori në krye të Bjellorusisë, balancoi me kujdes veprimet e tij. Megjithatë, takimet e fundit mes Lukashenkos dhe Vladimir Putinit kanë ngritur edhe një herë frikën se ushtria e Bjellorusisë do të përfshihet në konfliktin me Ukrainën, sipas Guardian.

Lukashenko ka thënë tashmë se mijëra ushtarë rusë do të mbërrijnë në vendin e tij në ditët në vijim për stërvitje ushtarake. Ministri bjellorus i Mbrojtjes Viktor Khrenin tha të martën se natyra e këtyre stërvitjeve është ekskluzivisht në natyrë mbrojtëse.

“Sigurisht, Putin ka një ndikim të madh në politikën bjelloruse. Por ai nuk mund ta detyrojë Lukashenkon të kryejë vetëvrasje politike. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se Lukashenko patjetër do të përpiqet t’i rezistojë çdo shtytjeje për një konflikt të hapur me Ukrainën.

Nga ana tjetër, nuk mund të vë bast se ai do të jetë i suksesshëm në këtë përgjithmonë. Ka shumë mënyra në të cilat Rusia mund të veprojë, të cilat do ta provokonin Bjellorusinë që t’i bashkohet luftës”, tha Artyom Shraibman, një analist politik bjellorus dhe studiues në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare. Franak Viaçorka, një këshilltar i lartë i liderit të opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanowska, tha se ai nuk beson që trupat bjelloruse do të marrin pjesë aktive në luftën në Ukrainë. Vjachorka pretendon se ushtria bjelloruse nuk ka kapacitet për të luftuar në Ukrainë.

“Nuk kemi trupa apo pajisje ushtarake. Shumë pajisje tashmë i janë dorëzuar Federatës Ruse. Gjithçka që mund të përdorej tashmë ishte vënë në funksion. Ka pak ushtarë të gatshëm për të luftuar, mezi shtatë mijë prej tyre”, shpjegoi ai.

Çfarë po përgatit Rusia? Jepet thirrja urgjente për civilët në Kherson, detajet shpërndahen me shpejtësi

Lideri pro-rus i vendosur nga Rusia në rajonin jugor të Kherson-it, Vladimir Saldo, ka kërkuar evakuimin e civilëve, duke paralajmëruar për rrezikun nga sulmet me raketa pas avancimit të forcave ukrainase.

Ai i tha civilëve të “shpëtojnë veten” duke shkuar në Rusi për “leksione dhe studim” dhe kërkoi ndihmën e Moskës. Thirrja më pas u përsërit nga ministri rus, Marat Khusnullin në një mesazh për televizionin shtetëror.

Megjithatë Ukraina mohon akuzat se ka shënjestruar civilët. Trupat kanë rimarrë disa zona të veri perëndimit të Kherson.

“Qeveria mori vendimin për të organizuar ndihmë për largimin e banorëve të rajonit Kherson, dhe në rajone të tjera të vendit. Ne do t’u ofrojmë të gjithëve strehim falas dhe gjithçka të nevojshme”, tha ministri rus.

Thirrja për evakuimin e civilëve drejt Rusisë, nga territoret e pushtuara ukrainase, vjen në një kohë kur mundësia për përdorimin e armëve bërthamorë është gjithnjë e më e madhe.

Rusia merr goditjen e fortë atje ku nuk ia priste mendjen nga Ukraina

Një depo municioni shpërtheu pasi u godit nga bombardimet ukrainase në një fshat në provincën Belgorod të Rusisë, tha guvernatori i saj, Vyacheslav Gladkov.

Kjo krahinë kufizohet me Ukrainën. Gladov sqaroi se ”në bazë të informacioneve të para, nuk ka as të vdekur e as të lënduar “.

Më herët, guvernatori akuzoi ukrainasit për granatimet e një ndërtese apartamentesh në zonë. Një zyrtar ukrainas pretendoi se një raketë ruse “endacake” ishte përgjegjëse për sulmin .

Sipas Gladkov, një shkollë është dëmtuar në një fshat afër kufirit dhe kati i fundit i një ndërtese banimi është goditur gjithashtu.

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podoliak tha në Twitter se Rusia gjuajti një raketë në drejtim të Kharkiv, por ” diçka shkoi keq dhe goditi ” kompleksin e apartamenteve brenda territorit rus.

Një video tregon mbeturinat pranë një pallati 16-katëshe dhe një vrimë të madhe pranë çatisë. Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte se cila palë ishte përgjegjëse për sulmin.

Gladkov tha se nuk kishte viktima.

Guvernatori i një province tjetër ruse, Kursk, tha se një nënstacion u dëmtua nga granatimet, duke lënë dy fshatra pa energji elektrike. Agjencia nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur këtë informacion. 

Dalin shifrat, mbi 90 mijë humbje “të pariparueshme” të ushtrisë ruse

Thuhet se janë mbi 90 mijë humbje “të pariparueshme” të ushtrisë ruse, përfshirë ushtarë të vrarë, të zhdukur ose të plagosur rëndë. Ky informacion është zbuluar nga projekti i pavarur i medias ruse iStories (Vazhnye Istorii), i cili citon një anëtar të shërbimeve të inteligjencës FSB dhe një ish-oficer të sigurisë shtetërore midis burimeve të tij.

Lajmin e rilançon faqja ruse Meduza. Autoritetet ruse kanë dhënë pak të dhëna për humbjet e ushtarëve në luftën në Ukrainë. Përditësimi i fundit daton në 21 shtator, kur ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu njoftoi gjithsej 5,937 vdekje në të njëjtën ditë me njoftimin e “mobilizimit të pjesshëm”. Sipas ushtrisë ukrainase, 63,000 ushtarë rusë janë vrarë. Në gusht, Pentagoni vlerësoi se kishte 70-80,000 ushtarë rusë të vrarë ose të plagosur rëndë.

“Informacionet e mbledhura deri më tani tregojnë se, për fat të keq, nuk ka asnjë kërcënim serioz për pushtetin e Vladimir Putinit”. Këtë e pohoi një burim i lartë diplomatik aleat në margjinat e takimit të grupit të kontaktit për Ukrainën që po zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Ka kritika nga anët e ndryshme, si nga ana e atyre që e konsiderojnë luftën një gabim, ashtu edhe nga ata që dëshirojnë të bëhet më shumë. Putin, megjithatë, ruan kontrollin e plotë të aparatit të sigurisë,” thekson burimi.

Italia dënoi fuqishëm sulmet e fundit, brutale dhe pa dallim ruse në shumë qytete anembanë Ukrainës, duke synuar qëllimisht civilët dhe i bëri thirrje Moskës që t’i japë fund agresionit të saj ushtarak, të tërhiqet nga të gjitha territoret e Ukrainës dhe të angazhohet sinqerisht në dialogun diplomatik.

Nga ana tjetër Putin po jep sinjale se kërkon një marrëveshje, por Perëndimi po tregon se nuk do të ndalet deri sa Rusia të shkatërrohet plotësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat