Presidenti Biden në takimin e ASEAN-it mes rivalitetit me Kinën dhe luftës në Ukrainë

Bota

Presidenti Biden në takimin e ASEAN-it mes rivalitetit me Kinën dhe luftës në Ukrainë

Më: 12 nëntor 2022 Në ora: 15:55
Udhëheqësit pjesëmarrës në takimin e ASEAN-it, Phnom Penh, Kamboxhia (12 nëntor 2022)

Presidenti amerikan Joe Biden ndodhet në Kamboxhia për takime të rëndësishme me udhëheqësit e shoqatës së vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), ku vetëm një ditë më parë mori pjesë edhe kryeministri kinez. Pjesëmarrja e Presidentit Biden në takimin e ASEAN-it i paraprin takimit të shumëpritur të hënën me Presidentin kinez Xi, në kuadrin e takimit të G-20ës që mbahet këtë vit në Indonezi.

Presidenti Joe Biden filloi bisedimet me udhëheqësit e ASEAN-it në Phnom Penh duke thënë në fjalën çelëse se bashkëpunimi me një ASEAN të fuqizuar dhe të bashkuar është thelbi i strategjisë amerikane në rajonin Indo-Paqësor.

Gjatë vitit të kaluar administrata ime njoftoi iniciativa të reja për ASEAN-in me vlerë prej 250 milionë dollarësh. Për vitin 2023, kemi propozuar në buxhet një asistencë prej 850 milionë dollarësh për Azinë Juglindore”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Biden synon të diskutojë gjatë takimeve luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj global, si dhe situatën në Mianmar. Punimet e takimit drejtohen nga kryeministri i Kamboxhias, që ka kryesinë e radhës.

“Le të përqëndrohemi tek objektivi i përbashkët për zhvillimin e ndërsjelltë të paqes, stabilitetit dhe përmirësimin e rajonit”, tha Kryeministri i Kamboxhias, Hun Sen.

Takimi po ndodh ndërsa vazhdon dhuna dhe ngërçi politik në Mianmar. Junta ushtarake në këtë vend nuk ka zbatuar planin për paqe të ASEAN-it, duke zemëruar kështu udhëheqësit e vendeve anëtare.

Nuk duhet të lejojmë që situata në Mianmar të sfidojë ASEAN-in”, tha Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo.

Kryeministri kinez Li Keqiang u takua me udhëheqësit e ASEAN-it të premten, një ditë përpara mbërritjes së Presidentit Biden.

Pekini po përpiqet të fitojë mbështetje në rajon nëpërmjet marrëveshjeve tregtare dhe infrastrukturore, duke konkurruar me influencën e Uashingtonit që jep kontributin kryesor për sigurinë e këtij rajoni.

Udhëheqësit e vendeve të ASEAN-it po ndjekin me shqetësim rritjen e rivalitetit SHBA – Kinë.

“Çfarë ndodh nëse ka zhvillime me Tajvanin dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë qasje në Singapor, Indonezi dhe Filipine? A do lejohet qasja dhe a do të shndërrohemi ne në objektiva të Kinës? Për këtë nuk ka ende një përgjigje në rajon”, thotë Evan Laksmana, nga Universiteti Kombëtar i Singaporit.

Ukraina ishte në epiqendër të vëmendjes këtë javë, ndërsa Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba nënshkroi me ASEAN-in traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit, një lëvizje simbolike kjo ndërsa Kievi dhe Perëndimi po kërkojnë të izolojnë Rusinë.

Këtë vit, Shtetet e Bashkuara morën në ASEAN statusin e partnerit strategjik, të cilin e mori edhe Kina vitin e kaluar. Pjesëmarrja e Presidentit Biden në takimin e ASEAN-it i paraprin takimit të shumëpritur të hënën me Presidentin kinez Xi në kuadrin e takimit të G-20ës që mbahet këtë vit në Indonezi.

“Ajo që dëshiroj të arrij kur të bisedoj me të është që të përcaktojmë vijat tona të kuqe; të kuptojmë se çfarë konsideron ai interesa jetike kombëtare të Kinës dhe ato që unë di se janë në interesin jetik të Shteteve të Bashkuara; si dhe të përcaktojmë nëse këto janë në konflikt me njëra-tjetrën, dhe nëse po, si do t’i zgjidhim ato”, tha Presidenti Biden./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat