LIVE: Bota në alarm pas raketave ruse, deklarohet edhe NATO - këto janë dyshimet e para!

Bota

LIVE: Bota në alarm pas raketave ruse, deklarohet edhe NATO - këto janë dyshimet e para!

Nga: BOTA SOT Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 00:49 më 16.11.2022
Pamje nga vendi i ngjarjes

Biden i ofron Polonisë mbështetjen e plotë të ShBA-së në hetimin e shpërthimit

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ofroi homologut të tij polak, Andrzej Duda, mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hetimin e vendit në një shpërthim që vrau dy persona pranë kufirit me Ukrainën.

“Presidenti Biden ofroi mbështetjen dhe ndihmën e plotë të SHBA-së për hetimin e Polonisë”.

Kështu thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë pasi presidentët folën në telefon, shkruan Reuters.

Aleatët e NATO-s po hetojnë raportet e pakonfirmuara se shpërthimi u shkaktua nga raketat ruse.

Sulmi në Poloni, presidenti i Francës bën thirrje për bisedime në samitin e G20

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që të bisedohet në samitin e G20, pas raportimeve se raketa apo granata kanë rënë në Poloni, është njoftuar nga Pallati Elysee, raporton CNN.

“Presidenti ka kontaktuar lidershipin polak dhe po informohet për situatën në zhvillim”, ka thënë zëdhënësi i Presidencës së Francës.

Ndërkohë burime të Mbrojtjes së Francës kanë thënë për CNN, se Franca është shumë e kujdesshme dhe se nuk do të komentojë derisa të analizohen gjitha situatat.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka thënë të martën po ashtu se Italia është duke e përcjell me kujdes zhvillimin në Poloni, ndërsa ka ngushëlluar viktimat.

Kush sulmoi me raketa mbi Poloninë? Ekspertët: Janë sisteme S-300, i ka përdorur Rusia gjatë luftës me Ukrainën

Në orët e fundit në rrjetet sociale kanë qarkulluar imazhe, ku tregojnë pjesë raketash të cilat ranë në Poloni.

Eksperti Mark Cancian tha për BBC se beson se mund të jetë nga një sistem S-300. Kjo lloj rakete zakonisht përdoret për sulme tokë-ajër dhe është përdorur nga Rusia dhe Ukraina gjatë gjithë luftës.

“Kush e gjuajti raketën është e paqartë,” thotë Andrés Gannon, një ekspert i sigurisë në Këshillin e SHBA për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili pajtohet se mund të jetë nga një sistem S-300.

“Ne e dimë se Rusia ka përdorur S-300 për sulme tokësore edhe pse është një sistem i mbrojtjes ajrore, por Ukraina i përdor ato gjithashtu për mbrojtjen ajrore kundër raketave të lundrimit.”

Dr Justin Bronck, një bashkëpunëtor i lartë në grupin e ekspertëve, pajtohet se mund të jetë nga një sistem S-300, por ende nuk ka prova të mjaftueshme për ta identifikuar atë.

Raketat ruse në Poloni “ngrenë ushtrinë vendase në këmbë”: Mund të aktivizohet neni 4 i NATO-s

Qeveria polake ka bërë një reagim zyrtar pas rënies së raketave ruse këtë mbrëmje në fshatin polak, në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Sky News, raporton se qeveria polake konfirmon se në vend ka pasur një shpërthim, që ka vrarë dy qytetarë, duke theksuar se vendi po rrit gatishmërinë e njësive ushtarake.

Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Muller, i cili sapo ka dhënë një konferencë për shtyp në kryeqytetin e vendit, në Varshavë, ku tha se qeveria po rrit nivelin e gatishmërisë së ushtrisë në përgjigje të shpërthimit pranë kufirit të saj me Ukrainën.

Duke folur para kamerave, Muller konfirmoi se dy persona ishin vrarë nga sulmet e ditës së sotme.

Ai u tha gazetarëve se qeveria po shqyrtonte nëse do të nxiste nenin 4, që do të nënkuptonte një takim të anëtarëve të NATO-s pasi të kërcënohej “integriteti i tyre territorial, pavarësia politike ose siguria”.

Çfarë është Neni 4 i NATO-s?

Sipas NATO-s, konsultimi sipas nenit 4 mund të çojë në veprim kolektiv midis 30 vendeve anëtare.

Polonia aktivizoi nenin 4 në vitin 2014 pas agresionit të mëparshëm rus në Ukrainë, një takim që rezultoi në përpjekje të mëtejshme të aleancës për të qëndruar së bashku kundër çdo agresori. Neni 4 është i ndarë nga neni 5, i cili thotë se një sulm kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.

Sakaq Polonia nuk ka konfirmuar ende burimin e shpërthimit. Moska nga ana e saj mohon të jetë e përfshirë, duke u cilësuar deklaratat polake “provokim të qëllimshëm”.

Rusia sulmoi me raketa territorin e një shteti të NATO-s, reagon presidenti i Këshillit Europian: I tronditur!

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, është shprehur i tronditur pas raportimeve se 2 raketa ruse kanë goditur tokën polake dhe kanë vrarë 2 persona.

Përmes një reagimi në Twitter, Michel ka thënë se do të qëndrojnë pranë Polonisë dhe se lidhur me këtë ngjarje kanë kontaktuar me autoritetet polake, anëtarët e Këshillit Evropian dhe aleatët e tjerë.

“I tronditur nga lajmi i një rakete apo municioni tjetër të ngjashëm që ka vrarë njerëz në territorin polak. Ngushëllimet e mia për familjet. Ne qëndrojmë me Poloninë. Unë jam në kontakt me autoritetet polake, anëtarët e Këshillit Evropian dhe aleatët e tjerë”, shkroi Michel në Tëitter.

Kujtojmë se Polonia është një vend anëtar i NATO-s dhe kjo ka sjellë reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe vetë aleancës, të cilat shprehen të gatshme të mbrojnë çdo pëllëmbë tokë të aleancës.

Pas zhvillimeve të fundit, Stoltenberg flet me presidentin polak: NATO po monitoron situatën

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pasi dyshohet se raketat ruse kanë sulmuar Poloninë, anëtar i NATO-s.

Stoltenberg ka bërë të ditur se ka folur me presidentin polak, Andrzej Duda, teksa i ka shprehur ngushëllime për humbjet e jetëve.

Ai bëri të ditur se NATO po monitoron situatën, teksa shtoi se është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen.

“Fola me Presidentin Duda për shpërthimin në Poloni. I shpreha ngushëllimet e mia për humbjet e jetëve. NATO po monitoron situatën dhe aleatët po konsultohen nga afër. Është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Reagon edhe Gjermania pas “raketave ruse” në Poloni

Gjermania ka thënë se është duke i monitoruar raportimet se raketa ruse kanë kaluar në Poloni.

Po ashtu, ka thënë se është në kontakt me Poloninë dhe me shtetet tjera anëtare të NATO-s, raporton Reuters.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, shkroi në Twitter mbi këto raportime, duke thënë:

 “Mendimet e mia janë me Poloninë, aleatin dhe fqinjin tonë të afërt. Po e monitorojmë situatën nga afër dhe jemi në kontakt me miqtë tanë polakë dhe me aleatët e NATO-s”

Vjen edhe reagimi i parë nga NATO pas raketave në Poloni

Pas raportimeve për rënien e raketave ruse në Poloni, ka reaguar për herë të parë NATO-ja.

CNN ka raportuar se ka komunikuar me një zyrtar të NATO-s.

Ai ka thënë se NATO është duke hulumtuar raportimet që raketa ruse kanë rënë në shtetin anëtar, Poloni.

“Po i hulumtojmë këto raportimet dhe po koordinohemi ngushtë me aleatin tonë, Poloninë”, ka thënë zyrtari i NATO-s për CNN. 

Ndryshon deklaratën gazetari që raportoi për sulm raketor në Poloni

Reporteri i Radio ZET të Polonisë, i cili fillimisht shkroi se raketat ruse kanë goditur një fshat në Poloni ka ndërruar deklaratën.

Ai ka postuar sërish në Twitter me një përditësim, duke thënë se “ka mundësi që ajo që ka goditur në Poloni, kanë qenë mbetje të një rakete ruse të rrëzuar nga ukrainasit.”

“Burimet e mia thonë se ajo që goditi Przewowo ka shumë të ngjarë të jenë mbetjet e një rakete të rrëzuar nga Forcat e Armatosura të Ukrainës,” ka shkruar ai.

Ryder: “SHBA-ja do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”

Zëdhënësi i Pentagonit Patrick Ryder, ka thënë se SHBA-ja është në dijeni të raportimeve se dy raketa ruse kanë goditur Poloninë. “SHBA është në dijeni të raporteve të shtypit që pretendojnë se dy raketa ruse kanë goditur një vendndodhje brenda Polonisë pranë kufirit me Ukrainën, por aktualisht nuk ka informacion për të vërtetuar këto raporte”, ka thënë Ryder.

Departamenti i Mbrojtjes përsëriti se SHBA “do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s” ndërsa SHBA pret për më shumë informacion, shkruan CNN. Ryder tha se SHBA është “shumë e sigurt” në mbrojtjen e forcës së saj në Evropë.

“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e forcës, ne gjithmonë e marrim sigurinë dhe sigurinë e trupave tona, pavarësisht se ku po shërbejnë shumë seriozisht”, tha Ryder.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat