SHBA finalizon planet për dërgimin e sistemit “Patriot” në Ukrainë

Bota

SHBA finalizon planet për dërgimin e sistemit “Patriot” në Ukrainë

Më: 16 dhjetor 2022 Në ora: 15:33
Foto ilustrim

Këtë javë Shtetet e Bashkuara po finalizojnë planet për të dërguar sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë, për ta ndihmuar Kievin të mbrohet nga sulmi i paprovokuar rus, thonë zyrtarët amerikanë.

Ndërkohë, korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gybson njofton se ligjvënësit janë afër arritjes së një marrëveshjeje për një raund të ri ndihmash humanitare dhe ushtarake për Ukrainën, pas paralajmërimeve të ekspertëve për të drejtat e njeriut se civilët ukrainas, mund të përballen me një dimër të vështirë si pasojë e luftimeve.

Dërgimi i sistemit të avancuar të mbrojtjes ajrore “Patriot” për të ndihmuar Kievin të mbrohet nga sulmet ruse, ishte prej kohësh një nga kërkesat kryesore të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Megjithëse zyrtarët amerikanë ende nuk e kanë shpallur vendimin, planet për një lëvizje të tillë u pasuan me një paralajmërim të fortë nga Kremlini të enjten.

"Ne këshillojmë me forcë ata që marrin vendime në Uashington që më në fund të dëgjojnë, ndoshta jo ne, por veten e tyre dhe të arrijnë në përfundimin e duhur nga paralajmërimet tona të përsëritura se çdo sistem armësh i dërguar në Ukrainë, përfshirë atë Patriot, së bashku me personelin në shërbim, janë dhe do të mbeten objektiva kryesore dhe legjitime të goditjes nga forcat e armatosura ruse”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.

Pentagoni ende nuk e ka shpallur dërgesën, por tha të enjten se komentet e Rusisë nuk ndikojnë në procesin e vendimmarrjes.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Rusinë, ne nuk kërkojmë konflikt. Qëllimi ynë është t’i ofrojmë Ukrainës ndihmën që i duhet për t’u mbrojtur”, tha gjenerali Pat Ryder, zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes.

Nisma vjen ndërsa Ukraina po përballet me një valë të rëndë bombardimesh nga Rusia. Kombet e Bashkuara paralajmërojnë një dimër të vështirë për ukrainasit.

“Sulmet ajrore ndaj infrastrukturës civile, duke përfshirë objektet energjetike dhe hidrocentralet po lënë miliona njerëz, veçanërisht shtresat më të ndjeshme të shoqësirë, në vështirësi ekstreme gjatë muajve të dimrit”, thotë Volker Turk, komisioner i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Zyrtarët ushtarakë të Ukrainës thonë se ky është qëllimi kryesor i strategjisë ruse.

“Kremlini e di se në një periudhë afatshkurtër fitorja është e pamundur, prandaj kërkon ta kthejë luftën në një përballje të zgjatur e të armatosur që synon dërrmimin e Ukrainës dhe partnerëve të saj”, thotë Oleksiy Gromov, gjeneral brigade i Ushtrisë së Ukrianës.

Presidenti rus Vladimir Putin pretendoi të enjten se sanksionet perëndimore kanë shkaktuar uljen me vetëm 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

"Përmes vendosjes së saksioneve, vendet perëndimore deshën ta shtyjnë Rusinë në periferi të zhvillimit botëror, por ne nuk do të ndjekim kurrë rrugën e vetë-izolimit”,tha ai.

Sipas një projekt-rezolute të OKB-së, Rusia mund të akuzohet për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë.

Ligjvënësit amerikanë hasën në vështirësi në miratimin e një rezolute të ngjashme në Kongres.

“Ata kanë kryer gjenocid, por për disa arsye, ne kemi probleme me këtë rezolutë. Senati e ka miratuar, njësoj mund të veprojmë dhe ne. Nuk i kuptoj problemet në Dhomën e Përfaqësuesve. Po mundohemi çdo ditë t’i tejkalojmë ato, por deri tani pa sukses”, thotë ligjvënësi demokrat Steve Cohen.

Ligjvënësit janë më afër arritjes së një marrëveshjeje për një raund tjetër ndihmash ushtarake dhe humanitare për Ukrainën – Presidenti Biden i kërkoi Kongresit muajin e kaluar 37 miliardë dollarë shtesë.

“Sistemi Patriot është zhvillim pozitiv. Duhet angazhim i vazhdueshëm. Kemi dërguar dy nga sistemet e fundit të mbrojtjes ajrore dhe po angazhohemi për gjashtë të tjera. Këto marrin kohë. Në fund të fundit kjo nuk është një zgjidhje diplomatike. Kemi të bëjmë me një luftë shkatërrimtare që mund të zgjasë me vite”, thotë Mike Quigley, ligjvënës demokrat.

Ligjvënësit amerikanë mund t’i miratojnë ndihmat e reja ekonomike në fillim të javës së ardhshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat